Prishtinë, 4 dhjetor 2023 – Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se draft-statuti i hartuar prej Perëndimit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, krijon autonomi politiko-territoriale me kompetenca të theksuara shtetërore.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se nuk do të thotë që dokumenti bëhet kushtetues vetëm pse mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ai e përmend se draftet për Asociacionin do të duhej të ishin në përputhje me aktgjykimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo drafti aktual nuk e ka marrë atë fare për bazë, duke e përjashtuar nga preambula.
Hasani e ka përmendur si mundësi edhe ndryshimin e aktgjykimit të vitit 2015, ndonëse ka sqaruar se diçka e tillë mund të bëhet vetëm duke u bazuar në kriteret jashtë Kushtetutës: politike, sociologjike, morale.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draft-statut, përmbajtja e të cilit është konfirmuar nga disa burime të REL-it në Bruksel. Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar për vërtetësinë e tij.
Radio Evropa e Lirë: Së fundi në publik është duke qarkulluar një draft-statut i hartuar prej zyrtarëve evropianë, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë? Si e vlerësoni ju këtë dokument?
Enver Hasani: Kjo përmbajtje e këtij statuti është derivat i drejtpërdrejtë i Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht aneksit të Ohrit. Do të thotë, është i dedikuar për zbatimin e një autonomie politiko-territoriale, e cila ka autorizime të theksuara kushtetuese, përmbajtje shtetërore. Pjesa e kompetencave, që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, kulturor, përfaqësimin politik, të gjitha ato janë përgjegjësi të Republikës së Kosovës dhe përgjegjësi me Kushtetutë, sikurse në të gjitha vendet tjera të rajonit, dhe tani ato kompetenca i uzurpon Asociacioni. Mbi këtë bazë, kjo është tërësisht Kushtetutë e re, bëhet fjalë për shkrimin e një Kushtetute të dytë të Kosovës, që vlen vetëm për serbët.
Radio Evropa e Lirë: Nëse ky dokument shkon në Gjykatën Kushtetuese, cili do të jetë rezultati?
Enver Hasani: Fakti që shkon në Gjykatën Kushtetuese nuk do të thotë që është kushtetues, për shkak se, për të qenë kushtetues, në statut do të duhej ta kishte si bazë aktgjykimin e vitit 2015, jo Rezolutën 1244, dhe përveç rezolutës, të citohet në preambulë, dhe më vonë në tekst, Karta Evropiane, në mënyrë fiktive, komplet fiktive.
Ato nene kanë të bëjmë me autonomi me komunat, me pushtetin lokal dhe jo me politikat ekonomiko-territoriale që i rregullon statuti aty. Për të qenë sipas Kushtetutës, do të duhej ta kishte parametër aktgjykimin e vitit 2015. Ai aktgjykim është eliminuar, nuk ekziston në preambulën e statutit. Prandaj, gjykata nuk ka kompetencë të bëjë vlerësimin e përmbajtjes, kushtetutshmërisë së statutit të një entiteti tjetër, jashtë atij që ekziston në Kushtetutë.
Çështja e institucioneve shëndetësore dhe arsimore
Radio Evropa e Lirë: Çfarë saktësisht është kundërkushteutese në atë draft, sipas jush?
Enver Hasani: Fund e krye. Prej preambulës, e cila përmend Rezolutën 1244, e cila garanton integritetin territorial të Serbisë, Kushtetuta e Kosovës përmendet në mënyrë fiktive. Në bazë të cilave dispozita caktohet statuti? Nuk përmenden. Merreni dhe shikojeni Kartën Evropiane. Flet për arsim privat. Nuk bëhet fjalë për arsim privat, por për arsimin e Serbisë në Kosovë, dhe pse është futur aty dispozita se bëhet prej agjencive private, është për shkak se Serbia nuk pranon që arsimi dhe shëndetësia – që ajo e financon dhe krijon në territorin e Kosovës, të jetë në autoritetin e Republikës së Kosovës, të cilën ajo nuk e njeh. Për pasojë, janë komisionuar këto dy agjenci, por diplomat, dokumentet e fundit, e kanë vulën apostile të shtetit të Serbisë. Kjo është kundër sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Në draft përmendet që diplomat do të lëshohen në dy gjuhë.
Enver Hasani: Nga Serbia. Nuk ka lidhje, gjuha garantohet me Kushtetutë. Edhe kjo është kundërkushtetuese. Statuti nuk mund të caktojë cilat gjuhë janë, ato i ka caktuar Kushtetuta.
Radio Evropa e Lirë: Drafti parasheh që këto institucione shëndetësore dhe arsimore do të njihen si private, mirëpo do të licencohen prej autoriteteve të Kosovës.
Enver Hasani: Kjo është krejt irrelevante. Ato janë private, dhe në fund, kur ato diploma të përdoren në Gjermani, apo në vendet tjera, janë diploma të shtetit të Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Sipas draftit, cilat janë rreziqet kryesore prej këtij dokumenti?
