Nga Ruben Avxhiu
Nuk mund të them që e kishim njohur vërtet Mirush Kabashin deri sa na u fanit në rolin e Sokratit.
Ata që kanë pasur fatin ta shohin në të gjitha interpretimet, sidomos ato të skenës dramatike, ia dinin diapazonin e gjerë të aftësive aktruese dhe sa herë i është dhënë rasti gjithmonë ka dëshmuar se ishte lindur për të tjera role.
Por për shumicën e shqiptarëve, deri vonë, ai ishte thjesht aktori i batutave humoristike. Për role të vogla komike, në filma, për barcaletën e kamarierit që i merret goja, për batutën e bishtit të qenit, që bënte humor me fatkeqësinë e njollës në biografi në kohën e regjimit komunist. Pak ishin ata që kishin vënë re më shumë se kaq dhe nuk është çudi që Apologjia e Vërtetë e Sokratit i goditi si një uragan.
Nuk ishte vetëm realizimi i jashtëzakonshëm i një akti shumë të vështirë. Ndryshe nga formati “stand-up” që një njeri i vetëm mban gjallë duke qeshur e zbavitur një sallë të tërë, “Apologjia” e ka thirrur publikun jo për ta përkëdhelur por për ta ngritur peshë e për ta përplasur përtokë, për ta bërë të mos ndjehet rehat në karrigen ku është ulur, që të mos ndihet vetëm sikur ka shkuar për të parë por edhe për t’u vetëparë. “Apologjia” nuk është për këdo e nuk mund të realizohet dot nga kushdo.
Ajo e katapultoi Mirush Kabashin në krye të aktorëve më në zë dramatikë të vendit. Pas saj e kemi parë të bëjë plot gjëra nga të cilat vetëm na është konfirmuar mendimi për të. (Gjeni recitimin e tij kushtuar tragjedisë së Çamërisë për të pasur një ide.)
Por “Apologjia” nuk ishte vetëm një vepër e madhe interpretimi artistik. Për kohën kur na erdhi ajo ishte e mbushur me vlera simbolike. Regjimi komunist po rrëzohej, demokracia po vinte dhe me një shfaqje të vetme, Mirushi i binte një këmbane të madhe që duhej të ushtonte në ndërgjegjen tonë. Ishte një damkosje për çfarë kishim bërë për gati gjysëm shekulli dhe një paralajmërim për mëkatet që ende nuk kishim filluar t’i bënim në epokën e re.
Nuk mund të kuptohej më mirë e më qartë akti i dënimit me vdekje nga Sokrati, sesa në ato vite kur diktatura po jepte – dhe dha përfundimisht – shpirt, ndërkohë që shqiptarët zgjoheshin nga gjumi i gjatë i bashkëjetesës me të.
Me Sokratin fillon, në historinë e njerëzimit, mendimi kritik. Jo më kot u ndëshkua me vdekje për këtë herezi. Mund të thuhet se e dënoi regjimi i kohës, por në fakt vdekja e tij u prit me entuziazëm popullor. Ndërsa shqiptarët po mbyllnin kapitullin e një regjimi që kishte ndëshkuar pa mëshirë shpirtin kritik e çdo alternativë mendimi, në masë të madhe kishin qenë miratues e më së paku bashkudhëtarë të një forme qeverisëse që kishte vrarë e shkatërruar jetë njerëzish shpesh pa asnjë arsye.
Sot, vështirë të gjesh dikë që nuk të tregon se sa ka vuajtur nën regjimin e kaluar. Se kush kanë qenë ata qindra mijëra që mbushnin rrugët e sheshet me entuziazëm e lot në sy, nuk e di më njeri, nga kush paskëshim pasur frikë të flisnim hapur e pse silleshim sikur ishim nën vëzhgim.
Nga ana tjetër, Athina e Lashtë ishte një demokraci. Për vdekjen e Sokratit u votua. Vërtet ajo demokraci ishte më shumë e formës së një demokracie direkte, ku pjesa më e madhe e popullit votues vendos vetë dhe jo nëpërmjet një parlamenti e jurie përfaqësuese, por ishte demokraci gjithësesi.
“Apologjia” na plaste në fytyrë jo vetëm përgjegjësinë e bezdisshme të bashkëjetesës e përuljes ndaj regjimit që po ikte. Ajo po na kujtonte gjithashtu se ndërkohë që e drejta e njerëzve për të zgjedhur vetë ishte diçka e madhe dhe një fillim i ri plot premtim, kjo nuk e shmangte faktin që njerëzit mund të votojnë gabim. Mund të votojnë keq. Mund të vrasin me vote, ashtu si deri në atë moment kishin vrarë me urdhër.
