Sot pritet vendimi i GJKKO për masën e sigurisë ndaj Berishës

Tiranë, 30 dhjetor 2023 – Sot (e shtunë), në orën 12:00, në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pritet të mbahet seanca e radhës ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili është nën hetim për abuzim të detyrës lidhur me rastin e privatizimit të kompleksit sportive “Partizani” në Tiranë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korupsionit (SPAK) ka kërkuar masën e sigurisë “arrest shtëpie me mbikëqyrje policore” për Berishën, pë shkak se ai nuk e respektoi masën paraprake të sigurisë “detyrim paraqitje në polici”.

Në seancën e së enjtes, gjyqtarja e çështjes Irena Gjoka, tha se shtyrja e shpalljes së vendimit për sot u bë për t’ dhënë kohë avokatëve të njihen me provat.

Avokatët kërkuan të njihen me regjistrimet audio dhe me procesverbalet e seancave të fundit në GJKKO, për të provuar pretendimet e tyre për njëanshmëri. Ata kanë paralajmëruar edhe përsëritjen e kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Gjoka, mirëpo, deri në orën 16:00 të së premtes, në sekretariatin e gjykatës nuk është paraqitur kjo kërkesë.

“Në vijim të interesit të shfaqur nga gazetarët Ju bëjmë me dije se deri në orën 16.00, në sekretarin e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka! Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin”, njoftoi GJKKO të premten.

SPAK ka kërkuar që Berisha të ruhet me polic në derën e shtëpisë dhe të ndalohet komunikimi e tij me persona të tjerë përveç familjarëve me të cilët jeton në të njëjtën banesë.

Berisha i ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e SPAK-ut, duke e cilësuar si mekanizëm në shërbim të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, Rama po përdor sistemin e drejtësisë, të cilin e konrollon plotësisht, për të shkatërruar opozitën, e cila po nxjerr në pah abuzimet e tij me pushtetin dhe me fondet e të mirat publike, si edhe lidhjet tij me krimin e organizuar dhe mafian.

(r.m.)