Prishtinë, 15 dhjetor 2023 – Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve e Kosovës (ASHAK) ka shprehur edhe një herë shqetësimin për gjendjen e arsimit në Kosovë. Këtë herë, ajo e ka bërë këtë në kuadër të debatit publik që e pasoi publikimi e rezultatit të dobët të nxënësve të Kosovës në testin e PISA-s.
Sipas Kryesisë së ASHAK-ut, gjendja e keqe e arsimit në Kosovë është pasojë e “liberalizimit” pa masë të sistemit arsimor.
“Në emër të një demokracie të keqkuptuar, ne e kemi liberalizuar shkollën aq shumë, sa që sistemin arsimor e kemi bërë kaotik dhe e kemi kthyer në ‘ndërmarrje vullnetare’ , me mundësi ndërhyrjesh nga të gjitha anët, duke harruar se sistemi arsimor është konvencional dhe se shkolla është detyrim”, thuhet në komunikatën e Kryesisë së ASHAK-ut.
Dhe për këtë, sipas saj, “të gjithë jemi përgjegjës”
“… në një mënyrë ose në një tjetër, të gjithë jemi përgjegjës për një gjendje të këtillë: shoqëria dhe shteti; çdo organizëm shoqëror; të gjithë segmentet e tij; vetë sistemi arsimor, nxënësit, arsimtarët, prindërit, institucionet vendimmarrës dhe ligjzbatuese”, thotë ajo.
Kryesia e ASHAK i ka identifikuar edhe masat emergjente që duhet të ndërmerren për të përmirësuar këtë gjendje. Sipas saj, më e para është që sistemin arsimor ta marrë në dorë “shteti me institucionet e tij qendrore”.
“E para, sistemi arsimor i Kosovës duhet të jetë unik dhe i pandarë në nivele të ndryshme të qeverisjes. Shteti me institucionet e tij qendrore duhet të marrin në dorë shkollën me të gjitha segmentet e saj, sepse decentralizimi i keqpërdorur është pararendje për kaos, anarki dhe shthurje. Kjo kërkon një ndryshim substancial në Ligjin për shkollimin parauniversitar”, thuhet në komunikatën e Kryesisë së ASHAK-ut.
Ndër të tjera, Kryesia e institocionit kulmor të dijes dhe artit në Kosovë, sugjeron edhe depolitizimin e sistemit shkollor, depolitizimin e organizimit sindikal në sistemin arsimor, forcimin e kriterit të vlesësimit në procesin arsimor, përmirësimin e statusit të mësimdhënësve, forcimin e sistemit të kontrollit të arsimit nga “institucionet qendrore arsimore” dhe digjitalizimin e shkollës.
“Më në fund, si shoqëri ne kemi nevojë që përfundimisht ta kthejmë vëmendjen te shkolla dhe arsimi”, thuhet në komunikatën e Kryesisë së ASHAK-ut.
Aty shprehet edhe gatishmëria e ASHAK-ut që “të japë kontribut për tejkalimin e kësaj situate në shkollën tonë kombëtare”.
Komunikata e plotë e Kryesisë së ASHAK-ut:
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) edhe më herët ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e rëndë në arsimin e Kosovës në të gjitha nivelet. Para më shumë se dy vjetësh ASHAK hartoi një platformë, me anë të së cilës u përpoq të tërhiqte vëmendjen për gjendjen jo të mirë në arsim, në mësimdhënie dhe në mësimnxënie.
Tani, ashtu sikundër pritej, testi i PISA-s nxori në sipërfaqe një vlerësim jo pozitiv për gjendjen e arsimit në Kosovë. Të gjithë në një mënyrë ishim të vetëdijshëm se kjo do të ndodhte, se situatën në arsim e kemi alarmante, vetëm se ne nuk duam të kuptojmë se, në një mënyrë ose në një tjetër, të gjithë jemi përgjegjës për një gjendje të këtillë: shoqëria dhe shteti; çdo organizëm shoqëror; të gjithë segmentet e tij; vetë sistemi arsimor, nxënësit, arsimtarët, prindërit, institucionet vendimmarrës dhe ligjzbatuese. Në emër të një demokracie të keqkuptuar, ne e kemi liberalizuar shkollën aq shumë, sa që sistemin arsimor e kemi bërë kaotik dhe e kemi kthyer në “ndërmarrje vullnetare”, me mundësi ndërhyrjesh nga të gjitha anët, duke harruar se sistemi arsimor është konvencional dhe se shkolla është detyrim.
