BOSTON: KËNGËTARËT ENDRI DHE STEFI PRIFTI, SI DHE VALBONA MEMA, “NDEZIN” ATMOSFERËN E VITIT TË RI

Nga Fuat Memelli

Sivjet për të kënaqur shqiptarët e Bostonit e qytetet rreth tij, erdhën nga Shqipëria këngëtarët e shquar, vëllezrit Endri e Stefi Prifti si dhe Valbona Mema. Ishin të ftuar nga grupi i shokëve “Çunat e Bostonit”. Është ky një grup shokësh nga Shqipëria, Kosova e treva të tjera shqiptare. E kanë quajtur grupimin e tyre “Çuna..” por në fakt shumica janë burra të martuar e me fëmijë, por ajo që i bashkon, është miqësia, është shpirti djaloshar. Një pjesë e tyre u bënë anëtarë të degës së Vatrës në Boston në takimin që u organizua më 17 dhjetor të këtij viti. E çelën koncertin vëllëzrit Endri e Stefi me këngët e bukura korçare, për të vazhduar më pas me këngë të krahinave të tjera. Këngët shhqiptare i “ndezin” zemrat e emigrantëve, pasi janë këngë që sjellin “aromë” Shqipërie, Kosove e të trojeve të tjera shqiptare, ku kanë lindur e janë ritur. I duket sikur sjellin zërat e të afërmve të tyre që i mungojnë këtu në Atdheun e dytë. Me këngëtarët bashkohen edhe zërat e pjesëmarrësve që më ngjajn me një kor të madh pa dirigjent. Herë pas here vëllezrit korçarë ndrrohen me këngëtaren e Shqipërisë së mesme, Valbona Mema. Edhe këngët e saj i “ngjitin” pjesëmarrësve, pasi këngët tona tani janë “pronë” e gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë. Emigrantët bëjnë foto me këngëtarët. Janë këto copëza kujtimesh në prag të largimit të vitit të vjetër dhe mbritjes së Vitit të Ri.

Pyes Ardi Bocovën, i cili është një nga organizatorët e kësaj veprimtarie, për numërin e pjesëmarrësve dhe ai më thotë se në sallë janë 240 veta. Është një shifër jo e pakët kjo.

Në një moment kur Endri dhe Stefi i kishin lënë skenën Valbonës, i pyes për koncertet që do japin në Amerikë dhe punët e tyre të fundit në Shqipëri. Endri më thotë: “Pyet Stefin se këtë kemi ‘zëdhënës’ të grupit”. Stefi më tha se veç Bostonit, nesër do këndojnë për shqiptarët e Detroitit, ditë tjetër për ata të Teksasit e më pas për ata të Konektikës.

Për punët e tyre të fundit në Shqipëri, më thotë se më 21 dhjetor kanë publikuar një këngë të re kushtuar Krishtlindjeve me titull “Vetëm një natë”. Tekstin dhe kompozimin e ka bërë këngëtari i njohur korçar, Mihallaq Andrea. Kjo është kënga e parë në Shqipëri që i kushtohet Krishtlindjeve, thotë Stefi. Më tregon gjithashtu se në Televizionin News 24, për natën e Vitit të Ri kanë regjistruar një program, ku veç tyre do ketë të ftuar edhe këngëtarë të tjerë. Ky program do vazhdojë çdo të hënë.

Me këngën e bukur “Kuq e zi” që këndohet nga të mëdhenj e të vegjël në gjithë trevat shqiptare si dhe urimin “Gëzuar Vitin e Ri !”, u mbyll ky koncert i bukur.