Cooper: Serbia nuk duhet të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën

Uashington, 7 dhjetor 2023 – Robert Cooper, ish-ndërmjetës në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thotë se me kundërshtimin e Marrëveshjen e Ohrit [Kosovën] dhe aneksin e saj për t’u bërë pjesë e kapitullit 35 të negociatave, Serbia po mbyll derën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai tha se “ideja për ta futur Serbinë në Bashkimin Evropian, ndërkohë që refuzon të njohë pavarësinë e fqinjit të saj dhe ta pranojë atë si një shtet sovran, nuk është në thelb të BE-së”.

Me këtë qëndrim diplomati britanik në pension reagoi ndaj pretendimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se përfshirja e dokumenteve të dakorduara nga Kosova dhe Serbia në gjysmën e parë të vitit 2023 në kornizën e negociatave do të nënkuptonte se Bashkimi Evropian po ia mbyll derën Serbisë.

Përndryshe, kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim të Serbisë përfshin marrëdhëniet fqinjësore – pra rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.

“Bashkimi Evropian nuk dëshiron të jetë pjesë e problemit, por ta zgjidhë atë. Misioni i tij është që të gjithë anëtarët e unionit të kenë një lloj marrëdhënieje, jo normale, por supernormale me fqinjët e tyre”, tha Cooper për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën serbe), i cili ndërmjetësoi dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në periudhën 2011-2012.

Bisedimet mes dy palëve filluan pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me kërkesë të Serbisë, në vitin 2010 vendosi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare.

“Ideja për ta futur Serbinë në Bashkimin Evropian, ndërkohë që refuzon të njohë pavarësinë e fqinjit të saj dhe ta pranojë atë si një shtet sovran, nuk është në thelb të Bashkimit. Kjo do të forconte ndarjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo që duam është që ato ndarje të zhduken”, tha Cooper.

Në samitin e liderëve evropianë në fund të javës së ardhshme, Këshilli Evropian duhet të deklarohet për konkluzionet e tij për zgjerimin – një dokument që përfshin Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Turqinë, Moldavinë dhe Gjorgjinë.

Në draftin e konkluzioneve, rekomandohet që Marrëveshja e Ohrit dhe aneksi i saj, i cili përcaktohen hapat në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshihen edhe pritjet dhe detyrimet e të dyja palëve.

“Është e qartë se këtu dominon ndjenja e urgjencës. Askush nuk e mban mend se kur të dyja palët arritën ndonjë përparim të rëndësishëm në bisedime”, vëren Cooper – duke kujtuar zgjedhjet e ardhshme për përbërjen e Parlamentit Evropian, të cilat do të mbahen në qershor 2024.

Fillimi i vitit dhe arritja e Marrëveshjes së Ohrit futi një dozë optimizmi se në dialogun më shumë se dhjetëvjeçar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me arritje jashtëzakonisht të ndryshueshme, mund të ketë rezultate.

Megjithatë, në vend të kësaj, u mbajtën disa takime të pasuksesshme dhe u shkëmbye retorikë e ashpër. Një hije e errët mbi të gjitha përpjekjet e hodhi sulmi i armatosur i serbëve ndaj policëve të Kosovës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare, ka pasur gjithsej katër viktima, tre në anën e sulmuesve dhe një pjesëtar i policisë së Kosovës.

Tonet e deritanishme nga Beogradi kanë ngritur edhe dyshimin nëse Aleksandar Vuçiq për herë të parë publikisht e ka shprehur mundësinë apo vullnetin e Serbisë për të ndërprerë apo pezulluar negociatat me BE-në për anëtarësim – të cilat kanë nisur qysh në janar të vitit 2014.

“Është absolutisht e qartë se gjërat nuk po shkojnë askund. Por nuk do të mund të flisja për mundësitë e një pushimi të plotë. Megjithatë, një ngadalësim shtesë është i mundur, si në rastin e Turqisë”, thotë diplomati në pension Robert Cooper, duke përkujtuar se Turqia i filloi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin në vitin 1987 – pa pothuajse asnjë rezultat të prekshëm.

(Telegrafi)