Treguar nga vetë ai, 20 vjet më parë, gjatë një bisede me autorin Vehbi Bajrami, të botuar fillimisht në gazetën “Illyria” në 2003 dhe pastaj në librin “Shqiptarët e Amerikës”
I përjetshëm qoftë kujtimi i atdhetarit dhe mikut të gazetës “Illyria”, Ukë Gjonbalaj
“Merr “Met”-in se shpërblehesh…”
Bisedë me Ukë Gjonbalajn, menaxher në kompaninë “MetLife” në Astoria (New York)
Nga Vehbi Bajrami
Ukë Gjonbalaj u lind në Vuthaj më 1961. Fakultetin ekonomik e kreu në Prishtinë. Magjistroi në Universitetin e Zagrebit më 1996, në degën e tregtisë së jashtme. Punoi dy vjet e gjysmë në kompaninë tregtare “Agrokosova Commerc”, në sektorin e eksport – importit. Në janar 1991 largohet nga puna prej organeve të dhunshme serbe dhe emi- gron në Amerikë. Më 1995 punësohet në kompaninë e madhe të sigurimeve “MetLife” në New York. Tri vjet më vonë emërohet menaxher për rekrutimin e punëtorëve të rinj në kompani.
Në janar 2003 emërohet drejtor i firmës në Astoria të Queens-it. Është nderuar me çmimin “National Quality Award”, nga Entet e Industrisë Kombëtare Amerikane “NAIFA”, për etikë dhe profesionalizëm në punë, si dhe me shumë shpërblime nga kompania ku punon. Në “MetLife” ai ka punësuar edhe shqiptarë të tjerë.
Uka jeton në New York. Është i martuar me Sebahaten dhe ka dy fëmijë: Hartinin dhe Lorikun.
Pyetje: Në fillim, do të dëshironim të njiheshim shkurtimisht me kompaninë “MetLife” ku punoni.
Përgjigje: “MetLife” është një nga dy shoqëritë më të mëdha të sigurimeve në SHBA. Fillimisht ajo ka qenë vetëm kompani e sigurimit të jetës. Sot ajo mbulon të gjitha llojet e sigurimeve: për biznese, individë e për familje. Ajo bën sigurime të jetës, pasurisë, sigurime për pensione të të gjitha niveleve, investime të ndryshme, qoftë për shkollim të fëmijëve etj. Nga viti 2000 ajo u shndërrua në kompani publike. “MetLife” mund të bëjë stoqe dhe bonde në bursë. Ajo ofron çdo gjë për gjithkënd. Në fushën e sigurimit të jetës është më e madhja në botë. Sot ka në “forcë” 2, 1 trilion sigurime të jetës. Ka mbi 30 milionë punëtorë amerikanë të siguruar në forma të ndryshme dhe mbi 11 milionë klientë individualë. Nga 100 kompanitë më të mëdha amerikane, 88 janë të siguruara nga “MetLife”. Moto e saj është “Get Met It Pays” (Merr Met-in se shpërblehesh).
Pyetje: Si u inkuadruat në këtë punë?
Përgjigje: Unë kisha marrë pjesë në seminaret e punësimit që organizonte kjo kompani dhe një ditë vendosa që të kërkoj punë këtu. Kompania ka pasur dhe ka interes që të punësojë individë të përkatësive të ndryshme etnike. Personi që më intervistoi ishte në dijeni për numrin e madh të shqiptarëve në New York. Siç më tha ai, kishte nevojë për një shqiptar që do të tërhiqte bashkëkombasit e vet si klientë në këtë kompani.
Natyrisht, unë kisha një farë përvoje në këtë lëmë qysh kur isha në Kosovë, kështu që nuk e pata vështirë të ambientohesha në këtë profesion. Që në ditët e para, kisha dëshirë që të punësoj këtu sa më shumë shqiptarë. Kjo nuk ishte e lehtë, sepse jemi një popull i vogël e nuk kemi shumë miq. Ndryshe është puna me komu-nitetet e mëdha, si rusët, kinezët etj. Megjithatë, numri i shqiptarëve në kompani erdhi duke u rritur vazhdimisht dhe sot këtu punojmë mbi dhjetë shqiptarë, në të njejtën zyrë.
Pyetje: Sa i janë afruar klientët shqiptarë kompanisë “MetLife”?
