(Fjalimi vjetor në Kuvendin e Kosovës)
I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,
I nderuar kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar ambasadorë,
Mysafirë të nderuar,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ju flas në fund të një viti jo të lehtë për shtetin tonë. Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator, Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj.
Një grup terrorist e paramilitar, i financuar, trajnuar dhe i mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha, i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim jo vetëm i vendit tonë, por edhe i të gjithë rajonit.
Në këtë ditë, Kosova u përball me një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza.
Ky sulm, i cili në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”.
Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar.
Në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjaku, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.
Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e Policisë sonë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.
Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në gjithë territorin tonë.
Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga përpjekja e çdoditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar të pranishëm,
Sulmi i 24 shtatorit dëshmoi sërish profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe trimërinë e guximin e institucioneve të sigurisë së Kosovës. Dua sërish të shprehë mirënjohjen e thellë për policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe të gjitha institucionet e angazhuara në ndaljen e këtij agresioni të Serbisë.
Por, të nderuar deputetë, sulmi i 24 shtatorit është po ashtu tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale politike e saj nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme, as për fqinjësi të mirë, e as për përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën.
Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit.
Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, ndaj Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta. Në esencë, Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinj që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n, nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.
Por, pavarësisht nga këto synime të Serbisë, ne jemi këtu, siç kemi qenë në periudha të hershme të historisë, siç kemi qenë këtu më 24 shtator dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t`u bërë gardianë të Republikës sonë.
Të nderuar deputetë,
Pikërisht në kohë të vështira, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës në mbrojtje të shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica. Kjo u dëshmua edhe pas 24 shtatorit, kur i gjithë faktori politik në vend u bashkua në mbrojtje të Republikës sonë, duke dëshmuar se në përballje me politikat hegjemoniste të Serbisë, ne jemi një.
Ne, bashkërisht duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur e të palëkundur kundër përpjekjeve për ta goditur Republikën tonë.
Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike, duhet të ketë unitet, pa dallim.
Rreshtimi i vetëm që na duhet sot është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran.
Mbrojtja dhe ekzistimi i këtij shteti është testament i trashëguar nga brezat para nesh, prandaj e kemi për detyrë ta lëmë më të fortë e më të përparuar për brezat që vijnë pas nesh.
Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë.
Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë.
Policia e Kosovës punon pa lodhur, duke u përballur me rrezik të vazhdueshëm, por, siguria nuk është vetëm përgjegjësi e tyre. Është një përgjegjësi e përbashkët që bie mbi secilin prej nesh. Prandaj, duhet të qëndrojmë vigjilentë e të bashkuar kundrejt situatave të tilla.
Të nderuar deputetë,
Procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojnë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
Mungesa e balancit dhe e qasjes së trajtimit të barabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova akoma përballet me masa të padrejta e joproporcionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër, duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë.
Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi.
Siç e dini, të nderuar deputetë, së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim – draft statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që do të duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe mos të lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë. Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të funksionimit të Republikës sonë.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar të pranishëm,
Si udhëheqëse e politikës së jashtme dhe përfaqësuese e vendit jashtë, ashtu siç edhe përcaktohet në Kushtetutë, fuqizimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i atyre të reja, vazhdon të mbetet ndër prioritetet kryesore të punës sime.
Ky nuk është një proces i lehtë, duke qenë se përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen. Synimi i tyre nuk është vetëm të dëmtojnë Kosovën, por ta dëmtojnë edhe një projekt të suksesshëm ndërkombëtar të aleatëve perëndimor që ka rezultuar me lirinë e pavarësinë tonë.
Në luftimin e propagandës serbo-ruse dhe përpjekjeve të tyre për goditje të shtetësisë së Kosovës, angazhimi im ka qenë intensiv dhe i palëkundur. Përgjatë këtij viti kam pasur afër 200 takime e bashkëbisedime me krerë shtetesh e krerë qeverish, si dhe takime shtesë me udhëheqës të tjerë institucionalë e udhëheqës të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare.
Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku me ekipin tim në riparimin e shumë dëmeve që janë bërë nga kundërshtarët e Kosovës dhe parandalimin e shumë të tjerave, e mbi të gjitha për punën e bërë në përmirësimin e imazhit dhe pozitës së Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa jam e vetëdijshme se rrugë jo e lehtë na pret përpara në avancimin ndërkombëtar të vendit tonë. Kemi arritur suksesshëm t`i rikonfirmojmë gati 100 për qind të njohjeve për çdo rast kur Serbia pretendonte kinse çnjohje të shtetit tonë, e të ndërtojmë aleanca të reja me shtetet që së shpejti pritet ta marrin këtë vendim.
Aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Njëkohësisht, dorëzimi i kërkesës se Kosovës për statusin e kandidatit në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane.
Ndërsa sfidat vazhdojnë, ne i qasemi kësaj rruge me këmbëngulje dhe me përkushtim, e mbi të gjitha me orientim të qartë strategjik, duke adresuar shqetësimet, duke zbatuar reformat dhe duke nxitur bashkëpunim me institucionet evropiane.
Pavarësisht se sa komplekse është, ne asnjëherë nuk do të heqim dorë nga kjo rrugë, përkundër vonesave të padrejta që bëhen përgjatë saj. Por, duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova e i gjithë rajoni ynë, jam më e bindur se kurrë se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti ynë numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global.
Me qëllim të shtyrjes përpara të prioriteteve tona, është shumë me rëndësi që shqiptarët në rajon të unifikojnë politikën e jashtme në të gjithë organizmat ndërkombëtar. Shqipëria është zëri ynë atje ku nuk kemi përfaqësim, ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, ne duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe ta konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm shtet simotër, por aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi përpara.
Në të njëjtën kohë kam vazhduar të ngrisë kudo në takimet ndërkombëtare çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen çdo ditë me diskriminimin mbi baza etnike në Serbi. Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim të ndryshimit të demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre elementare. E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat për marrjen e shtetësisë për bashkëkombasit tanë nga Lugina dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend.
Të nderuar deputetë,
Në këto dy dekada pune në institucionet e Kosovës, gjithnjë kam besuar se aleancat tona janë fuqia dhe përparësia jonë e madhe në çdo proces. Qytetarët tanë e dijnë më së miri këtë, sepse e kanë përjetuar e parë vet se si pikërisht fuqia e këtyre aleancave të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta e të ndërthurura me vullnetin e qytetarëve tanë e luftën çlirimtare, na shpëtuan jetërat, na bënë të mundur lirinë pas shumë sakrificash e na ndihmuan të ndërtojmë shtetin e ëndërruar për breza të tërë.
Sot, në këtë adresim vjetor, në emër të qytetarëve të Republikës sonë, shpreh mirënjohje të thellë ndaj shteteve mike e aleate të Kosovës, pa të cilat nuk do të ishim këtu ku jemi e me të cilat, jam e sigurt, që udhëtimi përpara do të shënohet nga suksese të reja. Sot, në veçanti, dua të falënderoj aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shtetet e tjera demokratike në Evropë e përtej.
Prandaj, edhe sot, kur sfidat që Kosova i ka përpara nuk po zvogëlohen, Kosova duhet të vlerësojë e të fuqizojë më shumë se çdo herë tjetër aleancat e saj. Bashkëpunimi e bashkërendimi me ata që na qëndruan pranë në momentet më të rënda të historisë sonë nuk është as nënshtrim e as dobësi. Në fakt është veprim në shërbim të shtetit. Shteti ynë i ka themelet e forta sepse qëndron mbi sakrificën e popullit tonë, por edhe mbi partneritetet që i kemi ndërtuar. Këta partnerë luftuan krah për krah me popullin e Kosovës, edhe kur na kanosej shfarosja, edhe kur mbronim shtetin tonë para e pas pavarësisë, edhe kur shënonim sukses pas suksesi në rrugëtimin tonë për fuqizimin e pozitës sonë ndërkombëtare.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë që gjithnjë e në çdo kohë do të pajtohemi, sepse mospajtime ndonjëherë ka edhe brenda së njëjtës familje. Por, të gjitha duhet t’i diskutojmë e t’i tejkalojmë me respekt reciprok e mbi të gjitha, duke mos lëkundur asnjëherë besimin. Rruga jonë përpara është e gjatë e aspak e lehtë. Por përkundër sfidave, jam e sigurt që puna që po e bëjmë së bashku ditë pas dite së shpejti do të na udhëheq drejt sukseseve të reja që do i shtojnë madhështinë partneriteteve tona me vendet mike e do i hapin Kosovës sonë të dashur kapituj të ri të arritjeve historike.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar të pranishëm,
Përkundër vështirësive e sfidave të shumta, gjatë këtij viti, falë angazhimit të institucioneve të sigurisë, zbatimi i ligjit në Kosovë është realizuar në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase.
Mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, parandalimi dhe zbulimi i krimit, mbrojtja e të drejtave dhe të lirive të njeriut, si dhe trajtimi në mënyrë të barabartë i të gjithë qytetarëve pa dallim, kanë dëshmuar për një shërbim policor me vlerat më të larta, kompetent në të gjitha aspektet, të besuar nga qytetarët, si dhe duke na bërë krenar me performancën. Prandaj mirëpres rritjen e vlerësimit për Policinë e Kosovës, përderisa mbes me shpresë se në muajt në vijim do të bëhet edhe shumë më shumë, sidomos për njësitë që vazhdimisht janë në mbrojtje të sovranitetit tonë, duke pasur parasysh rrezikshmërinë me të cilën përballen.
Gjithashtu, si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë, jam shumë krenare me djemtë dhe vajzat e FSK-së, të cilët kanë ndërtuar dhe zhvilluar kapacitete operacionale për realizimin e mandatit të tyre kushtetues e ligjor. Krahas mirënjohjes dhe vlerësimit të lartë për sukseset dhe të arriturat e Policisë dhe Ushtrisë sonë dhe rritjes së buxhetit të mbrojtjes në 2% të GDP, është me rëndësi të përmirësojmë edhe statusin e mirëqenien sociale e ekonomike të personelit në institucionet tona të sigurisë.
Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë, si trashëgimtare të vlerave të luftës për liri, pavarësi dhe demokraci, u ndërtuan dhe u zhvilluan me mbështetjen e madhe të partnerëve tanë, të cilëve u jemi mirënjohës përjetësisht.
Ky sistem dhe këto vlera kanë mundësuar që Policia dhe Ushtria jonë, të na bëjnë krenar me të arriturat e tyre, si polici dhe ushtri moderne, efikase, sipas standardeve më të larta të vendeve demokratike.
Të gjitha këto të arritura të Policisë së Kosovës konfirmojnë kërkesën e arsyeshme, gatishmërinë dhe vullnetin tonë për anëtarësim në INTERPOL dhe EUROPOL, sikurse edhe sa i përket FSK-së, e cila me sukseset e saj ka dëshmuar fuqishëm se Republika e Kosovës është e gatshme dhe meriton vendin e anëtarit fuqiplotë dhe dinjitoz në NATO, si synim kryesor shtetëror i institucioneve dhe qytetarëve të Republikës sonë.
Pavarësisht kërcënimeve shumë serioze ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe akteve të drejtpërdrejta të agresionit, e mirëpres thellimin e komunikimit, koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet reaguesve të parë të Kosovës – Policisë sonë – dhe Eulexit e KFOR-it, si reagues të dytë dhe të tretë.
Të nderuar deputetë,
Është e domosdoshme që shteti ynë të funksionojë mbi parimet dhe vlerat e përcaktuara nga Kushtetuta jonë. Rol kyç në këtë aspekt ka sistemi ynë i drejtësisë.
Në ketë drejtim, jam angazhuar brenda kompetencave kushtetuese në mënyrë që rritja e kapaciteteve në sistemin e drejtësisë të përcillet pashmangshëm me profesionalizëm, integritet dhe pavarësi të këtyre institucioneve.
Askush nuk na ndalon që ajo çka është ideale, të jetë edhe ideali ynë. Sundimi i ligjit është ideal i shtetit tonë dhe secili nga ne duhet çdo ditë të angazhohet duke bërë që vendi ynë të jetë shembull i sundimit të ligjit. Shfrytëzoj këtë adresim para Parlamentit dhe qytetarëve, për të inkurajuar institucionet e drejtësisë që të bëjnë reforma të cilat destinacion e kanë ofrimin e një drejtësie profesionale dhe të pavarur për qytetarët dhe integrimin tonë në familjen evropiane, si një vend i barabartë ku sundon ligji.
