“U dha zë shqiptarëve të mërguar dhe zemër atdheut të vuajtur”.
Nga Ruben Avxhiu
Ka ndërruar jetë Ibrahim Egriu, aktivist i palodhur shqiptar në Suedi, arsimtar, e patriot dibran.
I lindur në Maqellarën e Dibrës, ai u shqua si mësues i përkushtuar e organizator i pjesësh teatrale nga nxënësit shqiptarë që ushqenin krenarinë kombëtare dhe edukimin e brezave të rinj. Për këtë u pengua e u kërcënua vazhdimisht në Jugosllavi derisa u detyrua në vitin 1984 të emigronte fillimisht në Zvicër e pastaj përfundimisht në Suedi.
Gati dy vjet pas mbërritjes në Suedi, më 5 maj 1986, filloi transmetimin e emisionit të parë radiofonik në Europë, “Zëri i Kosovës”. Që aty mbështeti me vendosmëri qëndresën shqiptare në Kosovë e ish-Jugosllavi përpara se të fillonte mobilizimi i madh mbarëshqiptar. Ishte udhërrëfyes në shumë drejtime për diasporën shqiptare në Europë.
Në sajë të punës së tij, Enti i Lartë Shkollor në Suedi, u bë vendi i parë në botë që botoi të gjitha tekstet mësimore në gjuhën shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë dhe i shpërndau ato kudo në vendet skandinave ku jetonin familjet shqiptare.
Një përshkrim të ditës kur u largua nga Dibra në 10 qershor 2004, mund ta lexoni në Facebook: https://www.facebook.com/GazetaDibra/posts/1784813064915651/
Pata fatin ta njoh në verën e vitit 2003 gjatë vizitës së tij në New York. Kishte ardhur në New York, për të marrë pjesë në Darkën Vjetore historike të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, në të cilën mori pjesë ish-Presidenti Bill Clinton. Aty u njoh me botuesin e gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami e cili e ftoi të vizitonte gazetën, të cilën e lexonte prej vitesh.
Në atë kohë festonte 65-vjetorin si dhe kishte hyrë në vitin 20 të jetës në mërgim, që na u duk si një arsye e mirë që ta intervistonim e të shkruanim për të në gazetën “Illyria”.
Vëllai i tij, Luan Egriu kishte mërguar në SHBA ku kishte ndërruar jetë shumë vjet më parë. Nipi tij, Naxhi Egriu, ish-luftëtar i UÇK-së, kishte vdekur në aeroport ndërsa po nisej për t’iu bashkuar edhe UÇK-së në Maqedoni. Nipi tjetër që e shoqëronte, gjatë asaj vizite, Emin (Eddie Egriu) ka kandiduar për në Kongresin Amerikan dhe është aktiv në jetën e komunitetit në SHBA.
Gjatë vizitës së tij në redaksinë e gazetës “Illyria” bëra një bisedë me të, e cila u botua në 4 korrik 2003, me titullin: “Njëzet vjet veprimtari kombëtare në mërgim e patriotit dibran, Ibrahim Egriu” dhe, me nëntitullin kushtuar punës së radios së tij: “Ai u dha zë shqiptarëve të mërguar dhe zemër atdheut të vuajtur”.
Që prej asaj dite mbetëm gjithmonë në lidhje. Në 20 vitet që pasuan nuk pushoi asnjëherë së menduari e punuari për kombin shqiptar. E kishim deri në fund një lexues të rregull dhe dashamirës të gazetës “Illyria”.
Në emër të redaksisë dhe botuesit Vehbi Bajtami i shprehim ngushëllimet tona familjes Egriu, të afërmve dhe miqve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.