“Independent”: Pilotëve u është kërkuar të kenë shumë kujdes kur fluturojnë mbi Shqipërinë

Londër, 16 prill 2021 – Pilotëve u është kërkuar të “bëjnë shumë kujdes” kur fluturojnë në hapësirën ajrore të Shqipërisë, për shkak të frikës për kompetencën e kontrollit të trafikut ajror (ATC).

Kështu shkruan gazeta britanike Independent”, pas ngjarjeve të fundit të regjistruara në Aeroportin e Rinasit, duke shtuar se kërkesa ndaj pilotëve ndjek “një sekuencë të çuditshme të ngjarjeve që përfshijnë kontrollorët që punojnë për Albcontrol, ofruesi kombëtar i navigimit ajror”.

Gazeta kujton se tre kontrollorë u arrestuan, dy prej të cilëve mbetën në burg, kurse i treti në arrest shtëpiak.

Gazeta kujton se kontrollorëve iu përgjysmua paga për shkak të një kolapsi të të ardhurave të sjella nga pandemia e koronavirusit.

Sipas rregullave ndërkombëtare të sigurisë ajrore, aftësia për të punuar për kontrollorët e trafikut ajror është një vendim personal.

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Pilotëve të Linjave Ajrore (IFALPA) paralajmëroi: “Ekziston një mosmarrëveshje e vazhdueshme midis ATC dhe autoriteteve, e cila ka rezultuar në ndalimin e tre kontrollorëve”.

“Megjithëse hapësira ajrore është rihapur, kontrollorët shqiptarë ende punojnë nën presion ekstrem për vijimin e punës në të ardhmen.

Ka raporte që janë sjellë kontrollorë nga shtetet e tjera për të zëvendësuar kontrollorët shqiptarë. Statusi i tyre sa i përket trajnimit dhe vlerësimet janë të panjohura”.

Pilotëve u kërkohet të tregojnë shumë kujdes gjatë operimit brenda kësaj hapësire ajrore”, thuhet më tej.

Shërbimi i informacionit të aviacionit OpsGroup tha: “Veprimi i autoriteteve shqiptare duhet të shihet për atë që është – një gjykim i gabuar i tmerrshëm, duke krijuar një rrezik sigurie në të gjithë hpësirën ajrore shqiptare.”

“Independent” ka kërkuar një përgjigje nga Albcontrol. Normalisht shumë fluturime nga Mbretëria e Bashkuar për në Greqi dhe më tutje fluturojnë mbi Shqipëri.

Ata janë midis më shumë se gjysmë milioni fluturimesh që e përdorin hapësirën ajrore shqiptare në një vit tipik – duke sjellë 25 milion € në Albcontrol.

Por, numri i fluturimeve ka rënë me rreth 80 për qind, me një rënie konsekuente të fitimeve. Asnjë fluturim midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë aktualisht nuk besohet të jetë duke operuar.

(Panorama.al)