Mirush Kabashi na solli figurën e Sokratit si shembulli që kishte munguar për aq shumë vite, gjatë një regjimi ku kompromisi me ideologjinë e kohës ishte mënyrë e pranueshme dhe e natyrshme mbijetese. Mungesa e disidencës ishte bërë normalitet. Por ai e solli edhe si shembull të njeriut që do të ketë guximin të mos korruptohet në liri e demokraci, të ketë krenarinë e të mbeturit i varfër e i pastër në një epokë materializmi të çthurrur.
Artisti i madh prodhon veprat e mëdha në kohën e duhur dhe “Apologjia” e sjellë mes nesh nga Mirush Kabashi bëri pikërisht atë. Ai u vesh si Sokrati dhe erdhi e kumboi me zërin që nuk ia dinim, na recitoi me pasion fjalë të një kohë të ikur e të paikshme. Na bëri që të çohemi në këmbë për ta duartrokitur të prekur e të ngashëryer. Pa e dhënë veten se kishte folur për ne. Na erdhi nga lashtësia. Nga thellë ndërgjegjia jonë. Na foli me një zë që të mbetet në mendje e të bën jehonë, kur mbetesh vetëm. Na dha një mundësi si shoqëri për të parë veten në pasqyrë e për të kuptuar se kush ishim e kush po bëheshim. Për të vënë edhe ne në peshore raportin e turmës dhe individit, të drejtën për të qenë ndryshe e për të menduar ndryshe. Të drejtën për të vënë në dyshim, në sitën e arsyes, apo si objekiv të humorit e talljes të vërtetat zyrtare, moralin e kohës, lopët e shenjta të turmës.
Nuk e di se sa e kuptuam vërtet e sa reflektuam vërtet. Që prej viteve 1990 kemi bërë çmos për t’i bërë bisht çfarëdo reflektimi të vërtetë. I kemi mbushur gojët, mendjet e shpirtrat me klishe që nuk thonë asgjë. Mundësitë e nevojat për të reflektuar erdhën e ikën. Iku edhe vetë Mirushi sot.
Çfarë kohe është sot, vërtet. Mbase ishte e kotë ajo që po na paralajmëronte në rolin e tij mbi dymijëvjeçar. Nuk vret Sokrat shoqëria e sotme. Demokraci apo diktaturë. E ka zgjidhur ndryshe. E ka mbushur sheshin publik me kaq shumë pseudoprofetë sa që njeriu në kërkim të diçkaje të vërtetë nuk di më çfarë të besojë.
Sokrati u dënua si “korruptues i të rinjve”, por ideja që të rinjtë sot, do të shkëputen nga tik-toku apo instagrami nga vetësiguria se dinë gjithshka për t’i shkuar nga pas një plaku të parruar, të veshur keq, që nuk para lahet, një lloj Jezusi të pafe, tingëllon më shumë si një skeç komik estrade sesa një situatë e rrezikshme për elitat në fuqi.
Mes të rinjve indiferentë dhe pseudoprofetëve të marrë, që nuk pushojnë së thëni asgjë në rrjete sociale e studio televizive, nuk ka asnjë rrezik për sigurinë e moralit publik të kohës, sidomos jo në shoqërine shqiptare.
Vërtet. Shoqëria e sotme nuk ka nevojë të përlyhet duke dënuar me vdekje Sokratët e saj. Edhe nëse ka arritur të prodhojë ndonjë, vështirë ta gjejmë se cili është mes mijëra deklamuesish e demagogësh që godasin përditë me vrull tastierën e kompjuterit apo hamendësojnë kafeneve duke torturuar klientët në tavolinat ngjitur. Cinizmi ka hyrë kaq thellë në zemrat tona e më shumë na tërheqin kllounët bombastikë.
Nëse do të kishte një shfaqje që do t’i shkonte për shtat epokës sonë do të ishte “Apologjia e Derrit të Kënaqun”.
Njeriu që na solli të vetmin Sokrat të besueshëm në këto 30 e ca vjet sapo iku e vdiq. Edhe ai e solli në skenë e jo në jetën reale. I kërkojmë ndjesë nëse nuk e përtypëm mësimin që na dha me shfaqjen e madhe. Nga ana tjetër, fakti që e njohëm masivisht si aktor, e që e qamë disa herë përpara se të ikte kurdo që përsëritej shakaja e sëmurë e vdekjes që nuk kishte ndodhur, të paktën tregon diçka pozitive. Që e vlerësuam për së gjalli e jo vetëm sa për të larë gojën ditën që iku është një nga ngushëllimet e pakta të kohës sonë.