Prishtinë, 19 nëntor 2023 – Lumir Abdixhiku është rizgjedhdhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) edhe për katër vjet. Zgjedhja e tij është bërë në Kuvendin e dhjetë të partisë që është mbajtur të dielën në Prishtinë.
Abdixhiku është zgjedhur me votim të hapur dhe pa asnjë kundërkandidat, pasi kandidatura e Faton Bislimit nuk është aprovuar nga Kryesia e punës së Kuvendit, me arsyetim seajo ishte “jostatutare”. Bislimit nuk i është dhënë as fjala, prandaj ai e ka braktisur sallën, në shenjë pakënaqësie
Bislimi e ka quajtur antistatutar përjashëtimin e kandidaturës së tij për kryetar të partisë. Ai ka thënë se ky veprim bie ndesh me filozofinë politike të udhëheqësit historik të saj e të Kosovës, Ibrahim Rugova, në emrin e të cilit vazhdojnë të thirren udhëheqësit e LDK-së edhe sot e kësaj dite.
“Nuk ka rugovizëm më të madh se urtësia e përbashkimit, se ofrimi i mundësive e inkluziviteti dhe jo përjashtimi, jo kuvende që konfirmojnë e nuk zgjedhin. Zgjedhja konfirmon ballafaqim. Festa e LDK-së do të ishte më madhështore sikur në Kuvend do të debatonim edhe unë, edhe Abdixhiku”, ka thënë Bislimi.
Pas zgjedhjes, Abdixhiku ka thënë se mandatin e kryetarit të LDK-së do ta ushtrojë, siç është shprehur, “me sjellje rugoviste”. Sipas tij, LDK-ja ka shënuar një “ringritje të madhe”.
“Së bashku kemi arritur ta bëjmë rrugën e ringritjes sonë të madhe, atë që e kërkonim të gjithë, atë që besonim se do ta gjenim të gjithë. E gjetëm sepse kemi ecur drejt, na gjeti sepse kemi ecur mbarë”, kathënë ai.
Abdixhiku i ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, duke i cilësuar si “populistë” që po e dëmtojnë Kosovën.
Punimet e Kuvendit të LDK-së i ka përshëndetur eurodeputeti austriak Lukas Mandl. Ai ka thënë se LDK-ja është partia që u nevojitet qytetarëve të Kosovës.
“LDK-ja e Abdixhikut di si të bëjë miq, dhe janë ata që i duhen Kosovës”, ka theksuar Mandl.
(r.m.)