Tiranë, 23 janar 2024 – Ish-kryeministri Sali Berisha u përball për herë të parë me prokurorët e SPAK të martën për akuzat e korrupsionit, të ngritura ndaj tij dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi në lidhje me privatizimin dhe ndërtimin e një kompleksi pallatesh në zonën e ish-klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Berisha mbërriti në SPAK i shoqëruar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj, ndërsa një grup mbështetësish e pritën aty me ovacione. Pas seancës së pyetjeve, Berisha akuzoi prokurorët për “trillime dhe mashtrime” me dosjen hetimore, ndërsa kundërshtoi sërish dyshimet e ngritura për favorizimin e dhëndrit të tij gjatë kohës që ishte kryeministër.
“Nga vendimi për letrat me vlerë kanë fituar mbi 40 milionë euro dhjetra mijëra qytetarë,” tha Berisha për njërën prej akuzave – ndërsa shtoi se Malltezi kishte përfituar nga ky vendim vetëm 64 euro.
Për një akuzë të dytë lidhur me ndryshimin e ligjit të Sporteve për t’i hapur rrugën tjetërsimit të terrenit sportiv, Berisha pretendoi se ky vendim korrektonte një vendimarrje të mëparshme të tij që parashikonte dhënien e këtyre terreneve me koncesion.
Ish-kryeministri Berisha shtoi gjithashtu se prokurorët kishin shmangur nga hetimi kryeministrin aktual, Edi Rama, që në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës në atë kohë vendosi ndryshimin e destinacionit të truallit.
“Akuza që i bëhet Berishës se ndryshoi destinacionin është identike me akuzën ‘Sali Berisha bleu Edi Ramën për të pasuruar dhëndrin e tij’. Kur përmenda Edi Ramën, vetëm sa nuk u futën nën tavolinë,” tha ai.
Berisha e cilësoi gjithashtu trillim dhe mashtrim të prokurorisë akuzën që lidhet me kontrollin e ushtruar ndaj gjeneralit të kohës, Vladimir Qirjazi nga departamenti i Antikorrupsionit pranë kryeministrisë.
“Gjenerali në djalë mbante peng sendin e blerë nga pronarët, nuk ka lidhje fare me privatizimin,” shtoi ai.
Prej tetorit të vitit të kaluar, Berisha akuzohet nga SPAK se ka ndërmarrë ndryshime ligjore në përfitim të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi – duke i mundësuar këtij të fundit që të ndërtonte biznesin e një kompanie nga e cila përfitoi 5.4 milionë euro.
Berisha, 79 vjeç, është zyrtari më i lartë në tre dekada që përballet me një hetim të tillë, pas arrestimit dhe burgosjes së ish-kryeministrit Fatos Nano në vitin 1993.
Prej fundit të dhjetorit, Berisha ndodhet në arrest shtëpie pasi nuk zbatoi një vendim të mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, vendim të cilin ai e konsideron si antikushtetues.
(Repoerter.al)