Radoiçiq e merr përgjegjësinë për sulmet në Banjskë, përpiqet të shfajësojë Beogradin

Beograd, 29 shtator 2023 – Millan Radoiçiq e ka pranuar të premten se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.

Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës për veprimet e tij dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre.

Radoiçiq ka thënë se me ta ka pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me “metodat e mëparshme të rezistencës ndaj terrorit të Kurtit” dhe se atyre u është kërkuar “të tërhiqen pa arritur ndonjë rezultat të dukshëm”.

“Sepse na u tha se në këtë mënyrë do të kontribuojmë në shtensionim dhe se bashkësia ndërkombëtare dhe KFOR-i do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur popullin tonë. Pala tjetër nuk e ka perceptuar si vullnet të mirë për qetësimin e situatës dhe për krijimin e kushteve për negociata, por si dobësi”, thuhet mes tjerash në letër.

Radoiçiq i ka akuzuar autoritetet në Prishtinë, të udhëhequra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për “pushtim të paligjshëm të veriut të Kosovës”.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se sulmuesit nuk janë “terroristë”, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.

Radoiçiq ka theksuar se vrasja e policit të Kosovës ka qenë “aksidentale” dhe pas ssaj ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”.

Ai e ka njoftuar opinionin se po jep dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, duke theksuar se përfshirja e tij politike në Listën Serbe “nuk kishte të bënte me kthimin e tij në Kosovë”.

Në letë, mes tjerash, aika thënë se do t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve të Republikës së Serbisë për të shpjeguar gjthçka lidhur me sulmin në Banjskë.

I pyetur se nga kanë ardhur të gjitha armët dhe pajisjet e përdorura në aksionin e 24 shtatorit, avokati ka thënë se nuk mund të flasë se çfarë do të kishte thënë Radoiçiqi dhe nëse do të kishte bisedime për këtë gjë me autoritetet kompetente të Serbisë.

Petronijeviq e ka mohuar se Radoiçiq është plagosur në Banjskë apo se është trajtuar në spitalin ushtarak në Beograd.

Kjo është hera e parë që Radoiçiqi reagon publikisht, pas sulmeve të 24 shtatorit.

Milan Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar një pamje të regjistruara me dron, ku Radoiçiq shihet i veshur me uniformë e me armë në dorë.

Lista Serbe deri më sot nuk është deklaruar rreth akuzave të autoriteteve të Kosovës ndaj Radoiçiqit, i cili është në arrati.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të rebeluar nga “terrori” i Kurtit. Ai e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.

Kush është Petronijeviq, i autorizuari i Radoiçiqit?

Petronijeviq ka qenë “vëzhgues” në zgjedhjet e mbajtura javë më parë nga autoritetet ruse në territoret e pushtuara ukrainase

Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.

Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit.

Ai është larguar nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.

Para gjykatës ndërkombëtare, ai i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.

Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

Para Tribunalit në Hagë, ai e ka mbrojtur gjithashtu ish-oficerin e ushtrisë jugosllave, Veselin Shlivançanin, i cili është dënuar për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.

Në mesin e gushtit, Petronijeviq ka njoftuar për një iniciativë për ta mbrojtur Millorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.

Më herët Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.

(REL)