Prishtinë, 13 prill 2021 – Qeveria e Kosovës miratoi të martën një dokument që i hap rrugë hartimit të ligjit për konfiskimin e pasurive të pajustifikuara.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha pas mbledhjes së qeverisë se ky është hapi i duhur në çrrënjosjen e krimit të organizuar e korrupsionit që sipas saj po e mbajnë të pazhvilluar Kosovën.
“Me ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale i cili ka hyrë në fuqi para dy viteve ende nuk mund të them me siguri që i njëjti ka rritur të zbatohet ndaj të paktën një personi prandaj ka qenë edhe alarm për qeverinë tonë që menjëherë të adresojmë pengesat në këtë drejtim në mënyrë që të luftohet korrupsioni, të konfiskohet pasuria e pajustifikuar dhe t’i hapet rruga zhvillimit ekonomik të vendit”, tha ajo.
Zonja Haxhiu tha se po ashtu është hapur rruga për themelimin e një institucioni të përbërë nga profesionistët që do të ketë për mandat zbatimin e ligjit të ri.
“Koncept dokumenti adreson nevojën për rishqyrtimin e pasurisë së zyrtarëve të zgjedhur apo të emëruar pavarësisht pozicioneve apo mënyrës së zgjedhjeve të tyre por po ashtu len hapësirën që të hetohen për pasurinë e pajustifikueshme edhe qytetarët duke pasur parasysh faktin që konsiderohet që shumë prej zyrtarëve të cilët kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme e kanë lënë atë në emër të personave të tretë”, tha ajo.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se tash për tash nuk është koha e duhur për një ligj të tillë.
“Do të ishte një iniciativë jashtëzakonisht e qëlluar nëse do të kishim një sistem të drejtësisë të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë. Fatkeqësisht Kosova është tashmë e njohur që ka një sistem prokurorial e gjyqësor që nuk është në gjendje të ushtrojë kompetencat e përgjegjsitë në bazë të ligjit. Prandaj pa një proces të vetingut, pa pastrimin e sistemit të drejtësisë, në këtë fazë konsiderojmë që kjo nismë është ende e hershme”, tha ai.
Zoti Miftaraj thotë se ligji aktual është mjaftueshëm i mirë por problemi qëndron te moszbatimi i tij.
“Ajo që ka ndodhur në praktikë është se përkundëe faktit që kemi këtë kornizë ligjore mjaft të avancuar, fatkeqësisht nuk ka pasur guxim nga ana e prokurorisë por edhe gjykatave qoftë për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar apo dënuar këta persona. Kur ligjet që i kemi në letër nuk zbatohen, Kosova gjithmonë vije në pozitën që çdo qeveri e re të përpiqet t’i përmirësojë gabimet e të kaluarës duke bërë ligje”, tha ai.
Hulumtimet e ndryshme vazhdojnë të nxjerrin Kosovën si një nga vendet më të prekura nga shkalla e korrupsionit, ndërsa luftimi i kësja dukurie është një nga kushtet për përparimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Raporti i fundit i organizatës, Transparency International e radhiti Kosovën në vendin 90-të apo tri vende më poshtë se në vitin paraprak për shkallën e korrupsionit.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)