BE: Liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Shtetet individuale nuk mund të vendosin ta pezullojnë

Bruksel, 20 tetor 2023 – Bashkimi Evropian ka konfirmuar edhe një herë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

“Liberalizimi i vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Ai do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore. Komisioni kishte vlerësuar që nga korriku 2018 se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Kosova ka punuar vazhdimisht për të përmbushur standardet”, thuhet në një përgjigje për RTV Dukagjini.

Bashkimi Evropian ka thënë se shtetet individuale nuk mund të vendosin për pezullim të liberalizimit të vizave.

“Shtetet anëtare individuale nuk mund të vendosin të pezullojnë një regjim pa viza. Rregullat në lidhje me dhënien, pezullimin ose përfundimin e përjashtimeve të vizave janë plotësisht të harmonizuara në nivel të BE-së dhe kërkojnë vendime në nivel të BE-së”, thuhet në përgjigje.

Çështja e liberalizimit të vizave u riaktualizua të martën, gjatë vizitës së Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Tiranë.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, [ato çvizat] janë hequr, sepse ne mbajmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.

Ambasada e Francës në Kosovë shpjegoi se Presidenti Macron nuk ka folur për pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, por vizat i ka përmendur në kontekst të nevojës për të mbajtur premtimet e palëve se do të zbaojnë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, të hartuar në bazë të planit gjermano-francez.

Por, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha të enjten se presidentin francez, siç u shpreh, “nuk do të hapë rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë së planit franko-gjerman”.

(r.m.)