Sidnei (Australi), 20 gusht 2023 – Vashat e Spanjës e kanë shkruar historinë duke e mposhtur 1:0 Anglinë për ta fituar Kupën e Botës së Grave për herë të parë në historinë e ekipit të tyre kombëtar.
Ky triumf, po ashtu, nënkupton se spanjollet janë skuadra e parë që e fitojnë Kupën e Botës në tri kategori të ndryshme njëkohësisht, për grupmoshat deri në 17 vjeçe, 21 vjeçe dhe seniore.
Kapitenia Olga Carmona e shënoi golin e fitores duke e mposhtur portieren angleze Mary Earps në pjesën e parë.
Luaneshat, të cilat po synonin ta fitonin Botërorin për herë të parë në historinë e tyre, mbetën me zemër të thyer pasi u dërrmuan nga një ekip i vashave spanjolle plot kreativitet dhe aftësi.
Kjo ishte vetëm hera e tretë që vashat spanjolle marrin pjesë në Kupën e Botës dhe para këtij turneu, e kishin shënuar vetëm një fitore në Botëror.
Spanja, e cila ishte afër përjetimit të një rebelimi vitin e kaluar kur 15 futbolliste e braktisën ekipin kombëtar, ishte skuadër më agresive në finale kundër Anglisë dhe triumfoi me meritë.
Arritja e Spanjës është e jashtëzakonshme duke qenë se trajneri Jorge Vilda i mbijetoi një kryengritjeje të futbollisteve 12 muaj më parë. Ai rebelim para Botërorin bëri që të mungonin futbollistet me nam si Sandra Panos, Mapi Leon, Patri Guijarro dhe Claudia Pina, të cilat i kishin ndihmuar Barcelonës ta fitonte Ligën e Kampionëve në qershor.
Triumfi i tyre mund ta transformojë futbollit e grave në Spanjë, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes publike pas suksesit të brendshëm të Barcelonës së fundmi.
(REL)