Përgjigje: Shqiptarët në Amerikë emigrojnë kryesisht për arsye sigurie, qoftë kjo fizike, politike, ekonomike apo personale. Por, mundësinë konkrete, të institu- cionalizuar të sigurimit financiar e shohin si diçka të huaj dhe jo si një mundësi të madhe apo dhe domosdoshmëri. Është kjo arsyeja që komuniteti ynë ka një nivel të ulët të integrimit në mekanizmat përfitues të kapitalit amerikan. Ndryshe nga modeli evropian që njohin shqiptarët, këtu në SHBA marrin vetëm atë që investojnë. Shuma që ofrohet nga mekanizmi i Sigurisë Sociale këtu është aq modeste sa që nuk mundëson jetesë normale. Për më keq, ne nuk kemi nxjerrë mësim as prej fatkeqësive që kanë ndodhur. Shumë familje shqiptare, me fëmijë të mitur kanë ngelur në mes të katër rrugëve kur kanë humbur papritur kryefamiljarin që ka qenë i vetmi i punësuar, dukuri kjo që haset shumë shpesh në shoqërinë shqiptare. Sigurimi i jetës tashmë ka hyrë në kulturën e jetës së vendeve perëndimore dhe shqiptarët nuk ka pse ta injorojnë. Këshilla ime është që në Amerikë duhet jetuar sipas standardeve të vendit.
Shqiptarët duhet të shkojnë në një hap me botën tjetër dhe të shqetësohen për tri gjëra: të jenë të mbrojtur financiarisht, t’i edukojnë fëmijët dhe të mendojnë për pleqëri që moshë të re, në mënyrë që në saje të pensionit të siguruar nga kompania jonë apo të ngjashme si ajo, të mund të jetojnë të pavarur. Ata duhet të kujdesen me kohë për një pleqëri të rehatshme, pikërisht në saje të kursimeve për pensionim.
Pyetje: Sa shqiptarë janë të siguruar nga kompania “MetLife”?
Përgjigje: Nëse kemi parasysh numrin aq të madh të shqiptarëve në New York, New Jersey e Connecticut, sigurimi i tyre në këtë kompani për fat të keq është shumë i vogël. Megjithatë, brezi i parë i shqiptarëve të lindur në Amerikë, e kupton më mirë rëndësinë e sigurimeve dhe, në shumicën e rasteve, ata i këshillojnë edhe prindërit e tyre që të mendojnë për të ardhmen.
Pyetje: Pse janë të siguruar kaq pak shqiptarë nga “MetLife”?
Përgjigje: Kjo ndodh sepse shqiptarët nuk kanë traditë për sigurimet e jetës në vendet prej nga vijnë. Atje ata ndofta as që kanë dëgjuar për sigurimet si këto. Një pjesë e madhe e tyre kanë menduar se do të qëndrojnë përkohësisht në mërgim dhe nuk kanë bërë përpjekje që të integrohen në jetën amerikane. Në komunitetin tonë kanë munguar edhe mjetet e informimit që do t’i bënin të njohura me programe të tilla. I vetmi mjet apo dritare e informimit për mërgimtarët tanë ka qenë dhe mbetet Gazeta “Illyria”. Ka ndikuar për të keq në këtë drejtim edhe mosnjohja e gjuhës.
Pyetje: Çfarë përfitojnë konkretisht klientët nga kompania juaj?
Përgjigje: Klientët tanë përfitojnë në radhë të parë qetësi shpirtërore. Kur ata janë të siguruar nga “MetLife” e kanë jetën më të rehatshme e me më pak strese, aq më e domosdoshme në një qytet jashtëzakon- isht dinamik e me sfida të mëdha siç është New York- u. Sigurimi i jetës ka të bëjë me përfitimin financiar në rast të humbjes së jetës së ndonjërit nga prindërit e sig- uruar. Në rast se ndodh një fatkeqësi e tillë, familja merr mijëra apo edhe miliona dollarë, varësisht nga shuma e siguruar.