Enver Hasani: Rreziku kryesor është se ky dokument nuk krijon nivel as të tretë, as të katërt të pushtetit, është pushtet paralel, si në aspektin horizontal, ashtu në atë vertikal. Në aspektin horizontal, ky pushtet që i krijon organet, Kuvendin, organin ekzekutiv dhe çështje të sigurisë, caktimin e policëve ku janë komunat serbe, e bën ndarjen e punës – dokumenti, jo Kushtetuta e Kosovës.
Në aspektin vertikal, Asociacioni paraqitet si përfaqësues i komunave, i autonomisë serbe në raport me pushtetin qendror dhe me operatorët ekonomikë, institucionet shtetërore të vendeve fqinje, vendeve të jashtme, paraqitet ky. Në prona, shembull, të gjitha pronat shndërron në prona të Asociacionit në momentin që themelohet. Ujmani, pjesë të Trepçës, dikur që kanë qenë, gjithçka që nuk është private në territorin e këtyre komunave, bartet në këtë Asociacion.
E dyta. Ky është ‘self-contained’, regjim i mbyllur, jo i hapur. Dhe, për këtë është dëshmi mënyra e zgjedhjes së mosmarrëveshjeve – për interpretim të statutit, caktohet Arbitrazhi. Për interpretim të statutit dhe zbatim të tij nuk është Gjykata Kushtetuese më, gjithçka që ka për interpretim merret vetëm kur të formohet, më pas ajo mund t’i vlerësojë amendamentet, por jo përmbajtjen. Ky Asociacion është etnik dhe çka është edhe më e keqe, krijon një super kategori të komunitetit etnik, që është komuniteti serb, i cili i ruan privilegjet në nivel qendror, sipas Kushtetutës së Kosovës, por edhe në raport me krejt komunitetet, përfshirë edhe shqiptarët, ka të drejta shtesë, që i realizon sipas mënyrës që ai e përcakton, me këtë statut.
Radio Evropa e Lirë: Pse thoni se krijohet sistem paralel?
Enver Hasani: Niveli i tretë i pushtetit nënkupton që në vijë vertikale, pushteti qendror e kontrollon. Quhet kontrolli administrativ i ligjshmërisë, më pas vjen kontrolli gjyqësor dhe kontrolli kushtetues. Ai është pushteti i tretë. Në Tirolin e Jugut është kështu, në Finlandë, në Katalonjë, është kontrolli që bëhet nga pushteti qendror. Është administrativ, ligjor dhe kushtetues. Asnjë prej këtyre hallkave të kontrollit nuk ekzistojnë. Prandaj është pushtet paralel, është pushtet konfrontues, dhe në fund kur të ketë probleme, atëherë shkohet në Arbitrazh. Në Arbitrazh, Kosova si shtet sovran e ka një përfaqësues – pra pushteti qendror – një është serb, dhe i treti është i Evropës.
Krahasimet mes marrëveshjeve paraprake dhe draftit të Perëndimit
Radio Evropa e Lirë: A mund të na e bëni një krahasim si dallon struktura e Asociacionit mes marrëveshjeve të kaluara dhe këtij drafti?
Enver Hasani: Struktura i përngjan 2013-shit, por më 2013 dhe më 2015 nuk është paraparë Arbitrazhi. E dyta, gjykata ka vendosur që struktura të bëhet sipas një asociacioni ekzistues. Kjo strukturë nuk është bërë sipas një asociacioni ekzistues dhe përmbajtja është problematike. Përmbajtja është tërësisht në kundërshtim me aktgjykimin e vitit 2015 dhe formon, përsëris, autonomi politiko-territoriale me kompetenca të theksuara shtetërore.
Radio Evropa e Lirë: Kush duhet ta dërgojë këtë dokument në Gjykatën Kushtetuese?
Enver Hasani: Pa diskutim, atë e dërgon Qeveria. Por, tjetër është që të procedohet në Gjykatën Kushtetuese, tjetër është të vendoset për përmbajtjen e tij. Gjykata Kushtetuese, në qoftë se dëshiron të vlerësojë a është në frymë të Kushtetutës apo jo, duhet së pari ta ndërrojë aktgjykimin e vitit 2015. Me atë aktgjykim, nuk ka jurist të Kosovës dhe as përtej, që mund ta pajtojë atë aktgjykim me këtë statut. Pra, gjykata, nëse dëshiron t’i japë leje formimit, atëherë duhet ta ndërrojë aktgjykimin, ta ndërrojë precedentin e vitit 2015 dhe të vendosë ndryshe. Por, atë aktgjykim mund ta ndërrojë vetëm duke u bazuar në kritere jashtë Kushtetutës: politike, sociologjike, morale.
Radio Evropa e Lirë: Si mund t’i ndryshojë Gjykata Kushtetuese ato dispozita të vitit 2015?
