Rusia hakmerret, i dëbon 10 diplomatë amerikanë

Moskë, 16 prill 2021 – Rusia do të dëbojë 10 diplomatë amerikanë në shenjë hakmarrjeje ndaj dëbimit të një numri të ngjashëm të diplomatëve rusë nga ana e Uashingtonit.

SHBA-ja dëboi diplomatët rusë për shkak të pretendimeve për ndërhyrje në zgjedhje, sulme kibernetike dhe veprimeve tjera keqdashëse.

“Në formë të barabartë do t’i përgjigjemi kësaj mase. Do të kërkojmë që 10 diplomatë amerikanë në Rusi të largohen nga vendi”, tha ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov gjatë një konference me gazetarë së bashku me homologun e tij serb.

Ai gjithashtu tha se ndihmësi i lartë i politikës së jashtme të presidentit Vladimir Putin, Yury Ushakov, kishte rekomanduar që ambasadori amerikan, John Sullivan të kthehej në Uashington për të kryer “konsultime serioze”.

Në muajin mars, ambasadori i Rusisë në Uashington u kthye në Moskë për konsultime, pas një deklarate të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili e kishte quajtur Putinin “një vrasës”.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se tetë zyrtarë të lartë të administratës aktuale amerikane dhe asaj paraprake do të ndalohen të hyjnë në Rusi. Ndalesa përfshinë Drejtorin e Byrosë Federale të Hetimebe (FBI), Christopher Wray, drejtoren e Inteligjencës Kombëtare, Avril Haines, Prokurorin e Përgjithshëm, Merrick Garland dhe Sekretarin e Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas.

Lavrov gjithashtu theksoi se Moska po shqyrton marrjen e masave “të dhimbshme” që do të mund të shënjestronin bizneset amerikane në Rusi dhe do të vendoste sanksione ndaj tetë zyrtarëve amerikanë.

Moska gjithashtu planifikon të ndalojë aktivitetin në Rusi të fondeve amerikane dhe organizatave joqeveritare që ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit, tha ai.

Këto lëvizje të Moskës po ndodhin një ditë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të gjera ndaj Rusisë si hakmarrje për ndërhyrjet në zgjedhje, sulmet kibernetike dhe atë që Uashingtoni e përshkroi si aktivitetet e tjera të huaja “të dëmshme” të Moskës.

Presidenti amerikan, Joe Biden, më 15 prill njoftoi për dëbimin e 10 diplomatëve rusë dhe sanksione kundër dhjetra individëve dhe entiteteve të tjera ruse.

(REL)