Dimensionet historike e politike të Qendrës Përkujtimore “Bllaca 99”

Nga Mehmet PRISHTINA

Në brezin ndërkufitar Kosovë-Maqedoni të shtunën u  inaugurua Qendra Përkujtimore “Bllaca 99”, në kuadër të së cilës janë të integruar Muri i Kujtesës dhe Parku “Hasan Prishtina”.

Kjo Qendër përkujtimore ngërthen në vete semantikën e vuajtjeve  të shqiptarëve si pasojë e dëbimeve dhe veprimeve gjenocidale të pushtuesve grabitçarë. Të kujtosh të kaluarën nuk mjafton, nëse nuk i shtojmë edhe segmentin e institucionalizimit të së djeshmes në emër të vrojtimit të së ardhmes. Pikërisht kjo Qendër përkujtimore që po inaugurohet sot ka për synim rivendosjen e sensit të vlerësimit profesional të ngjarjeve nga e kaluara që kanë qenë gurë kilometrikë në zhvillimin e proceseve historike.

Bllaca e vitit 1999 i dha një dimension krejt tjetër zhvillimit të ngjarjeve, sepse lumi i gjatë i njerëzve që po iknin nga vatrat e tyre stërgjyshore po derdhej në pellgun e thellë të ndërgjegjes njerëzore. Trenat e stërmbushur me të dëbuar kosovarë, ishin alarmi i fundit që aktivizoi zërin e arsyes në shumë kancelari botërore, përfshi edhe Shtëpinë e Bardhë në Washington. Ish presidenti amerikan Bil Klinton, sipas dëshmive të disa autorëve, i cili kishte qenë i tronditur nga pamjet me trena që bartnin vaje fëmijësh, pleqsh, grash  të rraskapitur nga dhimbja e përzënies nga shtëpitë e tyre.

Të gjitha këto pamje rrëqethëse që kishin ndodhur menjëherë pas fillimit të bombardimeve të NATOs mbi sistemin militarist të Serbisë, sikur legjitimonin vendimin e drejtë për këtë ndërhyrje dhe kjo iu jepte edhe më tepër argumente diplomatëve dhe ushtarakëve të Perëndimit që aksionin e tyre ta intensifikojnë deri në momentin kur këta të dëbuar do të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Kështu edhe ndodhi. Pas kapitullimit të Serbisë që erdhi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999, bashkë me forcat tokësore të NATO-s, nëpër rrugët e Kosovës, vërshuan edhe të gjithë ata që deri dje ishin strehuar në Maqedoni dhe Shqipëri. Një pjese e tyre ishte degdisur edhe nëpër vende të largëta, disa prej të cilëve ishin kthyer pas pak muajsh kurse disa të tjerë ende ndodhen atje, sidomos në Evropë, Amerikë, Kanada, Australi etj.

Bashkë me dramën e dëbimit, që pati përmasa tepër shqetësuese në muajt mars, prill, maj të 1999-tës, kanosej një tragjedi tjetër edhe më e madhe. Disa vite para se të ndodhte Bllaca dhe dëbimi masiv i shqiptarëve të Kosovës nga vatrat e tyre, në Shkup ishte ideuar një plan famëkeq i quajtur “Korridori”. Autor i atij plani ishte ish-presidenti maqedonas Kiro Gligorov, i cili si dukej ishte në dijeni mbi planet fashiste serbe ( siç ishte projekti “Patkoi”) që po përgatiteshin në Kosovë dhe për këtë arsye ai e kishte menduar  “Korridorin”, si projekt monstruoz i cili parashihte evakuimin e popullatës së dëbuar kosovare nëpër territorin e Maqedonisë, duke i lënë ata të “lirë” të shkonin në vendet e treta, për t’i pamundësuar që të qëndrojnë afër në rast të kthimit eventual nëpër shtëpitë e tyre.

Por ky plan djallëzor dështoi falë organizimit dhe menaxhimit të situatës nga ana shqiptarëve në Maqedoni, të cilët nuk lejuan që vëllezërit nga Kosova të shpërndaheshin nëpër botë. Duke ofruar mikpritje të ngrohtë, ata hapën zemrat dhe shtëpitë e tyre, ofruan gjithçka që patën dhe iu bënë ballë projekteve pansllaviste për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore.

Ky qëndrim i shqiptarëve nga Maqedonia në vitin 1999 ta kujton një situatë të ngjashme që kishte ndodhur gjatë viteve të vështira në kohën e luftërave ballkanike deri te Lufta e Parë Botërore. Edhe atëherë shqiptarët ishin në shënjestër të planeve gjenocidale në kuadër të luftërave pushuese të serbëve e të tjerëve që ishin zhvilluar në viset shqiptare.

Në pranverën e vitit 1914 serbët kishin  intensifikuar ofensivat e tyre në Kosovë dhe në viset tjera të banuara me shqiptarë. Kjo kishte prodhuar një gjendje të papërballueshme në terren ku popullata civile  ishte e detyruar të largohej nga vatrat e tyre për t’i shpëtuar shfarosjes fizike.

Në këtë periudhë kohore Hasan Prishtina ishte anëtar i Kabinetit qeveritar të Turhan Pasha Përmetit, në cilësinë e ministrit të Drejtësisë dhe u mor drejtpërdrejt me  zgjidhjen e çështjes së refugjatëve nga Kosova, të cilët po përjetonin mizoritë çnjerëzore të soldateskës serbe. Ai kishte hartuar një plan  konkret aksional që ia kishte dorëzuar qeverisë dhe Heinrich Löwenthal, ambasadorit Austro-Hungarez në Durrës, duke propozuar që refugjatët të sistemohen në Shqipëri në mënyrë që të mos largohen në vendet e largëta, sidomos në shkretëtirat e Anadollit.

Sipas Hasan Prishtinës nëse lejohej largimi i shqiptarëve në këto përmasa të frikshme, kjo do të ishte një tragjedi e vërtetë për Kosovën, sepse ajo do të zbrazej dhe kështu do të realizoheshin synimet serbomëdha për një “Kosovë të pastër pa shqiptarë”.

Por shpërthimi i Luftës së Parë Botërore pamundësoi realizimin e këtij plani, ndërkohë që edhe dëshira e shqiptarëve për të emigruar nga Kosova u dobësua.

Jo pa arsye është thënë se historia përsëritet. Tani kur po e inaugurojmë Qendrën përkujtimore “Bllaca 99”, në kuadër të së cilës ndodhen Muri i Kujtesës dhe Parku “Hasan Prishtina” , na kujtohen ato momente dramatike që ndërlidhen me qenien shqiptare dhe përpjekjet për të refuzuar planet djallëzore që synonin pastrimin e Kosovës nga elementi shqiptar.

Dikur Hasan Prishtina ishte strateg i atyre përpjekjeve dhe mbetet të studiohet politikisht e shkencërisht doktrina e tij, e cila jo rrallë është përdorur edhe për nevoja elektorale të politikanëve. Është mirë që Hasan Prishtina edhe sot paraqet burim frymëzimi, por kjo nuk do të mjaftonte nëse emri i tij lakohet vetëm nëpër fushata zgjedhore. Hasanizmi si kauzë dhe si frymë duhet të mbajë gjallë gjeneratat e reja me energji dhe vizion, si dhe duhet të ushqejë me dinamizëm politikën shtetërore e institucionale, duke iu referuar pikërisht porosive të këtij vigani të mendimit dhe veprimit politik shqiptar.

Prishtinë, 10 prill, 2021