Tiranë, 8 janar 2024 – Kryeministri Edi Rama njoftoi të hënën krijimin e një ministrie të re që do të shkrijë ministrinë e Kulturës me Ekonominë dhe në krye të saj emëroi Blendi Gonxhen, një bashkëpunëtor i tij i vjetër.
“Kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës”- shkruan Rama në platformën X (ish-twitter).
Ai publikoi shkresën e dërguar presidentit të Republikës për të emëruar Gonxhen ministër të Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit duke e justifikuar vendimin me nevojën për një qasje të re në këto sektorë.
Si pasojë e këtij ndryshimi në strukturë largohet nga kabineti qeveritar Elva Margariti, një arkitekte me profesion, e cila shërben si ministre e Kulturës prej janarit 2019.
Gonxhe drejton aktualisht Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) nën varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
I njohur si një nga studentët e dhjetorit ’90, Gonxhe ka qenë një bashkëpunëtor i hershëm i Ramës në kohën kur ky i fundit u zgjodh kryetar i bashkisë Tiranë në vitin 2000. Pasi shërbeu si nënkryetar i bashkisë për 2 vite u rikthye në këtë bashki si drejtor i Rekreacionit nën drejtimin e Erjon Veliajt në 2015-ën.
Kryeministri e cilëson Gonxhen një drejtues publik të spikatur në reformimin e institucionit që drejton nga 2018-a dhe me një orientim konstant ndaj inovacionit dhe pse vitin që shkoi Autoriteti i Konkurrencës konstatoi si të paligjshme një marrëveshje të firmosur nga ai me shoqatat e autoshkollave e cila dyfishonte çmimin e shërbimit të autoshkollës.
Rama e ndryshoi qeverinë për herë të fundit në fillim të shtatorit duke bërë ndryshime në shtatë poste ministrore në fund të një fjalimi të gjatë përpara Asamblesë së Partisë Socialiste, pa shpjeguar motivet e riformatimit të kabinetit të tij.
Ai vendosi të largojë nga kabineti i tij ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, atë të Bujqësisë, Frida Krifca dhe ministren e Arsimit, Evis Kushi. Me këto ndryshime ai zhvendosi ministren e Shëndetësisë Olgerta Manastirliu te Arsimi duke emëruar në vend të saj drejtoreshën e Administratës Publike Albana Koçiu dhe spostoi Delina Ibrahimi nga Financat në një ministri pa portofol duke emëruar Ervin Meten, një tjetër drejtor agjencie shtetërore në vend të saj.
Ky është ndryshimi i katërt në qeveri prej kohës kur Rama mori një mandat të tretë qeverisës në vitin 2021.