Enver Hasani: Shumë thjesht. Gjykata e ndryshon precedentin e vet, por jo mbi bazën e argumenteve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe argumenteve kushtetuese. Një rast e di, një precedent, në vitin 2015 është ndryshuar një precedent, me arsyetimin se nuk jemi më në vitin 2009, kur është themeluar Gjykata dhe vazhdojmë me vendimin e ri, sepse ajo gjenerata e parë e gjyqtarëve ka pasur detyra tjera. Këto janë argumente morale, që nuk kanë lidhje me Kushtetutë.
“Kushtetuta do të ndryshohet në të ardhmen”
Radio Evropa e Lirë: Si duhet të veprojë, sipas jush, Kosova?
Enver Hasani: Unë mund të them se si është dashur të veprohet, se çfarë duhet të bëjë Kosova u takon atyre që e kanë sjellë në këtë gjendje. Kosova është dashur që nga fillimi të mos rezistojë, është dashur ta bëjë draftin vetë, një draft është bërë nga ndërkombëtarët, dhe kjo është bërë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja, që është gabim.
Nuk mund të hiqet përgjegjësia. Qeveria e Kosovës ka detyrim kushtetues dhe detyrim ndërkombëtar që ta formojë Asociacionin. Është dashur ta bëjë vetë Asociacionin, ta marrë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të hapë debat publik, nëse duhet ndryshuar Kushtetutën, të ndryshohet.
A duhet të ndryshohet? Unë mendoj që nuk kemi zgjidhje, Kushtetuta do të ndryshohet në të ardhmen, për t’i ndryshuar ligjet sektoriale, për të nxjerrë një ligj të posaçëm për formim të këtij Asociacioni dhe të tjerëve, dhe të formohet baza solide, kushtetuese dhe juridike. E pastaj të dilet përballë në dialog.
Radio Evropa e Lirë: E përmendët Arbitrazhin. A mund ta merrni një shembull se kur do të mund të përfundojë diçka aty?
Enver Hasani: Çdo mosmarrëveshje, shembull çështja e pronave. Ata menjëherë duhet ta formojnë një agjenci menaxhuese, sikurse ka qenë ajo për privatizimin, për pronën e autonomisë serbe, Asociacionit. Agjencia e Kosovës e ka listën dhe bën rezistencë që të mos e bartë pronën, dhe rasti menjëherë shkon në Arbitrazh. Regjistrat qendrorë, ose civilë, çfarëdo qofshin, pushteti qendror mund të mos ia japë. Ka edhe gjëra tjera aty. Statuti i cakton kompetencat e Gjykatës Kushtetuese në disa vende, e cakton palë të autorizuar Ministrinë e Pushtetit Lokal. Nuk mundet, atë e bën ligji, ose Kushtetuta.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë kush duhet të jetë?
Enver Hasani: Avokati i Popullit, Kuvendi, Presidenca, Qeveria e Kosovës.
Tri ditat e kuqe të dokumentit
Radio Evropa e Lirë: Është përmendur që do të mund të bëhen ndryshime të vogla në këtë dokument, pas marrjes së komenteve. Nëse, në mënyrë hipotetike, do të largoheshin çfarë u përmend, çështja e ministrisë, Arbitrazhit, a do të mund të ishte atëherë ai më i pranueshëm?
Enver Hasani: Ajo që është drita mega e kuqe në atë statut janë tri dimensione. E para, Rezoluta 1244 duhet të largohet urgjentisht. E dyta, Arbitrazhi dhe e treta, duhet kapitull i veçantë për të specifikuar kontrollin administrativ të ligjshmërisë, kontrollin gjyqësor dhe Gjykata Kushtetuese. Nëse hiqet Arbitrazhi, atëherë organet ekzistuese i ushtrojnë kompetencat e veta, administrative, ligjore dhe kushtetuese. Vetëm kjo e qetëson, e rregullon dhe e bën një Asociacion. Nuk prish punë, le të jetë autonomi, kështu janë zhvilluar edhe në Tirol, edhe në Finlandë. Kushtetuta nuk e ka paraparë fillimisht, më vonë e kanë përshtatur me Kushtetutë. Gjykata, më pas, kanë luajtur rol, kanë bërë ligje për to dhe në mënyrë graduale i kanë stabilizuar.
Radio Evropa e Lirë: Kjo do të thotë që secili draft në ardhje për Asociacionin, duhet ta ketë referencë aktgjykimin e vitit 2015?
Enver Hasani: Deri sa ai të jetë në fuqi, edhe tani është, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e detyrojnë secilin dhe janë pjesë e normës që interpretohet. Kur të ndërrohet – Gjykata Kushtetuese ka të drejtë, por duhet të japë arsyetim pse po e ndryshon standardin e vitit 2015. Pse sot është i lejueshëm Asociacioni me gjithë ato kompetenca, që janë tërësisht shtetërore, e atëherë paskan qenë të palejueshme. Duhet të arsyetohet për publikun.
(Krenare Cobolli, REL)