Sistemi i drejtësisë i reformuar, profesional, i pavarur dhe me integritet, është obligim i institucioneve ndaj qytetarëve tanë dhe këtë obligim duhet ta përmbushim pa asnjë justifikim. Për më tepër një sistem i drejtësisë i pavarur, është edhe përgjigja më e mirë ndaj krimit e korrupsionit.
Të nderuar deputetë,
Dhe një vit po e përmbyllim të rënduar nga hija e trishtimit sepse humbëm padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme jetë të shenjta të bashkëqytetareve tona të dashura. Liridona Ademaj është emri që kumbon fort sikurse edhe emri i shumë grave e vajzave të tjera si përkujtim i çdoditshëm i dhimbjes përvëluese që ngelet pas kur padrejtësia zë vend fuqishëm.
Kjo tashmë është një plagë e rëndë e shoqërive anë e mbanë botës. Nëse deri tani i referoheshim si pandemi, e vërteta është që kjo tashmë është shndërruar në tragjedinë e ditëve tona.
Ta kemi të qartë njëherë e përgjithmonë, dhuna me bazë gjinore nuk është thjeshtë një ‘çështje e grave’; është test për njerëzimin e një krizë shoqërore që kërkon angazhimin tonë të palëkundur për ndryshim, angazhimin e të gjithëve burra e gra bashkërisht. Dhuna me bazë gjinore është një njollë e patolerueshme në ndërgjegjen e shoqërisë sonë. Nuk është çështje private, është një turp kolektiv, një turp kolektiv me të cilin duhet të përballemi kokë më kokë. Ne qëndrojmë në një moment kyç ku duhet të deklarojmë pa mëdyshje se dhuna kundër çdo gjinie është edhe një sulm mbi thelbin e njerëzores.
Duhet të fuqizohet çdo hallkë në institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë në përballje me këtë fenomen. Në thelb, një sistem i fortë drejtësie nuk është thjeshtë një imperativ ligjor, është një gur themeli në përpjekjet tona më të gjera shoqërore për të çmontuar rrënjët e dhunës me bazë gjinore. Duke i mbajtur autorët përgjegjës e duke u dhënë atyre dënimin e merituar dhe duke siguruar drejtësi për të mbijetuarit, ne hedhim themelet për një të ardhme më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë.
Seksizmi është prezent pothuajse çdokund. Pothuajse secila grua e ka përjetuar atë, në një mënyrë apo tjetrën. Dallimi është në aftësinë e institucioneve për t’ju përgjigjur e në mundësitë për t’u ballafaquar me të.
Një grua e barabartë, një grua e fuqizuar, një grua e arsimuar, një grua me qasje të barabartë në pronë, një grua që ecën e sigurt rrugës, një grua të cilës i shërben drejtësia njësojë si edhe çdo burri, kjo grua është armiku më i madh i patriarkatit dhe seksizmit. Por kjo grua, njëkohësisht, është pasuria më e madhe e një shteti të avancuar e të suksesshëm. Këto duhet të jenë synimet tona, ky duhet të bëhet realiteti ynë.
E kam thënë e rithënë, e do ta them sërish: Kosova nuk ka vajza e gra për të humbur.
Të nderuar deputetë,
Brenda kësaj ndërtese ndërthuret puna jonë, puna juaj dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.
Ky interes është parësor, ngase ju jeni kujdestar të vullnetit të popullit, teksa pesha e detyrës sonë kolektive është e jashtëzakonshme.
Aspirata jonë evropiane, llogaridhënia, sundimi i rendit dhe ligjit përcaktojnë fatin e qytetarëve tanë, të cilëve u shërbejmë.
Vendimet tona, debati dhe përkushtimi për të mirën qytetare kanë luajtur rol esencial, ndaj kam besim që sadopak t`ua kemi lehtësuar jetën.
