Kombet e Bashkuara: Menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri ka probleme serioze

Komisioni Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara ka rishikuar raportin periodik për vendin tonë këtë janar, duke u ndalur në disa prej zhvillimeve më domethënëse, një pjesë e mirë të cilave u vunë në dukje që në nëntorin e 2023.

Duke prekur çështjen e emigracionit të rritur si pasojë e diferencave në standardin e jetesës apo tkurrjen e popullatës në moshë pune, raporti ndalet edhe te sektori i energjisë dhe menaxhimi i mbetjeve. Lidhur me këtë të fundit ka vetëm një fjali që paraqet shkurtimisht gjendjen sesi perceptohet ky aspekt për vendin tonë.

Konkretisht, në seksionin “diversifikimi dhe rritja e efikasitetit do të rriste sigurinë e energjisë” thuhet: emetimet e gazeve serrë në Shqipëri janë shumë më të ulëta se ato në rajon, ndërsa eficienca e energjisë është relativisht e lartë.

Prodhimi i energjisë elektrike mbështetet pothuajse ekskluzivisht në hidrocentrale, të cilat ende ofrojnë një potencial të pashfrytëzuar për zhvillim.

Megjithatë, vendi ka ende nevojë të importojë energji elektrike gjatë periudhave të thata, ndërkohë që humbjet në sektor përfaqësojnë më shumë se një të pestën e furnizimit me energji elektrike.

Shqipëria është e ekspozuar ndaj tërmeteve dhe përmbytjeve, gjë që shton cenueshmërinë mjedisore dhe, duke pasur parasysh strukturën aktuale të furnizimit, minon sigurinë energjetike. Menaxhimi i mbetjeve paraqet mangësi serioze.

Raporti nuk jep detaje të mëtejshme sa i takon asaj që cilësohet si mangësi ë menaxhimin e mbetjeve apo dobësive që identifikohen. Aktualisht menaxhimi i mbetjeve në vend është i orientuar në dy drejtime.

Së pari me landfillet që janë mbështetur nga disa kredi të bankës gjermane dhe që kanë zënë vend në disa rajone të Shqipërisë ku së fundmi po i jepet zë edhe ekonomisë qarkulluese.

Më i fundit është projekti që po mbështetet nga Bashkimi Europian për me një vlerë 19 milionë euro nën projektin “BE për Ekonominë Qarkulluese – Programi Rajonal i Menaxhimit të Mbetjeve” që ka si qëllim të mbështesë Shqipërinë në rritjen e riciklimit, ngritjen e landfilleve dhe menaxhimin e mbetjeve në përputhje me praktikat e Bashkimit Europian. Në këtë rast ky projekt mbështet konkretisht rajonet e Gjirokastrës, Vlorës, Jugut  në tërësi dhe, Kukësit.

Një tjetër alternativë menaxhimi në vend është ajo përmes inceneratorëve që aktualisht janë nën hetim nga SPAK. Në gusht të vitit të shkuar ky institucion vuri nën sekuestro inceneratorin e Tiranës teksa më herët në vitin 2022 u sekuestrua ai i Fierit dhe pas mbylljes së hetimeve çështja përfundoi me dënimin e një sërë personave. Inceneratori i Elbasanit nga ana tjetër është nën menaxhimin e bashkive të këtij qarku.

Menaxhimi i mbetjeve ka paraqitur probleme serioze ndër vite, pavarësisht masave apo orientimit të dhënë nga qeveria ku në disa raste kjo ka ndodhur në pikun e sezonit ndërkohë që rasti më i fundit problematik ishte zjarri në landfillin e Vlorës që zgjati për ditë të tëra duke ndotur qytetin bregdetar.

(Monitor.al)