Ibrahim Rugova – lideri më i votuar në historinë e zgjedhjeve të lira në Kosovë

Dr Ibrahim Rugova, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, lider i lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, do të mbetet në histori si lideri më i votuar në zgjedhjet e lira shumëpartiake në Kosovë.

Në zgjedhjet presidencialet dhe parlamentare të vitit 1992, Rugova i mori 867.557 vota, të cilat e konfirmuan autoritet suprem të lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci në Kosovë.

Risjelllim në kujtesë raportin e Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, të mbajtura më 24 maj 1992, të paraqitur nga kryetari i këtij komisioni, Tadej Rodiqi, sipas korrespondentit të gazetës “Dielli” dhe të Agjerncisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Behlul Jashari:

“Zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor. Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.

Zgjedhjet u mbajtën më 24 Maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë.

Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke.

Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme.

Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind.

Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament.

Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 Majit.

Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon: Lidhja Demokratike e Kosovës 96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës 7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane 7 deputetë, Kandidatët e Pavarur 2 deputetë.

Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.

Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez.

Zgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan 762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës.

Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konsifkoi një pjesë të materialit zgjedhor.

I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 Majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga SHBA dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota.

Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve.

Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci”, përfundonte Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, i prezantuar në Prishtinë në 15 Qershor 1992.

(m.h.)

2 Responses to “Ibrahim Rugova – lideri më i votuar në historinë e zgjedhjeve të lira në Kosovë”

Read below or add a comment...

  1. Gege Kosova says:

    Ishtte koha rrethanat dhe ngjarjet, qe ndikuan ne pergjigjen masive,si asnjehere me pare e as pas ketyre zgjedhjeve te popullit shqiptar per votime te 1992 dhe 1998.Ne keto zgjedhje,jo vetem Presidenti Rugova,por edhe deputetet pjesemarres ne keto zgjegjdhje,ishin me te votuarit nga gjitha nivelet dhe kohet e zgjedhjeve te deri atehershme,por edhe te deri sotshme, ndoshta edhe per te ardhmen.Andaj, keto zgjedhje dhe masoviteti i pjesemarrjes nuk mund te krahasohet me zgjedhjet e pasluftes dhe ne zgjedhjet e normalitetit shteteror.

  2. Gege Kosova says:

    Ishin te vecanta e te jashtezakonshme, ne rrethana e ngjarje te vecanta e te jashtezakonshme.