Moskë, 7 shtator 2023 – Municionet për tanke me uranium të varfëruar për Ukrainën “janë shenjë e qartë çnjerëzore” e Shteteve të Bashkuara, tha Ambasada ruse në Uashington.
Shtetet e Bashkuara njoftuan për ndihmën e re për Ukrainën që do të jetë në vlerë prej mbi 1 miliard dollarësh. Në këtë pako do të përfshihet edhe ky lloj municioni.
Predhat 120-milimetërshe për tanket M1 Abrams pritet të dërgohen në Ukrainë para fundit të vitit 2023.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara “qartësisht është shenjë çnjerëzore”, tha Ambasada ruse përmes një postimi në Telegram.
“Uashingtoni, i obsesionuar me idenë që të shkaktojë ‘mposhtje strategjike’ të Rusisë, është i gatshëm të luftojë jo vetëm deri në ukrainasin e fundit, por edhe të damkosë brezin e ardhshëm”, tha ambasada.
Municionet me uranium të varfëruar janë kontroverse për shkak se ato lidhen me probleme shëndetësore sikurse me kancer dhe me defekte të lindjes në zonat ku janë përdorur në konfliktet në të kaluarën, megjithëse nuk është dëshmuar në mënyrë definitive se këto lloje municionesh kanë shkaktuar probleme të tilla.
“SHBA qëllimshëm po transferon armë që kanë efekte pa dallim”, tha Ambasada ruse. “Ajo është plotësisht e vetëdijshme për pasojat: shpërthimet e municioneve të tilla rezultojnë në formimin e reve lëvizëse radioaktive”.
Ky lloj municioni është pjesë e pajisjeve ushtarake për Kievin në vlerë prej 175 milionë dollarësh që do të merret nga stoqet amerikane.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se përveç pakos ushtarake, Kievit do t’i jepen edhe 100 milionë dollarë në formë grantesh që do t’i lejojnë Ukrainës të blejë armë dhe pajisje.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një konference për media me kryediplomatin ukrainas, Dmytro Kuleba, në Kiev.
Blinken më 6 shtator qëndroi në Kiev në një vizitë të paparalajmëruar. DASH-i tha se vizita kishte për qëllim të demonstronte “përkushtimin e palëkundur të SHBA-së për sovranitetin, integritetin territorial të Ukrainës dhe demokracinë, veçmas në dritë të agresionit të Rusisë”.
Ukraina tre muaj më parë ka nisur një kundërofensivë të madhe kundër forcave ruse dhe shpreson që kjo ofensivë do të jetë vendimtare për të ndryshuar momentumin në luftë.
Blinken tha se ndihma e re ushtarake do të forcohet nga dërgimi i tankeve Abrams – të prodhimit amerikan – që do të dërgohen në Ukrainë në vjeshtë, por edhe nga trajnimi i pilotëve ukrainas për përdorimin e avionëve F-16.
Përveç ndihmës ushtarake, Blinken po ashtu njoftoi për një pako prej 805 milionë dollarësh, ku përfshihen 300 milionë për sundimin e ligjit, 206 milionë ndihmë humanitare, 203 milionë për luftimin e korrupsionit dhe 90.5 milionë dollarë për largimin e minave.
(REL)