Prishtinë, 5 dhjetor 2023 – Kosova dhe Shqipëria janë renditur ndër të fundit në tri testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA.
Kosova është renditur në pozitën e 76-të në lexim, në pozitën e 74-të në matematikë dhe në pozitën e 77-të në shkenca. Në dy fushat e para ajo ka pësuar rënie për 11 pikë krahasuar me vitin 2018, kurse në shkencë ka rënë për 8 pikë.
Ndërkaq, Shqipëria është renditur në pozitën e 72 në lexim (47 pikë më pak se në vitin 2018), në pozitën e 67-të në matematikë (me 69 pikë më pak) dhe në pozitën 69-të në shkenca (41 pikë më pak).
Nga vendet e rajonit më së larti është renditur Serbia, e cila është renditur në pozitën 40-të në lexim e në shkenca, dhe në pozitën 42-të në matematikë.
Më poshtë se Serbia janë renditur Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Kjo fundit është renditur vetëm një pozitë më lart se Shqipëria në lexim dhe në shkenca dhe 6 pozita më lart në matematikë.
Në krye të listës në të tria fushat është renditur Singapori. Kina, Japonia, Macao, Hong Kongu dhe Koreja e Jugut janë renditur në 5 vendet pas Singaporit.
Nga vendet e Evropës më së larti janë renditur Estonia, Zvicra, Holanda, Irlanda dhe Belgjika .
SHBA-ja është renditur ndër dhjetë vendet e para në lexim, kurse ndër dhjetë vendet e dyta në matematikë dhe në shkenca.
PISA është hulumtim ndërkombëtar i cilësisë së arsimit që vlerëson njohuritë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, në matematikë dhe në shkenca. Testet e PISA-s nuk kanë të bëjnë me planprogramet mësimore, por me zbatimin e njohurive në praktikë.
Testet PISA organizohen prej vitit 2000. Në vitin 2022 është zhvilluar testi i tetë. Ai duhet të ishte zhvilluar në vitin 2021, por ishte shtyrë për shkak të pandemisë së COVID-19.
(r.m.)