Presidentja Osmani do ta kërkojë mendimin e opozitës për draftin e statutit të Asociacionit

Prishtinë, 6 dhjetor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do të ftojë në takim partitë opozitare për të diskutuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të dorëzuar nga emisarët europeanë dhe ae amerikan.

Osmani ka thënë se partitë opozitare do t’i thërrasë në takim për të dëgjuar pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre për draftin.

“Së shpejti do t’i thërras në takim partitë opozitare, që t’i dëgjoj vlerësimet e tyre, pasi edhe ato e kanë marrë draftin. Do të dëgjoj cilat janë komentet e tyre, cilat janë çështjet të cilat ata dëshirojnë të sqarohen. Do t’i inkorporojë edhe ato komente që të kemi vlerësim të njëjtë, në mënyrë që të përforcohen dhe të përbashkohen zërat tanë për të gjitha ato çështje që mendojmë se duhet të përmirësohen në këtë draft”, ka thënë ajo, pas konferencës për Integritetin e Informacionit, të organizuar nga NDI.

Presidentja Osmani ka thënë se pasi ta konsultojë opozitën do ta shprehë qëndrimin e përbashkët për draftin.

“Unë pres t’i takoj dhe t’i dëgjoj në mënyrë më të detajuar shqetësimet e tyre, para se t’i komentoj ato”, është shprehur ajo.

Osmani ka thënë se me opozitën do të diskutojë edhe për tema të tjera me interes nacional.

“Tani, në fund të vitit, do t’i ftoj partitë opozitare për konsultime  për këtë temë dhe për shumë tema të tjera që kanë të bëjnë me interesin nacional”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se në takimet me miqtë dhe aleatët e Kosovës ajo ka nënvizuar se cilat pjesë të draftit është e domosdoshme të sqarohen, në mënyrë që të mos dalin probleme gjatë zbatimit të tij në praktikë. Ajo ka thënë se do t’i dorëzojë komentet e saj në momentin që ky dokument do të dëgohet në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë qër të eliminohen të gjitha paqartësitë.

“Kur e kemi pranuar draftin janë përgatitur një sërë komentesh dhe Qeveria ia ka dërguar ato të gjithë të deleguarve special dhe shteteve të involvuara. Pastaj ka pasur diskutime të veçanta, shumë prej të cilave edhe unë i kam pasur me miqtë dhe aleatët tanë, ku kemi treguar se cilat pjesë është e domosdoshme të sqarohen, në mënyrë që mos të krijojnë probleme në praktikë, të cilat nuk i dëshiron askush prej nesh. Mirëpo, meqenëse këto komente nuk janë bërë ende publike, pasi ende jemi në fillim të procesit dhe vetë dokumenti nuk është dërguar për publikim nga e ana e hartuesve të tij, atëherë ne do të presim që ata ta publikojnë draftin. Nuk besoj se do të ketë problem që të publikohen edhe komentet e institucionet. Siç kam thënë më herët, në momentin që dokumenti shkon në Gjykatën Kushtetuese, siç është paraparë në vetë draft-statutin, unë, si presidente e vendit, do t’i dërgoj komentet e mia, të cilat kanë për qëllim që ky draft t’i eliminojë disa prej këtyre paqartësive”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani ka folur edhe për situatën në pjsën veriore të Kosovës. Ajo ka thënë se bashkë me  institucionet e sigurisë e në bashkëpunim me aleatët, janë bërë të gjitha përgatitjet për eliminimin e çdo tentative të Serbisë për të shkaktuar tensione në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, më 17 dhjetor.

“Në qoftë se dikush do të shkaktonte tensione, ajo është Serbia. Natyrisht, ne jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet, me institucionet tona të sigurisë dhe në bashkëpunim me aleatët tanë, në mënyrë që të eliminohet çdo tentativë për tensione”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani përsëriti se Kosova ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare të Serbisë të organizohen në territorin e Kosovës

“Sa i përket zgjedhjeve të Serbisë, Kosova ka kërkuar që të respektohen modelet më të mira ndërkombëtare, kriteret e Komisionit të Venecias dhe e drejta ndërkombëtar për zgjedhjet të një shteti në një shtet tjetër. Meqenëse Serbia nuk i ka plotësuar ato kritere, duke mos pranuar se këto zgjedhje janë zgjedhje të një shteti në një shtet tjetër, atëherë është pamundësuar një proces të tillë”, ka thekssuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

(r.m.)