Lirohet nga arresti Alil Demiri, i dënuar me burgim të përjetshëm në Shkup

Prishtinë, 25 gusht 2023 – Alil Demiri, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Shkupit, për rastin “Monstra”, i cili ishte arrestuar të enjten nga Policia e Kosovës, është lënë i lirë të premten.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Besnik Berisha.

“Alil Demiri tashmë është i lirë”, ka deklaruar avokati Berisha për Telegrafin.

Ai ka treguar se Demiri është lënë i lirë,  pasi prokurori i çështjes është tërhequr nga për caktimin e masës së paraburrgimit.

“Pas provave të dorëzuara nga mbrojtja dhe argumenteve sqaruese të dhëna në seancën dëgjimore ku u trajtua kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, Prokurori që përfaqësoi propozimin u tërhoq nga kërkesa”, ka thënë Berisha.

Alil Demiri, 38 vjeçar, u arrestua nga Policia e Kosovës në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Gjashtë persona ishin dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Shkup, në vitin 2017 lidhur me rastin e vrasjes së pesëfishtë te liqeni i Smillkovcit, në periferi të Shkupit, në prill të vitit 2012.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviqi, të dy të dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, gjendeshin në arrati.

(r.m.)