Nga Keze Kozeta Zylo
Me dhimbje të madhe e mora lajmin e kobshëm për ndarjen para kohe nga jeta të profesor Musa Vyshkës, që çuditërisht në kujtesën e studentëve ai ngelet siç ka qenë i ri si në vitet, kur na ka dhënë leksionet e letërsisë shqipe.
Kam qenë e privilegjuar dhe me fat të mbaroja studimet e larta në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në djepin e Arsimit Kombëtar. Natyrisht për një studente të re plot ëndrra të dëgjoje në auditor profesor të nivelit të lartë shkencor-professional dhe pedagogjik si Musa Vyshka doemos qe do t’i kishje shembuj të drejtimit pedagogjik në jetë.
Ne studentët e letërsisë 1975-1979 gjithmonë mezi e prisnim orën e letërsisë shqipe të dëgjonim zërin magjik, të butë, autoritar dhe me një humor të hollë gjatë leksioneve të tij. Ai ishte i lirë si vetë letërsia e vërtetë, dinte të na drejtonte dhe ta çonte debatin në orët e poezisë, tregimeve, romaneve në mënyrën më tërheqëse dhe të bukur. Rinia gjithmonë e do poezinë dhe ne shpesh i drejtonim (ngacmonim) kujtesën e tij me pyetjet tona tek vargjet e dashurisë. Shpesh me studentët që sot janë pena të njohura ose mësuese të devotshme si me Vjollcën, Lirinë, Resmiun, Iqmetin, Fuatin, Reshidin, Hatixhen, Florën, Adën, Zamirën, Pranverën etj diskutonim apo bënin “plane” si do të debatojmë në leksionin e prof. Musa Vyshkës. Të qeshurat tona me humorin e hollë të profesorit më dukeshin shumë poetike, sot magjike kur i kujtoj.
Ai ishte nje poet delikat, në spjegim në sjellje, në lëvizjet para auditorit, ai ishte bilbil i Gjuhës Shqipe që e donte dhe i kushtoi një jetë të tërë.
Kur shkoja ne Shqipëri sipas mundësive do e takoja profesorin tim të nderuar duke i shprehur mirënjohjen e pakufishme dhe respektin për çfarë na kishte dhënë në Universitet. Herën e fundit kemi qenë në Tiranë tek kafja e famshme “Europa” ku zakonisht mblidhen, shkrimtarë, krijues, artistë etj. Kafen e lamë me shkrimtarin e mirënjohur Spiro Dede të cilët ishin miq të afërt. Ai dhe në kafe ishte shpirt i lirë, i pastër si pika e lotit. Në bisedë e sipër duke kujtuar dhe filluar me Dekanin e Universitetit si Vasil Kamami, profesorët e tjerë të nderuar si të ndjerët , Bedri Dedja, Qamil Buxheli, Mehmet Celiku, Tomorr Domi, Vasil Naska, apo me prof. Bardhyl Matraxhiu, Mustafa Karapinjolli, Vasil Naska, Tomorr Araniasi i thashë që kemi qenë vërtetë me shumë fat të merrnim dituri nga ju, ka qenë një plejadë profesorësh që vështirë se i kemi sot në këto kohra. -Unë do të iki neser i thashë, por disa libra të tyre i kam marrë me vehte për t’ju treguar nxënësve të mi në Amerikë. Çfarë kënaqësie do të kishja i thashë që këtë libër me poezi që po më dhuroni të vini dhe t’u flisni nxënësve. -Oh jo, kjo do të jetë e pamundur me tha të shoh Amerikën, ngase unë e kam tmerr avionin. Une jam shpirt i lirë dhe ju e dini shumë mirë këtë, në imagjinatën time avioni është një kafaz që s’mund ta mbylli dot kurrë Musa Vyshkën. Une sa të vë këmbën në avion o do t’i thërras Ëngjëjve të vinë të më marrin ose qoftë larg… Dhe kështu me humorin e tij që kishin plot mesazhe e bënte orën e leksionit 90 minuta të kalonte shumë shpejt. E lum profesor Vyshka se çfarë pasurie iu la studentëve, Arsimit Kombëtar, Letërsisë dhe Artit.
