Nga Avokati Kieran Both
Bashkëshorti im ka green card. U kthye në Shqipëri pak para pandemisë së COVID-19-ës, pasi kishte nënën sëmurë. Ajo është shëruar së fundi dhe burri im ka ndërmend të rikthehet në SHBA. Meqënëse ka qëndruar gjatë jashtë SHBA-së, kemi frikë se i është anulluar green card-a. A mund të bëjë ndonjë gjë për këtë problem apo do të më duhet të paraqes një peticion tjetër bashkimi familjar në emër të tij dhe të të filloj gjithshka nga e para?
Faleminderit,
Aniza L
Brooklyn, NY
Një rezidenti të përhershëm (LPR) apo me kusht (CR) që ka qëndruar jashtë SHBA-së për një shumë se një vit ose përtej afatit të skadimit të lejes për të rihyrë në SHBA (re-entry permit), do t’i duhet një vizë e re emigruese për të rihyrë në SHBA dhe për të rimarrë statusin si rezident i përhershëm. Ligji për vizat amerikane ka një dispozitë ligjore sipas së cilës një rezidenti të ligjshëm të përhershëm (LPR) që ka qëndruar jashtë SHBA-së për arsye dhe rrethana që nuk vareshin prej tij ose prej saj, i jepet viza e posaçme emigruese e rezidentit që rikthehet.
Kushdo që është rezident i përhershëm dhe nuk ka mundur të rikthehet në SHBA brenda afatit të udhëtimit që ka green card-a (1 vit) apo afatit të lejes për të rihyrë (2 vjet), kualifikohet dhe mund të aplikojë pranë ambasadës apo konsullatës amerikane më të afërt për një vizë emigruese të rezidentit që rikthehet, viza SB-1.
Nëse kërkesa për status të “rezidentit që rikthehet” miratohet, nuk ka nevojë që të paraqitet peticion për vizë emigruese në emrin tuaj pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë të SHBA-së (USCIS). Do t’ju duhet të paraqiteni për intervistë si për aplikimin që keni paraqitur për të marrë statusin e lartpërmendur, ashtu dhe, zakonisht më vonë, për aplikimin për vizë emigruese. Një aplikant për vizë SB-1 duhet të tregojë që kualifikohet për vizë emigruese si dhe të kryejë një kontroll mjekësor. Prandaj, këtu përfshihen dhe pagesa e tarifave për procesimin e vizës dhe pagesa e tarifave mjekësore.
Bashkëshorti/ja ose fëmija i një anëtari të Forcave të Armatosura të SHBA ose punonjësi civil të qeverisë amerikane me punësim jashtë vendit – Nëse jeni bashkëshorti/ja ose fëmija i një anëtari të Forcave të Armatosura të SHBA-së ose i një punonjësi civil të qeverisë amerikane me punësim jashtë vendit, me urdhër zyrtar, mund të përdorni green card-ën pra Formularin I-551, për të hyrë në Shtetet e Bashkuara edhe nëse asaj i ka skaduar afati. Pra, nuk nevojitet të pajiseni me vizë emigruese (SB-1), sa kohë që: nuk e keni braktisur statusin tuaj të rezidentit të përhershëm të ligjshëm; dhe bashkëshorti/ja ose prindi juaj po rikthehet në Shtetet e Bashkuara.
Kualifikimi për status të rezidentit që rikthehet
Sipas ligjeve të emigracionit, që të mund të kualifikoheni për të marrë statusin e rezidentit që rikthehet, duhet t’i tregoni nëpunësit konsullor që:
- Në momentin e largimit nga Shtetet e Bashkuara kishit statusin e rezidentit të përhershëm të ligjshëm;
- U larguat nga Shtetet e Bashkuara me synim për t’u rikthyer dhe që nuk keni hequr dorë nga ky synim; dhe
- Po riktheheni në Shtetet e Bashkuara nga një vizitë e përkohshme jashtë vendit dhe qëndrimi jashtë vendit përtej afatit të lejuar ka ndodhur për arsye që nuk vareshin nga personi vetë dhe për të cilat personi nuk mban përgjegjësi.
Aplikimi për vizë rezidenti që rikthehet
Nëse dëshironi të aplikoni për vizë emigruese SB-1, duhet të kontaktoni ambasadën e SHBA-së apo konsullatën më të afërt përpara se të ndërmerrni udhëtimin (të paktën tre muaj përpara, nëse është e mundur) në mënyrë që t’i jepni kohë proçesimit të vizës. Pjesë e këtij proçesi është dhe intervista në ambasadën apo konsullatën e SHBA-së.
Kur aplikoni për vizë (SB-1), duhet të dorëzoni formularët dhe dokumentet e mëposhtme në Ambasadën ose Konsullatën e SHBA-së ku do të aplikoni:
- Formulari i plotësuar DS-117(Application to Determine Returning Resident Status)
- Karta e Rezidentit të Përhershëm, formulari I-551
- Nëse egziston, Re-entry Permit (leja për të rihyrë)
Faqja që ka të bëjë me formularin DS-117 mund të gjendet këtu: https://travel.state.gov/content/travel/en/us-visas/immigrate/returning-resident.html
Personi duhet të paraqesë gjithashtu dokumentat e mëposhtëm, në mbështetje të kërkesës në fjalë:
- Datat e udhëtimit jashtë SHBA-së (Për shembull: bileta avioni, vulat në pasaportë, etj.)
- Dëshmi të lidhjeve që personi ka në SHBA dhe të synimit për t’u rikthyer aty (Për shembull: dokumentat e taksave si dhe prova të lidhjeve ekonomike, familjare dhe shoqërore me SHBA-në)
- Dokumenta që dëshmojnë që qëndrimi përtej afatit jashtë SHBA-së ka ndodhur për arsye që nuk vareshin nga personi (Shembuj: pamundësi për arsye mjekësore, punësim nga një kompani amerikane, etj.)
Një zyrtar konsullor do ta shqyrtojë aplikimin si dhe dokumentat në mbështetje të kërkesës për vizë për të vendosur nëse personi në fjalë i përmbush kriteret për të marrë statusin e rezidentit që rikthehet (viza SB-1). Nëse po, personi duhet të kualifikohet në çdo aspekt në mënyrë që t’i jepet viza emigruese SB-1.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]