Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së po bën ndryshimet përkatëse të udhëzimeve të përfshira në Manualin e Praktikave dhe Proçedurave të Emigracionit, ndryshime që reflektojnë rritjen deri në 5 vjet të periudhës maksimale të vlefshmërisë së dokumentave për leje punësimi (EAD), që jepen për herë të parë, ose rinovohen, për jonënshtetas të caktuar që kanë leje punësimi e cila varet nga statusi ose rrethanat, përfshirë këtu ata që janë pranuar si refugjatë, që kanë të drejtë të hynë si refugjatë dhe që u është dhënë azili, sikurse dhe ata që kanë statusin “withholding of removal”. USCIS-i po rrit deri në 5 vjet periudhën e vlefshmërisë së dokumentit të lejes së punësimit, të dhënë për herë të parë ose të rinovuar, për jonënshtetas të caktuar që duhet të aplikojnë për leje pune, ku përfshihen ata që aplikojnë për azil ose “withholding of removal”, ndreqje statusi siç parashikon INA 245, dhe pezullim deportimi ose anullim deportimi. Udhëzuesi i përditësuar ofron gjithashtu shpjegim lidhur me kategoritë e jonënshtetasve që janë automatikisht të autorizuar që të punojnë në SHBA (të njohur gjithashtu si persona leja për punësim e të cilëve lidhet direkt me statusin që kanë ose rrethanat) si dhe jep më shumë informacion për personat që mund t’i paraqesin punëdhënësit formularin I-94 (Arrival/Departure Record), si dokument të pranueshëm që tregon se personat në fjalë autorizohen për të punuar sipas Listës C të formularit I-9 (Employment Eligibility Verification). Për qëllim lejeje për të punuar, Formulari I-94 duhet të shoqërohet me dokumente identifikimi. Të gjithë punëdhënësit janë të ndaluar të punësojnë njerëz, përfshirë dhe nënshtetas të SHBA-së, për punësim në Shtetet e Bashkuara pa verifikuar më parë nëpërmjet formularit I-9, identitetin dhe lejen për punësim. Formulari I-9 përdoret për të verifikuar identitetin dhe lejen për punësim të individëve të punësuar në Shtetet e Bashkuara. Të gjithë punëdhënësit në SHBA duhet të sigurojnë që formulari I-9 është mbushur siç duhet nga secili prej individëve që do të punësohet në SHBA. Në formular, i punësuari duhet të vërtetojë lejen e tij ose të saj të punësimit. Punonjësi duhet gjithashtu t’i paraqesë punëdhënësit të tij/saj dokumente të pranueshme që vërtetojnë identitetin dhe lejen për punësim. Punëdhënësi duhet të shqyrtojë me kujdes dokumentet e lejes së punësimit dhe dokumentin(et) e identitetit që të paraqitura nga punonjësi, për të përcaktuar – brenda mundësive për ta bërë diçka të tillë – nëse këto dokumenta janë të vërteta dhe a kanë të bëjnë vërtet me punonjësin si dhe të regjistrojë informacionin që përmbajnë këto dokumenta, në Formularin I-9. Punëdhënësit duhet të ruajnë Formularin I-9 për një periudhë të caktuar dhe t’ua vënë në dispozicion për inspektim zyrtarëve të autorizuar të qeverisë. Agjencitë shtetërore gjithashtu mund të përdorin Formularin I-9.
Rritja e periudhës maksimale të vlefshmërisë EAD në 5 vjet synon të zvogëlojë ndjeshëm numrin e Formularëve të rinj I-765, Application for Employment Authorization, për rinovim të EAD-ve, që do të merrte USCIS-i gjatë viteve të ardhshme, duke kontribuar kështu në përpjekjet e këtij shërbimi për të reduktuar kohët e shqyrtimit të kërkesave për leje punë si dhe numrin e kërkesave të prapambetura që janë grumbulluar. Megjithatë, nëse jonënshtetasi e ruan ose jo lejen për punësim, kjo varet nga statusi që ka, rrethanat dhe kategoria sipas të cilës ka bërë kërkesë për EAD. Për shembull, nëse dikush ka marrë një dokument EAD me afat maksimal vlefshmërie prej 5 vjetësh, nën kategorinë (c)(9), pra bazuar në një kërkesë për ndreqje të statusit, në pritje për shqyrtim, dhe kërkesa në fjalë nuk aprovohet, atëherë leja 5-vjeçare për punësim, mund të ndërpritet përpara datës së skadimit të shënuar në dokumentin përkatës (EAD).
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]