“Një komb, një gjuhë, një alfabet”

Ligjëratë mbajtur në Shkup për ditën e Alfabetit në emër të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë

Nga Vasil Sofokli Tole

Ne nderojmë sot Alfabetin Shqip dhe Kongresin e Manastirit përmes aktivitetit tradicional tashmë “Ditët e Alfabetit Shqip”, kushtuar kësaj ngjarjeje madhore për historinë e gjuhës dhe kombit tonë.

Ndër shekuj gjuha jonë, të cilën rilindësit e quanin me adhurim gjuhë hyjnore, gjuhë të perëndisë, ka qenë dhe është shpirti dhe thelbi i identitetit tonë kombëtar. Ne shqiptarët jemi një komb që na bashkon gjuha dhe trashëgimia kulturore e historike e lidhur me të, krahas përbërësve të tjerë, të njëjtë apo të ndryshëm qofshin, prandaj atdhetarë e dijetarë të ndritur, nga gjithë Shqipëria e diaspora, u ngritën mbi qasjet personale dhe punuan për atë që ata e quajtën “qëllim të shenjtë”: alfabetin e përbashkët.

Alfabeti i përbashkët dhe njësimi i gjuhës shqipes, përgjatë më shumë se një shekulli, mbetet një prej atyre zhvillimeve në të cilën çështja kombëtare fitoi mbi aspektet ideologjike, një zhvillim i rëndësishëm ky për rrugëtimin e gjuhës shqipe moderne në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e diasporë.

Kongresi i Manastirit jo vetëm zgjidhi problemin e një alfabeti të vetëm, por përmbylli një herë e mirë fazën e konkurimeve absurde të multi-alfabeteve, duke zgjedhur përfundimisht atë rrugë që kishin paraprirë klasikët e shkrimit shqip. Me plot gojën mund të pohojmë se Kongresit të Manastirit ia dimë për nder që i dha fund anarkisë së alfabeteve dhe vulosi latinitetin e shqipes së shkruar me një alfabet të vetëm, se nuk mund të ketë dy gjuhë shqipe.

Brenda kësaj arritjeje historike jo vetëm gjuhësore, por dhe kulturore e atdhetare, është mundi intelektual dhe projekti atdhetar i Naim Frashërit e Gjergj Fishtës, i shoqërive patriotike, klubeve, kongreseve e kuvendeve të Rilindjes Kombëtare, që ndërtuan shtet pa pasur ende shtet. Gjuha e njësuar shqipe është testamenti i pesë shekujve histori shkrimi të shqipes, i zhvillimit intelektual mbarëshqiptar, i pjekurisë shkencore e atdhetare të botës sonë. Kujdesi për zhvillimin, përparimin, mbrojtjen e fisnikërimin e saj është një detyrim kushtetues për ne, për studiuesit e institucioneve shkencore; është një çështje dinjiteti e përgjegjësie kombëtare për të gjithë folësit e saj, kudo që jetojnë.

Për ne shqiptarët rruga drejt një gjuhe të përbashkët nuk ka qenë një çështje thjesht teknike dhe as thjesht arsimore. Gjuha e përbashkët ka qenë faktori i vetëm që nuk pyeste e nuk përfillte as kufij e as dogana.  Shqiptarët nuk patën rrethana të favorshme historike për ta zgjidhur problemin e një gjuhe të njësuar, në shekullin e krijimit të shteteve-kombe, si shumë popuj të tjerë, afër dhe larg.

Kjo ngjarje kulmore në historinë tonë kombëtare, që vendosi për platformën e gjuhës së njësuar shqipe, ishte pjesë e një rrugëtimi plot sfida të kombit tonë prej Kongresit të Manastirit (1908), i cili hodhi themelet për unifikimin e alfabetit, Kongresit të Elbasanit (1909), që shtroi rrugën e zbatimit të vendimeve të Kongresit të Manastirit me hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit (1909) për arsimim të gjerë publik, si dhe vendimeve historike të Komisisë Letrare të Shkodrës, e cila për herë të parë hodhi hapa të rëndësishëm drejt një politike gjuhësore unifikuese në shërbim të gjuhës së njësuar, si kërkesë që përligjte dhe e bënte funksional unitetin politik të kombit.