Një lloj sigurimi tjetër që shqiptarët e njohin shumë pak është ajo që lidhet me pasurinë e patundshme. Është fjala për procesin e kalimit të pronësisë, nga një brez në tjetrin, prej prindërit te fëmi- ja, në rast vdekjeje. Në këtë rast pasuria kalon nëpër të ashtuqujturën “taksë e pronësisë”, apo, siç e quajnë amerikanët, “taksë e vdekjes”. Në rast se nuk është menduar me kohë për sigurimin e mjeteve për pagimin e kësaj takse, që zakonisht bëhet me sigurim jete, e tërë pasuria rrezikohet të humbë. Pagimi i kësaj takse duhet të bëhet brenda gjashtë muajve nga dita e vdekjes. Për sa i përket sigurimit të shkollimit të fëmijëve, kohët e fundit shqiptarët kanë filluar t’i kushtojnë rëndësinë e duhur. Vitin e kaluar, në gjithë Amerikën, u aprovua një model i ri i investimit për shkollim të fëmijëve i quajtur “Plani i kursimit 529” që mundëson rritjen e parave, pa pagesë takse. Në Amerikë ke të drejtë t’i falësh fëmijës deri në 11 mijë dollarë në vit dhe në këtë rast kjo shumë rritet pa pagesë takse. Tërheqja e par- ave për shkollim, në shumicën e shteteve amerikane, është liruar nga taksat federale e, në disa shtete, edhe nga vetë taksa e qytetit apo e shtetit.
Sigurimet shëndetësore dhe të invalidëve po ashtu janë shumë të rëndësishme në kohën tonë kur njerëzimi ballafaqohet me shumë sëmundje e aksidente të ndryshme.
Pyetje: Po në fushën e investimeve çka përfitojnë klientët në “MetLife”?
Pëgjigje: Zakonisht shqiptarët kanë qenë të prirur në investime të pasurisë së patundshme si banesa, lokale shërbimi etj., ku ç’është e vërteta, kanë arritur suksese të mëdha. Investimet në stoqe dhe në bursë, deri vonë, kanë qenë të huaja për ta.
Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së përvojës dhe frikës së humbjes së parave të investuara. Vitet e fundit, edhe në këtë fushë shqiptarët kanë filluar të investojnë nga që e kanë kuptuar se tregu financiar, vërtet ka rreziqe por, në aspektin afatgjatë, përfitimet nuk mund të krahasohen me asnjë investim tjetër. Klientët në “MetLife” përfitojnë nga shumëllojshmëria e fondeve që ofrohen në “ombrellën” e kompanisë, duke filluar nga bondet, indekset, siç është “S&P 500”, “Rusell 2000”, kompanitë nga më të ndryshmet të quajtura “mutual funds”, stoqet ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, nga tradita shumëv- jeçare e kompanisë në këtë fushë, prestigji i saj, emri i mirë që ruan që nga viti 1868 kur është themeluar.
Pyetje: Po për pensionimin, çka përfitojnë klientët?
Përgjigje: Për shqiptaro – amerikanët, numri më i madh i të cilëve punojnë për firma të vogla, të cilat nuk janë në gjendje të ofrojnë asnjë përfitim, domosdoshmëria e hapjes së një plani pensionimi duhet të bëhet alarmant, posaçërisht kur në planet që kanë limite të caktuara kohore.
Kursimet në këtë plan lirohen nga taksat dhe, në shumë raste, mjetet e depozituara hiqen nga të ardhurat vjetore, nëse klienti kualifikohet. Shqiptarët kanë filluar ta kuptojnë se sigurimi social ofron vetëm një pjesë minimale të kursimeve për pension.
Pyetje: Ku është vendosur zyra juaj?
Përgjigje: Për të qenë sa më afër tregut shqiptaro – amerikan, unë bëra një kërkesë në komapni që të hapet një zyrë e veçantë në Astoria të New York-ut, një zonë kjo ku banojnë shumë shqiptarë. Kjo zyrë do të ndihmojë komunitetin tonë sikurse e ka ndihmuar edhe në të kaluarën, për veprimtari kulturore. Kur kam pasur kontakte me drejtuesit e kompanisë, kam kërkuar që të hapen përfaqësitë tona edhe në Tiranë e Prishtinë. Mirëpo, për shkak të pasigurisë politike e ekonomike në Ballkan, deri më tani “MetLife” nuk ka treguar ndonjë interes të posaçëm.
Pyetje: Ju jeni marrë aktivisht edhe me aktivitete të ndryshme në komunitet. Cilat kanë qenë ato?
