Në Rusi rrëzohet një aeroplan rus me ukrainas të burgosur në luftë, vdesin 74 vetë

Moskë, 24 janar 2024 – Një aeroplan ushtarak, në të cilin besohet se kanë qenë 65 ukrainas të burgosur në luftë, është rrëzuar në rajonin Belgorod të Rusisë dhe të gjithë 74 personat në bord kanë vdekur.

“Aeroplani është rrëzuar në rajonin Koroçanski. Është rrëzuar afër një zone të populluar. Të gjithë në bord kanë vdekur”, ka thënë guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, përmes një postimi në Telegram.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se 65 ushtarët e kapur në luftë kanë qenë duke u transferuar në rajonin Belgorod, për këmbim.

Zyrtarë ukrainas të inteligjencës kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se këmbimi i të burgosurve ishte planifikuar të bëhej të mërkurën.

Në disa video të publikuara në rrjetet sociale, duket se aeroplani ushtarak transportues ka qenë i modelit Ilyushin Il-76.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka refuzuar të komentojë rrëzimin e aeroplanit, duke thënë se është ende duke mbledhur informacione për incidentin.

Ligjvënësi rus, gjenerali i pensionuar Andrei Kartapolov, e ka akuzuar Ukrainën për rrëzim të aeroplanit, ndërsa mediumi ukrainas “Ukrainska Pravda,” i cili u referohet burimeve brenda ushtrisë ukrainase, ka raportuar se ushtria e këtij vendi ka dhënë sinjale se rrëzimi ka qenë “puna e tyre”. Sipas këtij mediumi, aeroplani ka qenë duke bartur raketa për sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-300.

Ky medium më vonë e ka fshirë këtë postim.

Moska dhe Kievi kanë këmbyer disa herë të burgosur, prej kur Kremlini e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka raportuar më herët që një dron është rrëzuar në rajon, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi.

(REL)