Musa Vyshka është lindur në Elbasan më 28 qershor 1942, u diplomua në degën “Gjuhë-Letërsi” në Tiranë 1960 -1964. Që nga krijimi i Institutit Pedagogjik të Elbasanit ishte pedagog i Letërsisë Shqipe dhe nga 1992-2002 ishte shef katedre i Letërsisë deri sa doli në pension. Pedagog Musa Vyshka ka ushtruar profesionin e gazetarirt. Në vitet 1981-1991, ishte Kryetar i Degës së Shkrimtarëve të Elbasanit, libretist në Teatrin “Skampa”.
Musa Vyshka ka qenë një ndër themeluesit e gazetës “Fjala e lirë”, por edhe anëtar i Keshillit Bashkiak të Elbasanit 1992-1996. Më 2022 është nderuar me titullin “Nderi i Qarkut të Elbasanit”.
Në poezitë e tij, shumica lirika të mrekullueshme ne ndjejmë dhe lexojmë një penë brilante si psh në poezinë: “Nuk di, të dhimbsesha apo më doje” , Në fund të arkës… një këmishë e vjetër/ Është vetë ajo e s’mund të jetë tjetër/ Ajo, praruar me mijëra ylberë/ Kurseva plot një verë për ta blerë/ E prita ditën të ma shihje ti,/ Por, kur e vesha, qielli krejt u nxi/ Ti pas rrëkeve heshtur më shikojë/ Nuk di: të dhimbsesha apo më doje/ Ai shikim i heshtur s’di ç’më tha/ Rrëke e fundit mbi këmishë ra.
Ai ishte poet i dashurisë, i më të ëmblës vepër dhe fjalë, herë herë para nesh dukej si një Esenin i vërtetë. Vargjet e tij jane vegëza dritëzash që frymëzojnë dhe edukojnë lexuesit me art, sqimën e fjalës, bukurinë e të shprehurit si psh në poezinë: O dashuri! o dritë e kësaj bote!
Ti fundi je i pritjes që s’ka fund/ Je prehja e shqetësimit që s’qetohet/ Sapo të shoh mërzia krahët shkund/ Trishtimi i trishtuar larg largohet/ Aq shumë të dashkam sa as vetë s’e di/ O dashuri! O dritë e kësaj bote/ Sa herë dal në pasqyrë, për çudi/ Veten kërkoj, më del fytyra jote!
Poeti ishquar dhe pedagogu im Musa Vyshka ishte siç thoshte Majakovski për Eseninin se është një poet që nuk lexohet, por këndohet si bardët e vjetër, ndërsa Gorki e ka quajtur “një organ i lindur vetëm për poezi”. Ai mjeshtërisht dhe me një dashuri të pashoqe iu këndonte fëmijëve duke i krahasuar me Diellin dhe ja se si: Kur qeshin fëmijët, Dielli na duket më i madh, më i zjarrtë/ ngjyrë e verdhë e rrezeve/ bëhet ngjyrë e artë/ Hëna sa një diell ndrin çdo natë.
Dhe doemos në përkujtimin tuaj dhe në shenjë mirënjohjeje do t’ja mësoj mbesës sime Dea-s dhe nxënësve në Amerikë, se ata vërtetë janë Dielli i Diasporës në Amerikë.
Dritë të pastë shpirti dhe poezitë tuaja do të jenë përgjithmonë ndriçim mbi çdo gur të kalasë elbasanase si dhe ndër zemrat tona si tek vargjet:
Do të fluturoj, do të tundem/ Stinë më stinë/Atje, Ku kam mbjellë këngët e mia/ Atje, Ku nuk do të digjem asnjëherë/ Dhe, i rinuar, mund të ngjallem përsëri/ Në degën që më përkundi/ Gjer në përjetësi…
Lamtumire profesori im i nderuar dhe shkrimtari i shquar i Atdheut!
14 dhjetor, 2023
Staten Island, New York