Prishtinë, 29 shtator 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i kërkojë llogaridhënie Serbisë për veprimet e saj kundër Kosovës,
Të premten, në një mëngjes pune me ambasadorët e QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës e Italisë) dhe të Bashkimit Evropian, ajo ka thënë se faktori ndërkombëtar duhet t’ia bëfë të qartë Serbisë se “duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste” në Kosovë.
“Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, ka theksuar ajo.
Presidentja Osmani e ka vlerësuar lart punën e shkëlqyeshme dhe profesionale të Policisë së Kosovës dhe të institucioneve tjera të sigurisë në ballafaqimin me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Ajo e ka theksuar nevjën e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe të koordinimit të veprimeve të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të akteve të tilla.
Prsidentja e Kosovws ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për integrimin e serbëve në në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.
“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, ka theksuar ajo.
Presidentja Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në menaxhimin e situatës aktuale dhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin.
(r.m.)