Tiranë, 5 shtator 2023 – Sot në Tiranë u hap ekspozita “Mbjellim dashuri”, me fotografi dhe dokumente të humanistes shqiptare të nderuar anembanë botës, Nënës Terezë.
Ekspozita u organizua nga ITSHKSH, Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shqipërisë dhe Agjensia shtetërore e arkivave të Kosovës.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës morën pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës , Vjosa Osmani, dhe autoritete nga fusha e artit e kulturës, historisë e trashëgimisë dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve e të organizatave të shoqërisë civile, si edhe diplomatë të huaj të akredituar në Tiranë.
Hapjen e skpozitës e bëri drejtori i Arkivave të përgjithshme të Shqipërisë, Ardit Bido, kurse drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, bëri komentimin e fotogravive dhe dokumenteve, duke përshkruar rrugën jetësore të Nënë Tereze, që nga fillimi kur ajo ishte Gonxhe Bojaxhiu, deri në shenjtërimin e saj.
Presidenti shqiptar Bajram Begaj me këtë rast shprehu konsiderata të larta ndaj organizatorëve të kësaj ekspozite dhe u shpreh i gatshëm që shtetit shqiptar të mbështes çdo nismë që ndërmerret për të nderuar kujtimin për Nënën Tereze.
Ndërkaq Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se puna kolosale e Nënës Tereze na obligon që ta ruajmë të përhershme dashurinë dhe përkushtimin për të.
Fotografitë e përzgjedhuar dhe sistemuara nga ITSHKSH, bashkë me dokumentet e rralla të siguruara nga Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shqipërisë, përbënin lajtmotivin e kësaj ekspozite, tha Skender Asani, i cili veçoi disa momente që ndërlidhen me aktivitetet e ITSHKSH në ruajtjen dhe evokimin e trashëgimisë së Nënës Tereze, siç ishte bredhi i mbjellur nga ajo, por i shkatërruar para dy viteve, nga farat e të cilit u mbollën disa bredha në Shkup, Prishtinë dhe në Tiranë.
Një kontribut të veçantë në organizimin e kësaj ekspozite ka dhënë edhe Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shqipërisë, me ç’rast drejtori Ardit Bido veçoi një dëshmi të rrallë të Nënës Tereze.
“Besën e shqiptarit ia kam dhanë Zotit me prue dashni dhe paqe në gjithë botën”, është kjo thënia e Nënës Tereze, e cituar nga Bido, që përbën edhe dokumentin e arkivuar që dëshmon fjalët e fundit të thëna shqip nga Nëna Tereze.
(e.a.)