Publikohet akuza ndaj ish pjesëtarit të UÇK-së Pjetër Shala

Hagë, 16 prill 2021 – Dhomat e Specializuara me seli në Hagë njoftuan të enjten mbrëma se ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, është transferuar në Holandë.

Pjetër Shala, i njohur gjatë luftës në Kosovë me nofkën “komandant Ujku”, është arrestuar në Belgjikë, më 16 mars. Ai akuzohet për veprat penale “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme”.

Në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar thuhet se “krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit të vitit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri)”, që pretendohet se përdorej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Zoti Shala pritet të dalë para gjykatësit të procedures paraprake në Hagë të hënën, me 19 prill.

Dhomat e Specializuara, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale e Kosovës.  trajtojnë pretendimet për krime lufte të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Hagë ndodhen tashmë pesë ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët janë arrestuar në nëntor të vitit të kaluar.

Në shtator ishte arrestuar dhe transferuar në Hagë edhe Salih Mustafa.

Të gjithë këta akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, akuza këto që ata i kanë hedhur poshtë.

Në Hagë ndodhen edhe dy kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, dhe nënkryetari i kësajorganizate, Nasim Haradinaj. Ata akuzohen “për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

(r.m.)