Përgjigje: Interesimi im për çështjen kombëtare e veçanërisht për atë të Kosovës, ka qenë një nga prioritetet kryesore të jetës sime në mërgim. Si intelektual i gjeneratës së re, këtë e kam ndier si detyrim e përgjegjësi morale. Unë nuk jam preokupuar shumë se cila parti është në pushtet atje. Për mua ka qenë e rëndësishme që si individ të ndihmoj për çështjen shqiptare, në Washington e New York. Si shumë bashkatdhetarë të tjerë, kam marrë pjesë në demonstrata e kam ndihmuar financiarisht për të siguruar mbështetjen e senatorëve e kongresistëve etj. Në konferenca të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, ku kam përfaqësuar kompaninë, kam theksuar çdoherë përkatësinë time kombëtare me qëllim që të bëj sa më shumë miq – dashamirës për atdheun tonë. Dhe në këtë drejtim kam pasur mjaft sukses. Sot kam shumë miq në gjithë kontinentin e ri të cilët kanë respekt e simpati për shqiptarët.
Ata çmojnë veçanërisht Nënë Terezen, figura më e madhe humanitare e botës në këtë shekull. Kur të tjerët më pyesin se i çfarë kombësie jam, unë u përgjigjem me krenari: nga atdheu i Nënë Terezës. Kam pasur takime me senatorë e kongresistë të njohur me të cilët kam shkëmbyer ide se si mund të ndihmohej Kosova. Kam pasur fat që u njoha e bashkëpunova me shumë aktivistë të komunitetit, të cilëve një ditë historia do t’ua njohë meritat. Veçanërisht më kanë frymëzuar disa nacionalistë të vjetër shqiptarë. Ata na këshillonin që të punojmë natë e ditë, siç thonin ata, se vetëm Amerika është shpëtimi i shqiptarëve. Ne i kuptuam drejt këto këshilla dhe punuam me Amerikën për t’u arritur liria e Kosovës. Gjatë luftës së Kosovës kam marrë pjesë në disa emisione televizive që i kushtoheshin kësaj ngjarjeje. Isha mysafir i programit shumë të ndjekur “Night Line”, të kanalit “ABC”, të cilin e drejton gazetari i njohur, Ted Koppel. Pyetjes se “kush është fajtor për ngjarjet në Kosovë”, unë iu përgjigja: “Nuk është fajtor vetëm Millosheviqi, por edhe populli serb që e ka përkrahur politikën e tij”.
Pyetje: Në SHBA sot veprojnë shumë shoqata e parti politike. Si është organizimi i tyre?
Përgjigje: Për arsye personale, asnjëherë nuk kam qenë anëtar i ndonjë partie apo shoqate. Kam mendimin se partitë politike në emigrim vetëm se i ndajnë shqiptarët në pole të ndryshme. Ndërsa shoqatat zakonisht merren me probleme krahinore e jo me problemet madhore të kombit, siç ka qenë dhe mbetet ideali im. Edhe pse jemi një komunitet mjaft i madh, nuk jemi të organizuar sa duhet si kombet tjera që kanë vetëm një lob të fuqishëm rreth të cilit mblidhen të gjithë. Është për të ardhur keq që komuniteti ynë reagon vetëm në situata krize. Tani duhet punuar më tepër se çdoherë për çështjen e Kosovës. Shumë shqiptarë thonë se ky problem ka përfunduar dhe janë tërhequr nga çdo lloj aktiviteti. Thënë thjesht, ne nuk veprojmë si komunitet me një paltformë të përbashkët dhe afatgjate, të koordinuar me politikën zyrtare shqiptare në vendin amë apo dhe jashtë saj. Liderët tanë politikë, jo vetëm që nuk çmojnë punën tonë, por shpesh kanë prirje për të na injoruar, ndonëse ato veprimtari i bëjmë me aq shumë sakrifica dhe peripeci, duke harxhuar jo vetëm kohë por dhe mjete të mëdha financiare.
Pyetje: Cilët janë personalitetet shqiptare që kanë kontribuar më shumë për çështjen kombëtare, që nga koha kur keni emigruar në Amerikë?
