Aktori i madh shqiptar, Mirush Kabashi, është ndarë nga jeta, në moshën 75-vjeçare.
Lajmi i trishtë për ndarjen e tij nga jeta është kumtuar nga familja e tij, në profilin e aktorit në Facebook.
“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesënate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim.
Me Respekt, Familja Kabashi!”, thuhet në njoftim.
Mirush Kabashi ka lindur më 17 prill 1948, në Shkodër. Ai u rrit dhe jetoi në Durrës.
Familja e Mirushit ishte me origjinë nga Gjakova dhe aktori ka folur shpesh e me dashuri të madhe për këtë qytet dhe për Kosovën.
Gjatë karrierës së tij, ka luajtur rreth 100 role në teatër dhe në film. Ndër to ndushta roli i tij më i veçantë ka qenë ai i Sokratit, në monodramën “Apologjia e fundit e Sokratit”.
Në festivalin kombëtar të teatrove profesioniste më 1989 ai u shpall “Aktori me i mire” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik tnë Korinth të Greqisë u vlerësua ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 e fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002”, me rolin e Nokes në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” të Ilir Bezhanit.
Më 1997, në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi u nderua me çmimin “Sfinksi i artë” si interpretuesi më i mirë. Ai u vlerësua mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës për rolin e Sokratit në monodramën “Apologjia e fundit e Sokratit”.
Mirush Kabashi ishte nderuar me titullin më të lartë “Nderi i Kombit” si edhe me titujt “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i madh i punës” për kontributin e tij në fushë të artit e kulturës.
Mirush Kabashi ka luajtur në këta filma: Kronikë provinciale (2009), Ne dhe Lenini (2008), Nata (1998), Edhe ashtu edhe kështu (1989), Binarët (1987), Telefoni i një mëngjesi (1987), Zëvendësi i grave (1987), Nxënësit e klasës sime (1984), Kohë e largët (1983), Dora e ngrohtë (1983), Shoqja nga fshati (1980), Një ndodhi në port (1980), Gëzhoja e vjetër (1980), Radiostacioni (1979), Koncert në vitin 1936 (1978), Zani partizani (1976), Emblema e dikurshme (1976).
(r.m.)