Shqipëria kualifikohet për Kampionatin Europian 2024

Kishinau, 17 nëntor 2023 – Ekipi kombëtar i Shqipërisë u kualifikua për fazën finale të Kampionatit Europian të futbollit që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria kualifikohet në mesin e ekipeve që do të luftojnë për kupën e Evropës.

Shqipëria luajti baras, 1 me 1, me Moldavinë, në ndeshjen e parafundit të fazës kualifikuese që u zhvillua në Kishinau.

Shqipëria avancoi në e minutën 25-të, me golin e Cikalleshit, nga penalltia që u shkaktua në zonën e 16 metërshit ndaj Seferit, kurse Moldavia barazoi në minutën e 88-të, nga Baboglo, i  cili e shfrytëzoi një pasiguri në zonën e portierit Berisha dhe shënoi nga afërsia.

Kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë, duke qenë se Moldavia do të ruante gjasat që të kualifikohet për fazën finale të Kampionatit Evropian vetëm me fitore, ndërsa për Shqipërinë mjaftonte barazimi që të siguronte finalet europiane, ndonëse ka përpara edhe një ndeshje, me Ishujt Faroe, në Tiranë.

Deri në shënimin e golit, ekipi i Shqipërisë e dominoi plotësisht kundërshtarin, madje duke e kontrolluar lojën deri në 65 për qind të kohës. Por, pas disavantazhit ekipi moldav përqendroi të gjitha forcat në përpjekjet për të shënuar. E megjithatë futbollistët shqiptarë qrritën të përballojnë me sukses sulmet e kundërshtarëve.

Meritat kryesore për plasimin e kombëtares shqiptare në Euro 2024, pa dyshim, i ka trajneri Brazilian Silvinjo, i cili arriti të krijojë një ekip shumë homogjen nga një ekip të shpartalluar që e gjeti nga parardhësit e tij. Mbi të gjitha, ai arriti të krijojë një atmosferë të shkëlqyeshme në ekip, të kthejë besimin në cilësinë e ekipit dhe t’i motivojë lojtarët.

Shqipëria, nën drejtimin e Silvinjos, arriti t’i kapërcejë edhe dy kombëtaret që konsideroheshin favorite- të Polonisë dhe të Republikës Çeke.

(r.m.)