Përgjigje: Me këtë rast do të theksoj se Liga Qytetare Shqiptaro – Amerikane, e udhëhequr nga ish kongresisti Joseph DioGuardi, i hapi të gjitha portat e rëndësishme të shtetit e të politikës amerikane, duke i bërë miq të shqiptarëve personalitetet më të shquara të këtij vendi si, ish senatorin Bobe Dole, kongresistët Tom Lantos, Benjamin Gilman, Eliot Engel dhe kohët e fundit, senatorin Joseph Biden si dhe kongresistin Henry Hyde.
Pyetje: Pse shqiptaro – amerikanët nuk kanë investuar sa duhet as në Shqipëri e as në Kosovë?
Përgjigje: Mundësia e investimeve në Kosovë nuk është akoma e sigurtë për shkak se ajo gjendet në pro- tektorat ndërkombëtar. Po kështu edhe në Shqipëri vazhdon një pasiguri qoftë në sistemin bankar, ashtu edhe në lëvizjen e lirë të kapitalit të njerëzve e të mallit. Kam shpresë se rrethanat do të ndryshojnë dhe shqip- tarët e Amerikës me siguri do të investojnë në atdheun e tyre, sikurse bëjnë gjithë komunitetet e tjera.
Pyetje: Si e shihni ardhmërinë e shqiptarëve në Ballkan?
Përgjigje: Vendet e këtij rajoni, dashur ose pa dashur, do të integrohen në Evropën e bashkuar. Popujt që jetojnë atje duhet ta kenë të qartë se ka kaluar koha e urrejtjes, e pretendimeve territoriale dhe e uzurpimit të lirive të të tjerëve. Ata duhet të jetojnë të lirë, të bashkëpunojnë në sferën ekonomike, tregtare, turistike e kulturore dhe, ajo që është më kryesorja, të merren më tepër me të ardhmen. Shqiptarët e Kosovës dhe liderët e tyre politikë duhet të punojnë me përkushtim për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ata do të kenë për këtë përkrahjen e diasporës, si deri më tani. Shqipëria duhet të bëhet faktori më i rëndësishëm për të ndihmuar të gjithë shqiptarët në Ballkan. Pa një Shqipëri të fortë me stabilitet politik e me një ekonomi të zhvilluar, këto procese do të ngadalësohen, gjë që do të jetë një humbje për gjithë shqiptarët. Mua më brengos shumë braktisja e Shqipërisë nga intelektualët për të cilët vendi ka nevojë më tepër se kurrë. Për këtë fajësoj politikën zyrtare shqiptare. Mendoj se është e pashpjegueshme që një vend kaq i bukur si Shqipëria, me të gjitha pasuritë natyrore, me një pozitë gjeostrategjike aq të volitshme, të kalojë nëpër këtë proces aq të vështirë ekonomik e politik sa që banorët e saj të lënë vendin e të emigrojnë në shtete të tjera të botës. Kjo është me të vërtetë tragjike. Çfarë shprese do të kenë brezat e rinj kur shohin prindërit e pedagogët e tyre duke braktisur vendin?
Pyetje: Si e ndieni veten larg vendlindjes dhe çka ju bën të lumtur në këtë vend?
Përgjigje: Këtu mundësitë finaciare dhe komoditeti nuk mungojnë, por mungojnë shokët, të afërmit dhe ajo që është më kryesore, qetësia shpirtërore. Ajo që më kënaq më së tepërmi dhe që më bën ta ndiej veten kre- nar është kur ndihmoj një shqiptar, kur takoj një mik e kur dëgjoj lajme të mira nga atdheu. Ata që jetojnë në vendlindje duhet ta kuptojnë se Amerika nuk është ai vendi i ëndrrimeve siç i kanë lexuar në gazeta apo i kanë dëgjuar në radio e televizion. Këtu punohet aq shumë, sa që nuk ke kohë për të shijuar kënaqësitë e tjera të jetës. Lumturinë që ta jep vendi yt, nuk ta jep asnjë vend tjetër në botë.
Pyetje: A do të ktheheni në vendlindje?
Përgjigje: Unë jetoj këtu fizikisht, por me mendje jam çdoherë atje. Sa më gjatë që njeriu jeton në këtë vend, aq më tepër integrohet në jetën amerikane. A do të kthehem atje? Shpresoj se po. Ëndrra ime është që përvojën e fituar në Amerikë ta vë në shërbim të popullit tim. Mirupafshim në Kosovë…
Janar, 2003