Shkon në 78 numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni

Tokio, 4 janar 2024 – Dhjetëra njerëz rezultojnë të zhdukur pas tërmetit të fuqishëm që e goditi Japoninë në ditën e parë të Vitit të Ri, ndërsa është konfirmuar se 78 persona kanë vdekur dhe së paku 330 janë lënduar.

Tërmeti me magnitudë 7.5 shkallë e goditi Gadishullin Noto në Ishikawa, por dridhjet u ndjenë deri në Tokio. Një cunam goditi më pas brigjet e gadishullit, me valë të larta mbi një metër.  Cunami e goditi qytetin e Suzhou më pak se një minutë pas tërmetit që do të thotë se banorët që jetonin buzë detit nuk kishin kohë për evakuim.

Gati 72 orë pas katastrofës, 51 persona rezultojnë ende të zhdukur, duke zbehur shpresat se mund të jenë gjallë.

Shiu po e bën edhe më të vështirë operacionin e kërkim-shpëtimit që përfshijnë mijëra anëtarë të forcave të armatosura japoneze, brigadës së zjarrfikësve dhe policisë nga i gjithë arkipelagu.

Kushtet gjithashtu po e bëjnë të vështirë dërgimin e ushqimit dhe furnizimeve të tjera për viktimat e tërmetit, duke përfshirë rreth 300 që janë strehuar në një shkollë në Suzhou.

Ushtria pritej të përdorte helikopterë për të arritur në zonat ku aksesi është më i vështirë. Rreth 29,000 familje janë pa energji në Ishikawa, ndërsa më shumë se 110,000 kanë mbetur pa ujë.

Japonia gjendet në të ashtuquajturën “unazë zjarri” të Oqeanit Paqësor. Ajo është një nga vendet e goditura nga tërmetet më të forta në botë.

(r.m.)