Bislimi: Me kontratën Elektrosever-KEDS i jepet fund mospagesës së rrymës në veri

Prishtinë, 11 dhjetor 2023 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e quajti nënshkrimin e kontratës mes kompanisë “Elektrosever” dhe kompanisë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) si një hap tjetër drejt normalizimit të furnizimit me rrymë dhe lëshimit të faturave për qytetarët në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe.

Të shtunën, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, njoftoi për nënshkrimin e kontratës mes “Elektroseverit”dhe KEDS-it.

“Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në gjithë territorin e vendit tonë”, shkroi Bislimi të hënën në rrjetin social Facebook.

“Më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasi që pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, ‘Elektrosever’ pranoi ta nënshkruajë kontratën”, shtoi ai.

“Tani është koha të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vjetëve ilegalitetit në mospagesë të rrymës”, theksoi Bislimi.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ky udhërrëfyes nuk është zbatuar deri tani, për shkak se “Elektrosever” nuk pranonte të regjestrohej si kompani e Kosovës.

“Elektrosever” është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë “Elektroprivreda Srbije” (EPS). Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.

Qytetarët e katër komunave veriore të Kosovës nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar prej vitit 1999. Deri në vitin 2017 shpenzimet e tyre i kanë paguar me faturat e tyre qytetarët e komunave të tjera të Kosovës, kurse prej atij viti rryma e shpenzuar në këto komuma është paguar nga buxheti i Kosovës.

(r.m.)