Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve në jug të Rripit të Gazës, por ata s’kanë ku të ikin më

Gazë, 4 dhjetor 2023 – Ushtria e Izraelit i ka ripërtërirë thirrjet të hënën për evakuim masiv nga qyteti jugor i Rripit të Gazës, Kan Jounis, ku kanë kërkuar strehim dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur në javët e fundit.

Zgjerimi i ofensivës tokësore dhe bombardimeve, pas skadimit të një armëpushimi njëjavor, kanë për qëllim shkatërrimin e sunduesit të Gazës, Hamasit, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, pas sulmit të tij në Izrael më 7 tetor, i cili e nxiti dhunën më vdekjeprurëse izraelito-palestineze në dekadat e fundit.

Kjo luftë i ka vrarë rreth 15.000 palestinezë tashmë dhe i ka zhvendosur tri të katërtat e popullsisë prej 2.3 milionë të këtij territori, të cilëve nuk po u mbetet ndonjë vend i sigurt për të shkuar.

Duket se Izraeli ngutet për t’ia dhënë Hamasit goditjen përfundimtare para ndonjë armëpushimi të ri, nëse kjo është e mundur, duke pasur parasysh rrënjët e thella të këtij grupi në shoqërinë palestineze.

Bombardimet e kanë shndërruar shumicën e pjesës veriore të Gazës në një djerrinë të mbushur me gërmadha. Rreth 2 milionë njerëz janë zhvendosur tani në pjesën jugore të vendit, e cila ka një hapësirë prej vetëm 230 kilometrave katrorë.

Lufta e Izraelit tani është e përqendruar në jug të Gazës, prandaj ushtria e tij i përsëriti të hënën thirrjet për evakuim të madh, megjithëse nuk është e qartë se ku mund të shkojnë njerëzit tani.

Strehimoret janë të stërmbushura tashmë, ndërsa fqinjët Izraeli dhe Egjipti nuk duan të pranojnë palestinezë të Gazës në vendet e tyre.

Shtetet e Bashkuara janë duke i bërë trysni Izraelit ta shmangë zhvendosjen masive të njerëzve dhe vrasjen e civilëve. Këtë mesazh e dha zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, gjatë një vizite në këtë rajon.

Po ashtu, ajo tha se SHBA-ja nuk do të lejojë dëbimin e palestinezëve jashtë Gazës apo në Bregun Perëndimor të uzurpuar, dhe as rivendosjen e kufijve të Gazës.

Megjithatë, prej sulmit të 7 tetorit, kur pjesëtarët e grupit radikal palestinez Hamas i vranë mbi 1.200 njerëz në Izrael, SHBA-ja është zotuar se do ta përkrahë fuqishëm Izraelin.

Shpresat për një armëpushim tjetër të përkohshëm janë zbehur tani, pasi Izraeli i tërhoqi negociatorët e vet gjatë fundjavës.

Gjatë armëpushimit njëjavor, Hamasi i liroi 105 prej rreth 240 izraelitëve dhe të huajve që i rrëmbeu gjatë sulmit në Izrael. Ndërkohë, në këmbim, Izraeli i liroi 240 të burgosur palestinezë. Shumica e të liruarve nga të dyja palët ishin gra dhe fëmijë.

(REL)