Në Kosovë më 15 janar, krerët shtetërorë nderuan viktimat e masakrës së Reçakut.
Në këtë fshat të Shtimes, 25 vjet më parë forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.
Gjatë vendosjes së kurorave me lule në këtë fshat të Shtimes, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, falënderoi ish-ambasadorin amerikan, William Walker, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni.
Walker, gjatë vitit 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe kishte dokumentar krimet e kryera në këtë fshat.
Sipas Osmanit, masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës. Ajo tha se Walker për 25 vjet ka punuar që të mbrojë të vërtetën e Reçakut, por shtoi se kjo ngjarje ende mohohet në Serbi.
“…në një kohë kur për fat të keq, regjimi i sotëm i [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiqit, që është vazhdimësi e regjimit të [ish-udhëheqësit serb, Sllobodan] Millosheviqit, jo vetëm që mohon masakrën e Reçakut, por edhe i arreston e torturon ata të cilët vendosin lule mbi varret e fëmijëve të vrarë gjatë luftës”, tha Osmani.
Për Walkerin, ky përvjetor është ngjarje emocionuese, por ai shtoi se banorët e këtij fshati sakrifikuan që qytetarët të kenë sot Republikën e Kosovës.
“Kam ardhur sot, siç kam ardhur në 25 vjetët e fundit, për të parë se çfarë ka mbetur nga ajo kujtesë në mesin e të rinjve, që janë nën 25 vjeç, e nën 30 vjeç, që mendoj se përbëjnë 30 për qind të popullsisë. Këta të rinj nuk kanë kujtesë të veten se si ishte jeta në Kosovë nën diktatin e Millosheviqit dhe Qeverisë në Beograd. Për mua Reçaku përfaqëson një ndryshim, një lëvizje nga ajo se çfarë Reçaku përfaqëson sot. Për mua përfaqëson atë që Kosova ka arritur të bëjë që nga viti 2008”, tha Walker gjatë ceremonisë përkujtimore.
Gjatë akademisë përkujtimore për 25-vjetorin e ngjarjeve në Reçak, Osmani tha se masakra e ndodhur në këtë fshat të Shtimes “tronditi themelet e ndërgjegjes njerëzore kudo në botën demokratike”.
“Sepse bota përjetoi një ndër masakrat më të tmerrshme që ka ndodhur në Evropë në fund të shekullit të 20-të. Kjo masakër ka dëshmitarë të gjallë të cilët përjetuan llahtarinë e asaj dite. Përveç banorëve të mbijetuar, dëshmitë e të cilëve janë thelbësore, jo vetëm për kujtesën tonë historike por edhe për zbardhjen e autorit të krimit, kjo masakër pati edhe një krye-dëshmitar i cili ndodhet me ne edhe në këtë përvjetor, ambasadorin William Walker”, tha Osmani, duke shtuar se dëshmia e ish-ambasadorit ishte kthesë në përpjekjet e Kosovës për liri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se masakra e Reçakut “e tronditi opinionin publik ndërkombëtar dhe diplomacinë ndërkombëtare dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në akademinë përkujtimore se masakra e Reçakut ishte më e tmerrshmja.
Ai tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vazhdon të mohojë krimet e kryera gjatë luftës, teksa theksoi se Kosova nuk fal krimet.
“Atëherë nga pozita e ministrit të informacionit, kurse sot nga ajo e presidentit të Serbisë, ky njeri e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit të kryer nga pushteti i Serbisë”, tha Kurti.
Ndërkaq, kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se pas masakrës së Reçakut, bota demokratike e “kuptoi se gjuha që e njeh Serbia është gjuha e forcës”, duke iu referuar bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.
Në përvjetorin e masakrës së Reçakut, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, citoi thënien e Dr. Martin Luther King “padrejtësia kudo është kërcënim për drejtësinë diku tjetër”, duke bërë thirrje që të mos lejohet të mohohet ajo çfarë ndodhi në këtë fshat.
“Mos lejoni që askush të mos e harrojë apo ta mohojë atë çfarë ndodhi në Reçak, ose pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët u dolën në mbrojtje popullit të Kosovës. Më kujtohet ajo ditë shumë mirë”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllav.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. (Radio Evropa e Lirë)