Osmani flet para KS të OKB-së për dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovë

Prishtinë, 19 tetor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën në mbrëmje, ka folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit (KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), për dhunimet seksuale të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Presidentja Osmani, në një postim në Twitter, ka bërë të ditur se në fjalën e saj është fokusuar në përvojën e Kosovës me trajtimin e viktimave të dhunës seksuale, në përpjekjet për të siguruar mbështetje të vazhdueshme për të mbijetuarit dhe për nevojën e vendosjes së drejtësisë për këtë dhe krimet tjera të luftës.

Presidentja Osmani, nëpërmjet një postimi në Facebook, e ka falënderuar Shqipërinë për nismën dhe për ftesën që të flasë para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesve të shumë shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesve të shoqërisë civile e mediave për njërën prej plagëve më të rënda të shoqërisë kosovare. Ajo ka falënderuar edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e nismës së Shqipërisë.

“Falënderoj Shqipërinë për nismën, si dhe për ftesën që të flas në emër të Republikës së Kosovës, duke i dhënë kështu zë mijëra të mbijetuarëve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. Mirënjohëse edhe Shteteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar si bashkërorganizatorë të kësaj seance”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Dhuna seksuale është përdorur si mjet lufte nga forcat e Serbisë në luftën e fundit në Kosovë, njëjtë sikur ka ndodhur edhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Në Kosovë është miratuar një ligj për mbështetjen financiare të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Organizatat e vendore e ndërkombëtare kanë realizuar programe të ndihmës psiko-sociale për viktimat e këtij lloji të krimeve të luftës, por pjesëmarrja e viktimave ka qenë shumë e vogël,  për shkak të perceptimit të gabuar të viktimave nga mendësia patriarkale.

Sipas organizatave që janë marrë me trajtimin e kësaj problematike, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kanë qenë mbi 20 mijë gra dhe burra. Por, shifra e saktë e viktimave mbetet e panjohur edhe sot e kësaj dite.

Deri më sot, nga Ligji për mbështetjen material të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka përfituar një numër shumë i vogël grash, por procesi i paraqitjes së rasteve dhe verifikimit të tyre është ende në vazhdim e sipër.

 (r.m.)