Fatos Nano gjendet në reanimacion, i intubuar me frymëmarrje të komanduar

Tiranë, 31 gusht 2023 – Ish kryeministri Fatos Nano vijon të qëndrojë i shtruar prej një jave në një spital privat në Tiranë. ABCnews raporton se ish kryeministri vazhdon të jetë në reanimacion i intubuar për shkak të problemeve me frymëmarrjen dhe se gjendja nuk ka ndryshuar në raport me një ditë më parë.

Sipas stafit mjekësor, ai është në gjendje të stabilizuar, parametrat e oksigjenimit në gjak janë përmirësuar, krahasuar me ditët e para të qëndrimit në spital.

Megjithatë, ish lideri socialist vijon të jetë i intubuar me frymëmarrje të komanduar dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.

Ish lideri i PS-së vuan nga insuficenca respiratore, pamjaftueshmëri e mushkërisë për të funksionuar normalisht. Ai u dërgua në spital nga familjarët të enjten e kaluar. Nano vuan prej kohësh nga kjo sëmundje dhe në të kaluarën është paraqitur në spital për të marrë shërbimin mjekësor.

Të enjten në mëngjes, kryeministri Edi Rama e dekoroi ish liderin historik të Partisë Socialiste me medaljen e Mirënjohjes Publike të klasit I.

“Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik”, shkruante mes të tjerash kryeministri Rama.

(r.m.)