Mbi një muaj prej vrasjes, kufoma e argjentinases ndodhet ende në Kosovë

Prishtinë, 6 shtator 2023 – Kufoma e shtetases argjentinase, Maria Clara Urdungaray, e cila dyshohet se u vra nga i dashuri i saj në Fushë Kosovë, nuk është transportuar ende në Argjentinë.

Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, kanë thënë se procedurat ligjore për transportimin e saj në Argjentinë tani janë në fazën e përmbylljes. Ministria tha se shpenzimet për bartjen e kufomës do të mbulohen nga Qeveria e Kosovës, ndonëse kostoja nuk është bërë e ditur.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju informojmë se trupi i ndjerë i argjentinases ende nuk është transportuar në Argjentinë. Jemi në fazën e përmbylljes së procedurave ligjore dhe Qeveria e Kosovës do të bartë shpenzimet për bartjen e kufomës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit të dyshuarit për vrasjen e Clara Urdungaray.

Argjentinasja 27-vjeçare ka vdekur më 2 gusht pasi ka rënë nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë, ku ishte vendosur bashkë me të dashurin e saj, shtetasin zviceran Endrit Nika.

Nika është arrestuar nga autoritetet e Kosovë si i dyshuar për vrasje.

Facundo Urdangaray, babai i Maria Clara Urdangaray, ditë më parë, ka dhënë detaje të reja për ecurinë e hetimeve. Ai ka treguar se mjekësia ligjore ka gjetur lëndime që nuk përputhen me rënien nga lartësia.

“Ata kanë gjetur në trupin e vajzës sime shenja se ka pasur lëndime të mëparshme. Mavijosje në krahët e saj. Kur një person bie nga një lartësi e tillë, ai ka lëndime të caktuara, por nëse ju shtrëngojnë fort për krahësh, ato lëndime nuk janë prej rënies,” ka shpjeguar Urdangaray për Radio 221 në Argjentinë.

Ndonëse lidhur me rastin nevojitet më shumë ekspertizë, kjo do ta rëndonte akuzën ndaj 31 vjeçarit Endrit Nika, pasi rasti po hetohet si femicid i mundshëm.

(r.m.)