Pas alfabetit, njësimi parimor i shqipes në Kongresin e Drejtshkrimit është gjithashtu një arritje e madhe intelektuale, që meriton nderim e mirënjohje. Njësimi i shqipes, përgjatë më shumë se një shekulli, mbetet një prej atyre zhvillimeve në të cilën aspekti kombëtar fitoi mbi atë ideologjik, një zhvillim i rëndësishëm për rrugëtimin e gjuhës shqipe moderne. Prandaj firmëtarëve të këtij kongresi u takon një mirënjohje për këtë. Jemi të një mendje me shkrimtarin tonë të shquar dhe akademikun Ismail Kadare kur thotë se: … kongresi është në vazhdim të një prirje të vjetër, gati shekullore, që gjuha shqipe, ashtu si gjuhët e tjera europiane, të shkojë drejt njësimit. Pra, është një aspiratë e vjetër, e natyrshme, në harmoni, e detyrueshme e një kulture. Në Shqipëri nuk u bë asgjë e jashtëzakonshme. Përkundrazi, u bë ajo që është bërë në të gjitha vendet europiane. Pra, Kongresi është një nga forumet që ka marrë pjesë në këtë gjë.

Nevoja për të realizuar një gjuhë standarde ka qenë po aq organike sa edhe nevoja për ngritjen e shtetit dhe të arsimimit kombëtar. Problemi i një shqipje të njësuar letrare u zgjidh praktikisht qysh me vendimet që u morën në Prishtinë në vitin 1968. Për atë periudhë është ndoshta rasti i vetëm që një propozim me ftesë për debat nga gjuhëtarët e Tiranës të kthehet menjëherë në rregull për zbatim nga gjuhëtarët në Prishtinë.

Është e vërtetë se standardizimi i një gjuhës shqipe përkon gjithmonë me një histori komplekse social-politike, që nënkupton një akt autoritar në vendosjen e një varianti mbi të tjerët. E megjithatë, standardizimi ndihmon në forcimin e identitetit të përbashkët gjuhësor e kombëtar, në një hapësirë gjithnjë e më të madhe folësish. Zhvillimi teknologjik, globalizimi dhe hapja ndaj kulturave dhe gjuhëve të tjera, komunikimi dhe ndërveprimi njerëzor, kanë marrë zhvillim si asnjëherë më parë, si në botën fizike dhe atë virtuale. Gjuha si organizëm i gjallë, nuk ka si të mos reflektojë zhvillimet e kohës. Ndaj, diskutimet janë shumë të mira. Ato tregojnë se kemi nevojë të kuvendojmë dhe se kjo është një punë që e kemi për zemër.

Në një botë, ku kulturat e mëdha po ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirat për kombe e kultura më të vogla, nevoja për pasurimin e gjuhës dhe mbrojtjen e saj nga huazimet e panevojshme është e madhe. Lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet t’i jepet përparësi në shkolla, në mënyrë që brezi i ri, jo vetëm të marrë njohuri të thella të gjuhës amtare, por të edukohet me krenari për gjuhën dhe kulturën, së cilës i përket. Veçanërisht diaspora duhet mbështetur me politika e programe të posaçme, sidomos të rinjtë të cilët duhet të rriten me vetëdijen se i përkasin të njëjtës botë shqiptare.

Puna për pasurimin e fjalorit të shqipes dhe përpilimin e fjalorëve, që pasqyrojnë ndërveprimin e saj me gjuhë të tjera, duhet të jetë parësore për akademikët dhe gjuhëtarët. Dialektet janë pasuri dhe pjesë e trungut origjinal të shqipes, të cilat i bëjnë nder gjuhës dhe e mbrojnë nga huazimet e panevojshme. Jo më pak e rëndësishme është nevoja për mbrojtjen e shqipes nga padija gjuhësore e mosrespektimi i rregullave të saj. Gjuhëtarët dhe shkrimtarët duhet të kthehen në pedagogë të zëshëm publikë. Detyra urgjente është ruajtja e pastërtisë së gjuhës shqipe, jo për të rënë në puritanizëm. Ruajtja e pastërtisë së një gjuhe është detyrë, është një gjë e shëndetshme në një gjuhë. Ne jemi të detyruar të ruajmë identitetin e gjuhës shqipe, e cila nuk ka nevojë të mbulohet nga një mori fjalësh të huaja të panevojshme. Siç është pohuar me të drejtë: … gjuha shqipe është një makinë e mrekullueshme e të shprehurit, një nga makinat më të përsosura të Europës, nga ana e mundësive të shprehjes. Ruajtja e pastërtisë së gjuhës që shoqërohet me procesin e pasurimit tregon mjeshtërinë e lartë dhe moralitetin e një kulture.

Sa më të gjerë kufijtë e gjuhës, aq më të gjerë dimensionet e mendimit dhe shprehjes së një njeriu dhe të kombit. Shqipja është bota jonë – një botë që pret ta eksplorojmë dhe pasurojmë bashkërisht, se ne jemi “Një komb, një gjuhë, një alfabet”.

Dhe për ta përjetësuar rëndësinë e alfabetit të shqipes, Akademia e Shkencave ka marrë nismën për të propozuar datën 22 nëntor si “festë zyrtare” në Republikën e Shqipërisë.

Rroftë Gjuha Shqipe, rroftë Alfabeti Shqip!

Faleminderit!