Lidhur me këtë situatë, Kryesia e ASHAK e sheh të arsyeshme të shprehet sërish dhe të identifikojë masat emergjente që duhet ndërmarrë në sistemin arsimor të Kosovës:
E para, sistemi arsimor i Kosovës duhet të jetë unik dhe i pandarë në nivele të ndryshme të qeverisjes. Shteti me institucionet e tij qendrore duhet të marrin në dorë shkollën me të gjitha segmentet e saj, sepse decentralizimi i keqpërdorur është pararendje për kaos, anarki dhe shthurje. Kjo kërkon një ndryshim substancial në Ligjin për shkollimin parauniversitar.
E dyta, sistemi shkollor duhet të depolitizohet në tërësinë e tij, sepse politizimi i shkollës është faktori kryesor që ka shkaktuar kaosin në shkollë dhe në të gjitha nivelet e arsimit. Fajtorë për këtë gjendje janë njësoj, si pozita si opozita, sepse opozita e sotme ishte pozitë e djeshme dhe anasjelltas, në një kohë që degradimi i shkollës është një proces që ka zgjatur gjatë gjithë kësaj periudhe.
E treta, organizimi sindikal i mësuesve dhe arsimtarëve duhet urgjentisht të depolitizohet dhe të mos jetë vendimmarrës në procesin arsimor. Sindikatat dhe këshillat e prindërve nuk mund të marrin vendime që bien ndesh me ligjin.
E katërta, në asnjë sistem shkollor, në këtë fazë që jemi ne, nuk mund të bëhet aq relativ dhe i parëndësishëm vijimi dhe vlerësimi (nota). Vijimi është përgjegjësi e prindërve në rend të parë, të cilët, me një lehtësi të madhe i privojnë fëmijët e tyre nga shkolla, duke i hequr nga procesi mësimor me orë dhe me ditë të tëra. Më anë tjetër, vlerësimi (nota) duhet të kthehet me krejt peshën e tij në shkollë dhe në sistemin arsimor.
E pesta, procesi edukativ si segment i rëndësishëm i shkollës duhet të jetë më rigoroz dhe më substancial. Në shkollat tona është futur delikuenca dhe kriminaliteti. Me këtë problematikë duhet të merren të gjitha institucionet e shtetit dhe organet e rendit.
E gjashta, statusi i mësuesit dhe arsimtarit duhet të ndryshojë urgjentisht. Ata duhet të vlerësohen për punën e tyre, por para së gjithash duhet të aftësohen profesionalisht dhe të rindërtojnë figurën e tyre. Ata duhet t’i nënshtrohen licencimit dhe proceseve të tjera që lidhen me aftësitë e mësimdhënies, performancën dhe meritokracinë. Mësimdhënësit që dëshmojnë aftësi dhe përkushtim, duhet të diferencohen edhe në pikëpamje financiare.
E shtata, niveli qendror i institucioneve arsimore duhet të shtojnë ekipet e kontrollit dhe të inspektimit nëpër të gjitha shkollat e vendit, për të vlerësuar nivelin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies, duke identifikuar përgjegjësit e dështimeve dhe duke i ndëshkuar ata.
E teta, niveli qendror i institucioneve arsimore, me germë dhe me normë, po ashtu ka detyrimin për të përcjellë nivelin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies edhe në të gjitha shkallët e arsimit privat në mbarë territorin e shtetit të Kosovës.
E nënta, duhet të fillojë urgjentisht digjitalizimi i shkollës, i cili duhet të ndryshojë metodën e mësimit, së pari duke pajisur shkollat me internet dhe secilin mësimdhënës me kompjuter dhe, së dyti, duke i aftësuar ata në krijimin e një sistemi komunikimi shkollë-prindër-nxënës. Faza e dytë e digjitalizimit do të nënkuptonte pajisjen e të gjitha mësonjëtoreve me kompjuter për secilin nxënës.
Më në fund, si shoqëri ne kemi nevojë që përfundimisht ta kthejmë vëmendjen te shkolla dhe arsimi.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, duke qenë se shumica e anëtarëve të saj kanë qenë të përfshirë për një kohë të gjatë në të gjitha nivelet e arsimit, shpreh gatishmërinë e saj të japë kontribut për tejkalimin e kësaj situate në shkollën tonë kombëtare.
KRYESIA E ASHAK
(r.m.)