Tiranë, 2 janar 2024 – Simpatizantët e ish-kryeministrit Sali Berisha janë mbledhur sot poshtë shtëpisë së tij, duke brohoritur.
Nga pamjet brenda banesës së tij, Berisha shihet duke bërë me dy gishta simbolin e fitores dhe i ka valëvitur flamujt e PD-së.
Pas daljes në ballkon dhe përshëndetjes me mbështetësit e tij, në një postim në Facebook, Berisha i ka përshëndetur mbështetësit e tij, të cilët i ka quajtur “luftëtarë të lirisë”.
“Duke përshëndetur luftëtarët e lirisë në betejën e tyre pa kthim kundër diktaturës së drogës, krimit e korrupsionit”, ka shkruar Berisha.
Balkanweb ka publikuar pamje nga banesa e Berishës.
Dy ditë më parë, Gjykata Kundë Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) e miratoi kërkesën e SPAK-ut për shtrëngimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Berisha nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie me mbikëqyrje policore”.
Gjykata e urdhëroi Berishën të mos largohet nga banesa, të mos ketë kontakt me askënd përveç me personat që jetojnë në banesë bashkë me të dhe të mos komunikojë me persona që nuk janë familjarë të tij.
Sali Berisha është i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim. Dyshimet kanë të bëjnë me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.
I dyshuar në lidhje me këtë çështje është edhe dhëndrri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili gjendet në arrest shtëpie.
Berisha, i cili është kryetar i fraksionit më të madh të Partisë Demokratike, i cili e ka mbështetjen më të madhe të anëtarësisë, i ka mohuar kategorikisht pretendimet e SPAK-ut. Ai ka thënë së sistemi i drejtësisë është vënë në shërbim të kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas tij, ka synim shuarjen e opozitës dhe të opozitarizmit në Shqipëri.
(r.m.)