Tiranë, 30 tetor 2023 – Instituti i Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike përuroi sot botimin e plotë në pesë vëllime “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”.
Për këtë botim punuan për disa vite 46 studiues nga Tirana, Prishtina, Tetova dhe diaspora.
Në këtë tubim të historianëve, mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili theksoi se historia na sjell mësime për të ndërtuar të sotmen dhe të ardhmen, duke shmangur përsëritjen e gabimeve.
Zoti Begaj tha se krahas formimit të identitetit të popullit shqiptar, historia sjell shumë mësime për të sotmen e tij, që gabimet e të shkuarës të mos përsëriten gjatë ndërtimit të së ardhmen.
Shkrimi i historisë pa komplekse, me fakte të plota, sidomos për gjysmën e dytë të shekullit 20, theksoi presidenti Begaj, ka rëndësi të veçantë për Shqipërinë.
“Kaluam një nga periudhat më të errëta, ku u deformua jo vetëm historia, por edhe vet shpirti i shqiptarëve. At Zef Pllumbi shkroi dikur në librin “Rrno vetëm për me tregue” se ne nuk duhet ta harrojmë çka nddhi, as ta minimizojmë, duke relativizuar të keqen. Ne duhet të sigurohemi që ajo e kaluar të mos përsëritet më, prandaj kujtesa është me mjaft rëndësi”, tha presidenti Begaj.
Historianët theksuan se sfida ishte studimi sistematik e profesional i historisë së shekullit të XX, e cila ka qenë më e deformuara nga ndërhyrja e politikës dhe nga ideologjia e regjimit komunist.
Ky botim sjell një pamje të plotë të zhvillimeve në shekullin e kaluar, thotë profesor Beqir Meta, si dhe shënon ndarjen e plotë me historiografinë e mëparshme të trashëguar nga regjimi komunist, për të gjithë etapat; prej nacionalizmit të fillim shekullit, Pavarësia, vitet 20, Mbretëria, Lufta e Dytë Botërore, regjimi komunist, rrëzimi i tij, dhe tranzicioni drejt demokracisë. Kosova është pjesë integrale e këtij studimi, theksoi ai.
“Veçanërisht për Kosovën janë analizuar mirë ngjarjet, faktorët dhe aktorët, si Komiteti i Kosovës, i cili është analizuar edhe në raport me shtetin shqiptar, siç nuk është bërë asnjëherë më parë. Po ashtu ngjarjet në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, administrata shtetërore që u vendos atje, apo sistemi arsimor që u krijua atje, mbrojtja e popullsisë civile nga forcat nacionaliste në një situatë të vështirë, ripushtimi i Kosovës, Në vëllimin e pestë përfshihet evolumi i statusit të Kosovës dhe dhuna serbe në Kosovë, pasojat e saj”, tha studiuesi Meta.
Folësit theksuan se e ardhmja europiane e Shqipërisë bazohet te vlerat më të mira të shqiptarëve, ndaj të vërtetat historike është me rëndësi që të hulumtohen me kujdes dhe të nxirren në dritë.
Studiuesi dhe drejtori i Institutit të Historisë në në Akademinë e Studimeve Albanologjike, profesor Afrim Krasniqi, tha se libri është fryt i një lirie të plotë akademike dhe se autorët kanë sjellë një botim me vlera të jashtëzakonshme shkencore, duke lënë mënjanë përpjekjet e politikës për të ndikuar mbi historiografinë.
“Botimi që sjellim nuk është dhe nuk imponon një Histori zyrtare të Shqipërisë. Nuk mund të ketë një Histori zyrtare të Shqipërisë. Ndoshta, dhe me siguri nuk është botimi shterrues e me siguri do të ketë botime të tjera në të tjera në të ardhmen. Por është një produkt shkencor dhe gjithmonë shkenca është e hapur për debat, për argumenta dhe burime të reja referuese, për qasje alternative dhe kjo është e mira për historinë në një shoqëri të hapur”, tha zoti Krasniqi.
Autorë të botimit “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX” janë një numër i madh studiuesish nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga diaspora.
Folësit theksuan se ata kanë punuar me përkushtim dhe profesionalizëm për disa vite mbi një mori burimesh arkivore serbe, bullgare, ruse, maqedone, amerikane, italiane, britanike, franceze, krahas arkivave dokumentare të vet Shqipërisë, të cilat kanë qenë të mbyllura e të pashfrytëzuara gjatë regjimit komunist.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)