Parlamenti Evropian sot debaton për sulmin e 24 shtatorit në pjesën veriore të Kosovës

Bruksel, 3 tetor 2023 – Sot (e martë) në Parlamentin Evropian do zhvillohet një debat i jashtëzakonshëm lidhur me sulmet e grupit terrorist serbe të kryera më 24 shtator në pjesën veriore të Kosovës. Debati u iniciua nga socialdemokratët, grupi i dytë me i madh në Parlamentin Evropian.

“Ne dënojmë agresionin e fundit të një bande të armatosur terroriste kundër policëve të Kosovës. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, thuhet në paralajmërimin e socialdemokratëve evropianë.

Parlamenti Evropian pritet të miratojë edhe një rezolutë për sulmet në në pjesën veriore të Kosovës. Njëri nga iniciatorët e debatit, eurodeputeti Tonino Picula, ka deklaruar se rezoluta do të shprehë një qëndrim të qartë të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit të fundit terrorist. Ai ka thënë se pret që rezoluta të përfshijë edhe pikëpamjet e eurodeputetëve për rolin e ndërmjetësve evropianë në dialogun mes Kosovës e Serbisë dhe për moszbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Picula ka thënë se përpos përgjegjësisë penale për sulmet, duhet të përcaktohet edhe përgjegjësia politike për përshkallëzimin e dhunës.

Debati për sulmin do zhvillohet të martën në mbrëmje ndërsa rezoluta pritet të miratohen në seancën e dytë plenare, në gjysmën e dytë të tetorit.

(r.m.)