Është detyrë e jona të udhëheqim me ndjeshmëri dhe largpamësi, duke u siguruar që çdo politikë e hartuar në shtëpinë e qytetarëve të pasqyrojë vullnetin dhe vlerat, të cilat i përfaqësojnë qytetarët tanë.
Ne duhet të bëjmë edhe më shumë, ne mund të bëjmë edhe më shumë dhe nuk do të ndalemi për të bërë edhe më shumë!
Viti në të cilin do të hyjmë nuk do të jetë pa sprova, të cilat do të kërkojnë angazhimin tonë për t`i adresuar kërkesat e atyre që kanë më së shumti nevojë, për t`i mbrojtur të pambrojturit dhe për ta mbrojtur kauzën e drejtësisë dhe të barazisë.
Përgjegjësia jonë nuk përfundon vetëm duke i trajtuar problemet, por duke gjetur zgjidhjet më të mira dhe duke krijuar mundësitë për formësimin e perspektivës më të mirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim.
Viti që po lëmë pas kaloi në përpjekjen tonë të vazhdueshme për shtrirjen e funksionimit të ligjit në tërë territorin e shtetit.
Ky është synim parësor i yni nga i cili nuk do të heqim dorë me asnjë kusht. Ne jemi këtu për një Kosovë më të mirë në çdo cep të saj, një Kosovë që është shtëpi e të gjithë qytetarëve pa dallim.
Ky është obligim i yni kushtetues.
Zbatimi i ligjit është sfidë e përditshme që nuk fillon e as nuk mbaron në periudha të caktuara.
Për një gjë të tillë duhet angazhim jo vetëm i të gjithë qytetarëve, por edhe i tërë spektrit politik, duke e kuptuar rëndësinë e një Kosove stabile ku rendi e ligji janë prioritete tona shtetërore, të cilat më pas mund të përkthehen në zhvillim ekonomik, krijim të një mjedisi për investitorë të jashtëm, por mbi të gjitha për ta ruajtur potencialin e rinisë sonë, e cila perspektivën e saj duhet ta kërkojë këtu.
Republika jonë është vetëm 15 vjeçare. Ndërmend e kemi forcën dhe qëndrueshmërinë, krahas trashëgimisë së skalitur si një dëshmi e përkushtimit, sakrificës dhe heroizmit të dëshmorëve tanë për Kosovën shtet.
Shteti i Kosovës tashmë është farkëtuar dhe mishëron idealet mbi të cilat u krijua dhe padyshim është dëshmi e guximit të atyre që guxuan të ëndërrojnë dhe të luftojnë për lirinë dhe pavarësinë tonë.
Sot, sikurse në asnjë vit më parë të ekzistencës së shtetit tonë, kemi nevojë të rikonfirmojmë përkushtimin dhe besnikërinë ndaj këtij shteti të ndërtuar mbi sakrifica të panumërta. Duhet të dëshmojmë se jemi të palëkundur ndaj parimeve mbi të cilat u ndërtua Republika jonë si një shtet në të cilin ka vend për të gjithë, pavarësisht përkatësisë.
Një Republikë që promovon vlerat demokratike, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor.
Fuqizimi i Republikës sonë kërkon përkushtim, devotshmëri dhe patriotizëm kushtetues.
Republika e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e shumë brezave, rezistencën paqësore të udhëhequr nga Presidenti Rugova, luftën tonë çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja në krye me komandantin Adem Jashari, dëshmorët e martirët e shumtë dhe falë ndihmës së aleatëve tanë të prirë nga Shtetet e Bashkuara.
Shteti ynë i pavarur është një Republikë që evoluon çdo ditë, konsolidohet çdo ditë e më tepër, integrohet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare dhe është atdheu ynë për të cilin nuk duhet të kursejmë asgjë. Sfidat nuk duhet të na ndalin e as të na dobësojnë. Nga ky tempull i demokracisë, mesazhi im këto dy dekada ka qenë dhe gjithnjë do të mbetet: Kosova për ne është më shumë sesa vetëm shtet, është ideali dhe sakrifica jonë e përhershme, është përcaktimi ynë jetësor për liri, pavarësi e demokraci. Prandaj, jemi këtu për Kosovën, sot, nesër dhe përjetë!
Ju faleminderit!