Begaj u nis për në SHBA, do ta përfaqësojë Shqipërinë në AP të OKB-së

Tiranë, 17 shtator 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u nis të dielën për në SHBA. Ai do ta kryesojë delegacionin shtetëror që do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të nisë punimet më 20 shtator, ku do do të flasë në emër të Shqipërisë.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Presidenti Begaj do të marrë pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe pritet të zhvillojë takime dypalëshe me krerë shtetesh e me zyrtarë të lartë amerikanë, si edhe me drejtues e përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA.

Shqipëria, e cila është kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do ta drejtojë takimin për bashkëpunimin për shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të ndihmave humanitare në situata krizash, në situata lufte apo në situata katastrofash natyrore, kudo në botë.

Shqipëria do të marrë pjesë edhe në diskutimin mbi reagimin e OKB-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky.

Përveç Presidentit Begaj, në Nju Jork do të shkojnë edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani.

(r.m.)