Hovenier: Kosova i përcakton vetë kushtet për zgjedhjet e shteteve tjera në territorin e saj

Prishtinë, 6 dhjetor 2023 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-të nuk e kanë ndryshuar qëndrimin sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Ai ka thënë se SHBA shpreh keqadhje që Qeveria e Kosovës e ndërpreu praktikën e grumbumbullimit të votave të votuesve serbë me të drejtë vote në Serbi nga OSBE-ja.

Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar që kur kjo çështje u ngrit për herë të parë, në vitin 2022. Ne vazhdojmë të shprehim zhgënjimin tonë që Qeveria e Kosovës zgjodhi të mos vazhdojë praktikën e kahershme të lejimit të OSBE-së që të mbledhë fletëvotimet e votuesve serbë me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë. SHBA-ja beson fuqishëm se votuesit me të drejtë vote në të gjitha vendet duhet të jenë plotësisht në gjendje të marrin pjesë në proceset demokratike”, ka thënë Ambasadori Hovenier për Tv Klan Kosova.

Por, ai ka theksuar se Kosova, si shtet i pavarur dhe sovran, ka të drejtë t’i përcaktojë vetë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të shteteve të tjera në territorin e saj.

”Pra, si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka të drejtë të përcaktojë kushtet në të cilat mbahen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”., ka thënë ai.

(r.m.)