Presidentja Osmani i shpreh mirënjohje të thella deputetes britanike Alicia Kearns

Prishtinë, 21 tetor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të premten në takim deputeten e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, njëherësh kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.

Kabineti i Presidentes Osmani bën të ditur se në takim është diskutuar për situatën aktuale  në Kosovë, me theks në situatën e sigurisë pas sulmit terrorist të serbëve në pjesën veriore të Kosovës, më 24 shtator, i cili u cilësua si akt i agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.

“Presidentja Osmani e ka informuar deputeten britanike me sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe ka theksuar rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare për t’iu kundërvënë akteve të tilla terroriste dhe të agresionit në funksion jo vetëm të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, por edhe stabilitetit rajonal e më gjerë”, thuhet në njoftim.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, përderisa vazhdojnë hetimet nga partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndaj ka kërkuar që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Serbisë”, thuhet më tutje në njoftim.

Presidentja Osmani ia ka shprehur deputetes Kearns mirënjohjet më të thella të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e jashtëzakonshme për Kosovën, sidomos për paraljmërimin e rreziqeve me të cilat ballafaqohet Kosova, por edhe gjithë rajoni, nga aktet destabilizuese të Serbisë.

“Deputetja Alicia Kearns është një avokuese e shquar për Kosovën, ndaj ne presim që angazhimi i saj të jetë edhe më tutje në funksion të prezantimit të gjendjes reale këtu, duke u mbështetur në argumente e fakte, ashtu siç bën vazhdimisht ajo”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Deputetja Kearns, nga ana e saj, e ka falënderuar Presidenten Osmani për ftesën që ta vizitojë Kosovën dhe ka shprehur përkushtimin për të vazhduar mbështetjen e saj personale për Kosovën, si edhe përkushtimin e vendit të saj, Mbretërisë së Bashkuar, për të punuar ngushtë me të gjithë faktorrët ndërkombëtarë për paqe, stabilitet dhe prosperitet.

3

Deputetja e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, ka ngritur disa herë shqetësimin lidhur me aktet e dhunës dhe veeprriimet despabilizuese të Serbisë në Kosovë. Ajo ka ngritur alarmin për përfshirjen e klerit ortodoks serb në Kosovë në qëllimet subversive të Serbisë në Kosovë.

Zonja Kearns ka paralajmëruar se grupet terroriste serbe, prapa të cilave qëndron Beogradi zyrtar, po depozitonin armë në kishat dhe manastiret ortodokse serbe në Kosovë, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, të cilat do t’i përdornin për aneksimin e territoreve të Kosovës. Këtë paralajmërim ajo e ka përsëritur disa herë, para sulmit terrorist serb në Banjskë, më 24 shtator.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, i konteestoi paralajmërimet e zonjës Kearns. Por, ato u dëshmuan pas sulmit në Banjskë. Në ambientet e Manastirit të Basnjskës, ku u barrikaduan pjesëtarët e grupit paramilitar serb,  u gjetën dhe konfiskuan sasi të mëdha armësh më moderne të kalibrave të ndryshme, mjetesh e lëndësh shpërthyese dhe pajisjesh luftarake. 

Alicia Kearns e ka kritikuar Bashkimin Evropian për qëndrimin e ashpër ndaj Kosovës dhe për  “përkëdheljen” e Serbisë.

(r.m.)