Naum Prifti
Përdorimi i sotëm i fjalës Haur është i ndryshëm nga kuptimi semantik i hershëm i saj. Por kuptimi i parë ende ruhet te ndonjë thënie apo shprehje si “Ka Zot Hauri”.
Në të folurën e përditshme Haur* është vendi ku mbahen kafshët shtëpiake si qetë, lopët, viçat, bagëtitë e imta si dhentë e qengjat, kecat si dhe kafshët e samarit si kuajt, pelat, mushkat, gomerët, edhe ushqimi i tyre. Fjala Haur ka edhe sinonime të tjera të tilla si: Qur, Burg dhe Patos.
Rreth një a dy shekuj më parë fjala Haur ngërthente dhe mbarte kuptim tjetër: një vend i caktuar për pritjen apo bujtjen e të huajve që vinin në fshat për vizita miqësore apo për punët dhe hallet e tyre. Pra në kuptimin e mirëfilltë të fjalës hauri qe hani i fshatit. Si rregull, ndërtohej nga një familje apo nga një fis apo bashkësi dhe mbahej me shpenzimet e tyre. Kuptohet se pronari i ahurit kishte gjendje ekonomike të mirë dhe kryesorja duhej të ishte bujar nga shpirti se hauri jo vetëm nuk sillte të ardhura, por mbajtja dhe mirëmbajtja kërkonin investime të vazhdueshme që nga blerja e ushqimeve për mysafirët, heje për kafshët e tyre si dhe dru për zjarrin kur qe ftohtë apo shpenzime për meremetime të nevojshme.
Hauri mund të mos u sillte të ardhura pronarëve por ama sillte emër dhe nam të mirë për të zotin si njeri bujar. Shpesh haurin e mbanin disa vëllezër të një familje a fisi. Aty bujtnin udhëtarët e rastit, të dërguarit e qeverisë, rojtarët e rrugëve dhe të karvanëve, taksidarët dhe xhelepçinjtë. Mund të thuhet se në kuptimin e saktë të fjalës hauret kryenin funksionin e haneve të qytetit, ose të ndërtesave të posaçme të njohura në vendet e lindjes me emrin “karvansaraj”. Madje për një karvansaraj të tillë që ndodhej poshtë fshatit Starje, ka të ngjarë në Psar a në Bejkovë flet Pukëvili në Voyage en Greece (Udhëtimi në Greqi) ku në kontekst e kuptojmë si stacion qëndrimi në rrugën Janinë-Korçë. Të tilla vendqendrime mateshin me stasione, që ishin mesatarisht një ditë rruge me kafshë, pra rreth 40-45 kilometra.
Po të ndjekim në hartë rrugën e karvanëve, bindemi se kjo lloj njësie matëse është largësia mesatare midis shumë prej qendrave të qyteteve shqiptare. Për shembull Përmet – Leskovik 40 km, Leskovik – Ersekë 45 km, Ersekë – Korçë 45 km, Korçë-Pogradec 45 km, Pogradec – Qukës 40 km.
Për udhëtarët që vinin në fshat për punët e nevojat e tyre, hauri ishte praktikisht institucioni i mikpritjes shqiptare dhe rregullimit të jetës së atyre që s’kishin të afërm në fshat. Si bazë qenë traditat dhe koncepteve morale të shqiptarëve. Ndonëse hauret nuk ishin shumë fitimprurëse për pronarët ngaqë kishin harxhe të vazhdueshme, ato siguronin emër të mirë dhe respektin e mirënjohjen e fshatit dhe të bujtësve. Të mbaje haur do të thoshte se ishe ‘dikushi’ se zije një vend në shoqëri dhe më kryesorja se kishe shpirt bujar e kalorësiak. Pra mbajtja e haurit qe kryesisht honorifike ndaj merrej përsipër vullnetarisht. Jo çdo shtëpi mund të mbante haur. Kjo e drejtë konsakrohej nga pleqësia e fshatit. Rregullat qenë përcaktuar nga tradita e trashëguar, nga një lloj kanuni që shkonte brez pas brezi. I zoti i haurit kishte detyrë ta mbante hapur në çdo kohë, dimër e verë dhe të priste ata që vinin e trokisnin te porta e tij. Çdo stinë kishte veçoritë e saj përsa i takon kujdesjes për myshterinjtë. Kur bënte ftohtë duhet të ndizej zjarri, të kishte mbulesa shtesë, të ushqeheshin kafshët e bujtësve me zaire dhe me ujë. Bujtësit mund t’i falej një cërre apo faqore me 150-200 gram raki dhe ushqim i mjaftueshëm. Nga ana e tij, bujtësi s’kishte të drejtë të ndërhynte në punët e të zotit të haurit, as të bënte skandale a kërkesa të padrejta. Edhe nga ana arkitekturale hauret ishin ndërtuar të kishin hyrje dalje të ndara. Ato nuk kishin dalje në oborrin e shtëpisë ku banonte i zoti i haurit dhe familja e tij, por vetëm me portën që të nxirrte te rruga jashtë saj.
Në fshatin tim, në Rehovë, në kohën e Ali Pashë Tepelenës mbanin haur vetëm Zotollarët. Sipas rrëfimeve aty qëlloi të vinte një i dërguar i Ali Pashait. Flitej se te Zotollarët qe një vajzë e bukur dhe i dërguari donte ta shikonte e pastaj ta blinte a ta rrëmbente si robinë për t’ia falur Ali Pashait për haremin e tij. Pasi piu cërren e parë me raki, suvariu kërkoi dhe një cërre tjetër. I zoti hezitoi një hop por ia dha. Kur vizitori kërkoi dhe një të tretë, Stefani e nxori përjashta dhe e përzuri nga hauri. Suvariu iu ankua Pashait dhe ai dërgoi dy suvarinj të tjerë që ta merrnin të zotin e haurit lidhur dhe t’ia shpinin atij. Stefan Zotoja nuk pranoi të shkonte i lidhur. U dha fjalën se do të vinte vetë në Janinë. Dhe ashtu bëri. Vajti dhe doli përpara Pashait. I shpjegoi ngjarjen ashtu sikurse kishte ndodhur dhe ai e besoi. I dha të drejtë të zotit të haurit dhe në shenjë respekti i fali një shpatë me këllëçin.
Lokucioni “Ka Zot Hauri” ruan kuptimin e hershëm të fjalës në rrafshin semantik përpara ndryshimeve që sollën luftërat dhe ideologjitë në strukturën shoqërore. Në këtë shprehje ruhet ende institucioni i haurit si vend bujtje e mikpritje për mysafirët.
Në Fjalorin e Shqipes së Sotme botuar më 1984 jepet përkufizimi i fjalës Ahur si vendstrehim për kafshët dhe përdorimi i tij si qilar. Aty nuk përmendet funksioni parësor i ahurit si vendbujtje (bujtinë) megjithëse pas shprehjeve: Është bërë shtëpia ahur, E la në ahur, renditet fraza: Ka plak ahuri.
*Fjalori i Shqipes së Sotme, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë 1984, jep vetëm ndërtimin Ahur ~ i : pjesë përdhese e shtëpisë ku mbaheshin kafshët dhe ushqimi i tyre; pjesë përdhese e shtëpisë ku mbahen bulmeti, drutë, veglat etj., qilar.