Lajçak diskuton me liderët e opozitës në Kosovë për draft-statutin e Asociacionit

Prishtinë, 7 nëntor 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili ndodhet në një vizitë dyditore në Kosovë, do të takohet sot me liderët e opozitës, për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për çështje të tjera.

Lajçaku u takua dje me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi. Në një postim në rrjetin social X, ai shkroi se ai e Bislimi janë pajtuar për hapat e ardhshëm dhe për zbatimin e plotë, pa vonesa e parakushte, të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, Bislimi tha se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.

Nuk është konfirmuar ende nëse emisari i BE-së për dealogun do të takohet sot edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Miroslav Lajçak erdhi në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit me Kurtin dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 tetor, në Bruksel.

Ai, bashkë me liderët e Gjermanisë, Francës e Italisë dhe me zyrtarë të lartë të BE-së, takuan ndaras Kurtin e Vuçiqin. Pas takimeve, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, tha se të dy palët kishin parashtruar kushte për zbatimin e marrëveshjes.

Para këtyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin dhe palëve ua prezantuan një draft-statut të Asociacionin, ,përmbajtja e të cilit nuk është bërë publike.

Kurti ka thënë se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës.

Por, Serbia këmbëngul që Asociacioni të formohet sepas marrëveshjes që ishte nënshkruar në Bruksel, më 2013 e 2015, pa marrë parasysh opinionin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka gjetur mospërputhje më Kushtetutën e Kosovës në më se 23 pika të marrëveshjes.

(r.m.)